2013-04-12 14:58:39

Takime shpirtërore në Kishën katolike të Gjakovës nën udhëheqjen e dom Prekë Lazrajt


Në kuadër të Vitit të Fesë, të cilin që nga tetori i vitit të kaluar po kremtohet në mbarë botën katolike, gjatë kësaj jave, bashkësia Kishtare e Shën Pjetrit e Palit Apostuj e Gjakovës ka organizuar një seminar meditimesh mbi Fjalën e Zotit për të ndihmuar përtëritjen e përforcimin e besimtarëve në fenë në Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar.
Viti i Fesë duhet të na ndihmojë për t’u rrënjosur në njohurinë e figurës së Jezu Krishtit, pra të përmbajtjes së Ungjillit, sepse të krishterët janë të thirrur të japin një dëshmi të bindur e të qartë, dëshminë e dashurisë e të vëllazërimit që buron nga fakti që Zoti na do, na fal e shëlbon dhe vazhdon të na udhëheq çdo ditë përmes Fjalës së Tij Hyjnore Jetëdhënëse. Gjatë meditimeve të këtyre ditëve drejtuar pjesëmarrësve në Kishën e Shën Pjetrit e Palit Apostuj, dom Prekë Lazraj i nxiti besimtarët katolikë të marrin çdo ditë në dorë Shkrimin Shenjtë, Biblën e në zhyten në thellësitë e Fjalës që shëron zemrat nga mëkati dhe e keqja e na pajton njëri me tjetrin e së bashku me Hyjin Atë. Viti i Fesë ka pikërisht këtë qëllim, të kontribuojë për progresin e fesë e të vëllazërimi. Nuk mund të ecet në udhën e vërtetë të krishterë, duke injoruar krizën e fesë, që po kalojnë zona të tëra të trevave shqiptare, ndërmjet të cilave, ata që e pranuan të parat kumtimin e Ungjillit e ku jeta e krishterë lulëzoi në shekuj.
Dom Preka theksoi nevojën e përshpirtërisë e njëkohësisht, edhe varfërinë shpirtërore të shumë njerëzve, që jetojnë pranë nesh, në kohën tonë. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos njihen edhe shenjat e shumta, që vërtetojnë se njeriu ka gjithnjë nevojë për jetë shpirtërore, gjë që duket në mënyra nga më të ndryshmet. Pasuria shpirtërore e shumë prej bashkëkohësve tanë, ndihmon ata njerëz që nuk e perceptojnë më si humbje mungesën e Zotit në jetën e tyre, e kjo është sfidë për gjithë të krishterët.
Në këto rrethana, ne, që besojmë në Krishtin, na kërkohet të rikthehemi tek themelorja, tek zemra e fesë sonë, tek dëshmimi, së bashku, i Hyjit të gjallë deri në skajet më të thella të botës shqiptare, e kështu t’i ofrojmë Vendlindjes sonë Dritën e Krishtit të Gjallë.
Për këtë qëllim, Famullitari i kësaj bashkësie kishtare, françeskani atë Ndue Kajtazi ka ftuar për priftin dom Prekë Lazraj, drejtor i Radio Marisë së Shqipërisë e prej vitesh ideator i këtyre takimeve shpirtërore. Mbi ecurinë e takimeve shpirtërore me besimtarët katolikë të Gjavokës, të dëgjojmë eprorin e kuvendit françeskan e famullitarin e Bashkësisë Kishtare të Shën Pjetrit e Palit Apostuj, atë Ndue Kajtazin.............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.