2013-04-12 14:58:26

Papa Françesku: triumfalizmi, tundim i të krishterëve. Na duhet hiri i qëndresës.


Në gjurmët e Krishtit ecet me durim e pa triumfalizma. E pohoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e personelit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, kryesuar nga drejtori, don Gjuzepe Kosta, të Farmacisë dhe të Parfumerisë së Vatikanit.
Kur Zoti e prek zemrën e njeriut, i jep edhe hirin, që vlen përgjithëjetë. Nuk bën, pra ndonjë “magji”, që zgjat një çast të vetëm. Në homelinë e Meshës, Papa Françesku u rikthye tek atmosfera tronditëse, menjëherë pas vdekjes së Jezusit, kur sjelljet e predikimet e Apostujve u vunë në shënjestër të farizenjve e të dijetarëve të Ligjit. Papa rikujtoi fjalët e Gamalielit, cituar në Veprat e Apostujve. Është farizeu, që kërkon nga Sinedri të mos mendojë për zhdukjen e dishepujve të Jezusit sepse, kujton, në të kaluarën zhurma e shkaktuar nga profetët e rremë, u shua shumë shpejt, e ata u shpërndanë, së bashku me ndjekësit e tyre. E s’u panë më. Prej këndej, këshilla e Gamalielit për të pritur e për të parë ç’do të ndodhte me ndjekësit e Nazarenit. Këshillë e urtë edhe për jetën tonë, shpjegoi Papa, sepse koha është lajmëtare e Zotit: Hyji na shpëton në kohë, jo në çast. Nganjëherë bën mrekulli, por në jetën e zakonshme na shpëton në kohë, na shpëton në histori, në historinë personale të secilit nga ne. Prej këndej, shtoi Papa, Zoti nuk sillet si të ishte ndonjë zanë, që ka në dorë shkopin magjik, jo! Përkundrazi, na jep hirin e na thotë, ashtu siç u thoshte të gjithë atyre, që i shëronte: “Çou e ec!”. Na e thotë edhe ne: “Ec në jetën tënde, jepe dëshminë e hirit, që ndikoi Zoti mbi ty”. Ishte thirrje për të gjithë ne, kjo e Papës, i cili më pas kujtoi se në jetën e krishterë nuk mungon kurrë edhe një tundim i madh. Tundim, të cilin e patën edhe Apostujt. U tundua Pjetri, kur pohoi solemnisht se nuk do ta mohonte kurrën e kurrës Zotin. E u tundua edhe populli, kur pa shumëzimin e bukëve e shoi urinë, si moskurrë. Zoti, nënvizoi Papa, nuk e do triumfalizmin. Zoti hyri në Tokë përvujtërisht. Jetoi 30 vjet si njeri normal. Provoi punën e madje edhe kryqin. Pastaj, në fund, u Ngjall. Prej këndej, vijoi Papa, Zoti na mëson se në jetë nuk është gjithçka magjike, e sidomos, se triumfalizmi nuk është i krishterë. Jeta e të krishterit është jetë normale, por e jetuar me Krishtin ditë për ditë. E është pikërisht ky hiri, që duhet të kërkojmë, kujtoi Papa: hiri i qëndresës, i durimit. Të ecim me ngulm, me qëndresë në rrugën e Zotit, deri në fund të fundit, ditë për ditë. Triumfalizmi nuk është i krishterë, nuk ka të bëjë me Zotin. Ecja e përditshme, në praninë e Hyjit, kjo është rruga e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.