Papa, duke vizituar Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, e falënderoi për punën e
madhe.
Mirënjohje e sinqertë dhe e përzemërt për veprimtarinë e zhvilluar nga Sekretaria
e Shtetit. E shprehu sot paradite Papa gjatë vizitës, që i bëri personelit të dy
seksioneve të zyrës së Vatikanit, rreth 300 punonjës. Gjatë takimit, që zgjati 50
minuta, Papa shoqërohej nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone,
i cili ia ktheu Papës përshndetjen e përzemërt, me të njëjtën përzemërsi e mirënjohje.
Ishte
ora 10.00, kur Papa u prit nga personeli i Sekretarisë së Shtetit: “Familje e bashkëpunëtorëve
të tij më të ngushtë”, siç e quajti Sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali
Tarçizio Bertone. Janë 300, punonjësit, priftërinj, rregulltarë e rregulltare, laikë
e laike, të cilët impenjohen në dy seksionet e Sekretarisë: seksioni i Punëve të Përgjithshme
dhe seksioni i Marrëdhënieve me Shtetet. Personeli e priti Papën në Bibliotekën e
Sekretarisë së Shtetit e po këtu dëgjoi edhe falënderimin e tij të sinqertë e të përzemërt: “Ju
falënderoj për pritjen në Sekretarinë e Shtetit. Pse jam sot këtu? Për t’ju falënderuar.
E di që këto ditë - nesër mbushet një muaj- ju punuat më shumë, orë e orë më shumë,
e kjo nuk paguhet, sepse punuat me zemër, e kjo paguhet vetëm me një “shumë falemnderit”,
por të dalë nga zemra, e? Prandaj desha të vija për t’ju përshëndetur e për t’ju
falënderuar një për një për gjithë këtë punë që bëtë. Shumë falemnderit, nga gjithë
zemra! Faleminderit!”. Përshëndetje e shkurtër, por e ngarkuar me mirënjohje,
gjë që e tregon qartë, falënderimi i përsëritur disa herë, shenjë e dashamirësisë
së thellë për bashkëpunëtorët e tij, për punën e bërë, për impenjimin e papagueshëm
të shërbimit, kryer nga të gjithë anëtarët e Sekretarisë së Shtetit, që është, me
plot gojën “sekretaria e Papës”. E ky gjest vjen pikërisht një muaj, nesër, nga fillimi
i Papnisë, që i dha një hov të ri jetës së Kishës. E nënvizoi kardinali Tarçizio
Bertone, në përshëndetjen drejtuar Papës: “Ju jemi mirënjohës për vizitën tuaj
e entuziastë për hovin që i dhatë misionit papnor. Shpresojmë të na frymëzoni edhe
ne, që ta kryejmë misionin tonë jo vetëm me kujdes, por sidomos, me dashuri, me përkushtim
për të mirën e Kishës. Lypim bekimin tuaj e ju sigurojmë për devotshmërinë, besnikërinë
e lutjen tonë të përditshme”.Pasi u dha të gjithëve bekimin e tij, Papa Françesku
u ndalua me të pranishmit, duke i përshëndetur personalisht, një për një.