2013-04-11 12:43:43

Papa Françesku: duke dëgjuar Zotin e duke ndjekur udhën e Jezusit bëhemi të lirë e të lumtur


Kur dëgjojmë Zotin bëhemi të lirë e Fjala e Tij na jep atë lumturi, që propozimet e ndryshme të botës nuk mund të na e japin kurrë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, kremtuar, si zakonisht, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, në praninë e disa punonjësve të gazetës “L’Osservatore Romano”.
“T’i bindesh Hyjit – pohoi Ati i Shenjtë – do të thotë ta dëgjosh, ta kesh zemrën e hapur për të shkuar drejt udhës, që na tregon Ai vetë. E kjo na bën të lirë”. T’i bindesh Zotit, vazhdoi Papa Bergolio, do të thotë ta dëgjosh zërin e Tij, siç bëri Pjetri, që u tha farisejve dhe skribëve: “Unë bëj ç’më thotë Jezusi, jo ç’doni ju të bëj unë”.
Gjatë jetës, theksoi Ati i Shenjtë, dëgjojmë edhe fjalë, që nuk vijnë nga Jezusi e nga Zoti. Nganjëherë dobësia jonë shpirtërore na shtyn drejt një jete “të dyfishtë”: njëra ushqehet nga Fjalët e Krishtit, tjetra, nga fjalët e botës. E nganjëherë, kur e dëgjojmë Jezusin, ata, që nuk janë dakord me Të, zemërohen keqas e udha e të krishterit të mirë përfundon me persekutim. Megjithatë, nënvizoi Papa Françesku, shumë e dëgjojmë Jezusin e jo pak persekutohen, por me jetën e tyre dëshmojnë vullnetin për t’iu bindur Zotit, për të përshkuar udhën, që u tregon Krishti.
Kjo është edhe këshilla e Liturgjisë së sotme, “Të shkojmë në udhën e Jezusit”. Fjala është të mos i dëgjojmë propozimet e botës, propozimet e mëkatit e të kompromisit, që na largojnë nga Zoti. Na ndihmon Shpirti Shenjt, siguroi Papa. Është pikërisht Shpirti Shenjt, që na jep forcë për të ecur në udhën e drejtë, por duhet t’i kërkojmë Atit Qiellor të na japë guximin për të thënë: “O Zot, jam mëkatar, nganjëherë u bindem gjërave të botës, por dua të të bindem Ty, dua të eci në udhën Tënde”. E kur nuk e bëjmë këtë, të kërkojmë falje, përfundoi Ati i Shenjtë, e Zoti do të na falë, sepse Ai është shumë i mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.