Ndërroi jetë kardinali Lorenco Antoneti: ngushëllimet e Papës
Sot, në Novara të Italisë, ndërroi jetë, në moshën 90 vjeçare, kardinali Lorenco Antoneti,
kryetar nderi i Administratës së Pasurisë të Selisë Apostolike, ish-delegat për Bazilikën
patriarkale të Shën Françeskut të Asizit. Mesha e dritës do të kremtohet të premten,
në Kishën Romanjano Sesia, në provincën e Novarës, ku Hirësia e Tij qe lindur më 31
korrik 1922. Papa, në një telegram drejtuar ipeshkvit të Novarës, imzot Franko
Xhulio Brambila dhe familjarëve, shpreh ngushëllimet e tij më të ndjera për vdekjen
e kardinalit, për shumë vjet me radhë bashkëpunëtor i zellshëm i Selisë së Shenjtë.
Kudo punoi, pohon Papa, dha dëshmi të zellit të flakët meshtarak e të besnikërisë
ndaj Ungjillit. Kardinali Antonieti i kreu studimet kishtare në Seminarin novarez
e, më pas, edhe në Kolegjin Kapranika, në Romë. U shugurua meshtar më 26 maj 1945
në Novara. Vijoi, më pas, të studiojë në disa universitete kishtare, duke u përgatitur
edhe për shërbim diplomatik, që e kreu në shumë vende të botës, nga Libani, në Venezuelë,
Francë, SHBA e vise të tjera të botës. Më pas kreu detyra të larta pranë Sekretarisë
së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, duke shërbyer edhe si anëtar i disa komisionve
pranë Kuries Romake. U krijua kardinal nga Gjon Pali II, në Koncistorin e 21 shkurtit
1998. Pas vdekjes së kardinalit Antoneti, Kolegji kardinalor përbëhet nga 205 kardinaj:
113 me të drejtë zgjedhore, 92 mbi moshën 80 vjeç.