2013-04-10 16:12:10

Kosova 5 vjet me Kushtetutë Shteti të Pavarur


"Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës shënon aktin historik të miratimit të dokumentit më të lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit", deklaron Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ajo thekson se, miratimi i Kushtetutës përmbledh gjithë sakrificën, punën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për liri, pavarësi dhe demokraci, duke shtruar rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të vendit."Në këtë pesëvjetor të miratimit të Kushtetutës të Republikës së Kosovës po kremtojmë historinë dhe trashëgiminë e vendit tonë, që po ndërtohet si një shtet i së drejtës, me garancitë e plota për të gjithë dhe që siguron një të ardhme më të mire", shprehet Jahjaga.
Sipas saj, gjithëpërfshirja, respektimi i ndërsjellë, demokratizimi dhe toleranca ndërmjet qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë bazë e Kushtetutës dhe vlera të përgjithshme të shoqërisë kosovare. "Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, një shtet i mundësive por edhe i përgjegjësive e obligimeve të barabarta. Shtrirja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është garant i zhvillimit demokratik dhe i barazisë së të gjithë qytetarëve, dhe është domosdoshmëri për të vënë bazat e shtetit ligjor, të perspektivës afatgjate si dhe ndikon në stabilitetin dhe paqen në rajon", thekson Presidentja Jahjaga.
Dita e sotme - Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është festë zyrtare e shtetit më të ri evropian. Para pesë vitesh, më pak se dy muaj nga shpallja e Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, Kuvendi i Kosovës i mbledhur në një seancë solemne të jashtëzakonshme, në 9 Prill, miratoi dhe shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila, siç theksohej fuqizonte shtetin.
"Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm", përcakton neni 1 i Kushtetutës, e cila pas miratimit në Kuvend ka hyrë në fuqi që nga 15 Qershori 2008, vitit të shpalljes së Pavarësisë, të njohur deri tani nga rreth 100 shtete anëtare të OKB-së.
Shtypi në Prishtinë duke përkujtuar se Kushtetuta e Kosovës sot feston ditëlindjen e pestë, thekson se ajo vazhdon të mos zbatohet në gjithë territorin e vendit. Janë komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe që vazhdojnë ta sfidojnë atë, ndërsa institucionet kosovare nuk kanë mundur ta shtrijnë autoritetin në rreth 20 për qind të territorit që juridikisht i mbulon Kushtetuta.
Dje pritej një marrëveshje, por Beogradi e refuzoi, pas raundit të tetë të dialogut në nivel të lartë Prishtinë-Beograd në 2 prill në Bruksel, që rezultoi pa e kaluar "hendekun e thellë" në qëndrimet shumë të ndryshme për veriun e Kosovës dhe asociacionin-bashkësinë e komunave me shumicë serbe, për të cilin delegacioni serb i udhëhequr nga kryeministri Ivica Daçiç kërkoi pushtet ekzekutiv, ndërsa delegacioni kosovar i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi nuk pranoi këtë dhe asnjë "zgjidhje" në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kosova me kufijtë që janë edhe aktualisht ka pasur Kushtetutën e vet edhe si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës nga viti 1974, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, të miratuar në 7 Shtator 1990, pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut po të atij viti nga Kuvendi i Kosovës.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.