2013-04-10 12:41:30

Ban Ki-mun: Papa Françesku, ndërtues i vërtetë i paqes, shpresoj të vizitojë së shpejti OKB-në


Pas bisedimeve të djeshme më 9 prill me Papën në Vatikan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun u takua, në Romë, me një grup të vogël gazetarësh. Ndërmjet tyre, kolegu ynë, Aleksandër Gjizoti. Gazetari i Radio Vatikanit i kërkoi Ban Ki-munit mendimin e tij mbi rolin që mund të luajë Papa Françesku për paqen në botë e për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

R. – I told His Holiness that his choice of name after Saint Francis of Assisi…
I thashë Shenjtërisë së Tij se zgjedhja e emrit lidhur me Shën Françeskun e Asizit, është mesazh i fuqishëm për shumë objektiva, të përbashkëta me Kombet e Bashkuara. Papa pohon me zë të lartë impenjimin e tij për të varfërit. E vlerësoj shumë përvujtërinë e tij, pasionin për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe dhembshurinë për ta. Pata privilegjin e veçantë ta takoj Papën njëmijë ditë para skadimit të afatit për arritjen e Objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. Gjatë bisedës, theksuam se është e nevojshme të përparojë drejtësia shoqërore e se duhen shpejtuar aksionet për arritjen e këtyre objektivave. E kjo është jetike për më të varfërit. Më dha shumë zemër impenjimi i Papës për të ndërtuar ura ndërmjet bashkësive të feve të ndryshme: besoj ngultas se dialogu ndërfetar mund t’i hapë rrugën vlerësimit të thellë të virtyteve të përbashkëta, tolerancës, gjithëpërfshirjes e, prej këndej, paqes. Kjo është forca, që i motivon Kombet e Bashkuara në të gjitha nismat qytetëruese e, prandaj, e vlerësova shumë rastin për t’u ballafaquar me Papën Françesku lidhur me promovimin e mëtejshëm të kësaj vepre themelore. Ishte takim frymëzues, plot me shpresë. Papa Françesku është njeri i paqes dhe i veprimit, është zë për atë që nuk ka zë. Shpresoj se do të mund ta vijojmë bisedën tonë. Me këtë frymë, e duke pasur parasysh traditën e paraardhësve të tij, pata nderin ta ftoj Papën Françesku të vizitojë Kombet e Bashkuara sa më shpejt të jetë e mundur.

Pyetje: - Ç’rol, sipas jush, mund të luajë Papa Françesku për sigurimin e paqes, posaçërisht në zona si Siria e Koreja e Veriut?

Përgjigje:- He already expressed his sincere hope and…
Ai shprehu besimin e tij të thellë dhe afërsinë për shumë zona në krizë, duke përfshirë edhe pajtimin e paqen ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, paqen në gadishullin korean, në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën Qendroafrikane; e paqen, stabilitetin dhe ndihmën humanitare, për popullin sirian. Shpreh vlerësimin tim të thellë për udhëheqjen e tij shpirtërore, për frymëzimin e dhembshurinë e tij; është pikërisht ajo, që dëshiroj të bëj në dobi të Kombeve të Bashkuara, e i kërkoj me gjithë zemër ndihmën e tij të përhershme. Vlerësova edhe hapat e tija të para lidhur me bashkësitë fetare hebraike e myslimane. I thashë se e shikoj si ndërtues të paqes e se, përmes këtij procesi, mund të krijojmë mirëkuptim më të thellë e respekt më të madh ndërmjet grupeve fetare si dhe ndërmjet qytetërimeve etnike e kulturave të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.