2013-04-08 14:53:58

Papa takohet me kryetarin e Kishës Ungjillore Gjermane. Atë Lombardi: rruga e ekumenizmit, gjithnjë më e sigurtë


Sot paradite, Papa Françesku priti në audiencë kryetarin e Kishës Ungjillore në Gjermani, Nikolaus Shnajder me bashkëshorten dhe delegacionin shoqërues. Për këtë takim të rëndësishëm, me karakter ekumenik, na informon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Takimi ishte vërtet i përzemërt. “Präses” Shnajder e përgëzoi Atin e Shenjtë për fillimin entuziazmues të papnisë dhe shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen e emrit “Françesk”, sepse është emri i një shenjti, që u flet vërtet të gjithë të krishterëve, në një mënyrë jashtëzakonisht të frytshme. “Präses” (apo presidenti) foli edhe për përmbytjet e vuajtjet, nëpër të cilat po kalon kohët e fundit Argjentina, duke i shprehur Atit të Shenjtë keqardhjen për problemet e popullit të tij. Më pas, biseda vazhdoi me tema ekumenike. U fol veçanërisht për vlerën e ekumenizmit të martirëve, të cilit Papa i jep rëndësi të madhe, pasi njeh thellë vuajtjet e shumë njerëzve, edhe të Kishës Ungjillore, gjatë kohës së nacionalsocializmit e në rrethana të tjera. Gjaku i derdhur nga martirët i bashkon fuqishëm konfesionet e ndryshme të krishtera në dëshminë e përbashkët për Krishtin. “Präses” kujtoi se po afron përvjetori i Reformës, më 2017, çast jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kishën Ungjillore në Gjermani dhe Papa shfrytëzoi rastin për t’i përmendur fjalimet e mbajtura nga Benedikti XVI në Erfurt, në vendin ku jetoi e punoi Luteri: fjalime shumë domethënëse përsa i përket ekumenizmit dhe marrëdhënieve të Kishës Katolike me traditën e Reformës dhe figurën e Luterit, në veçanti. Pra, takimi qe jashtëzakonisht i frytshëm dhe i rëndësishëm për ekumenizmin, i cili çohet përpara me vendosmëri edhe gjatë kësaj papnie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.