2013-04-08 15:52:02

Papa Françesku: dashuria e krishterë ose është e përvuajtur, ose nuk është dashuri e krishterë


Për të krishterin, të përparosh, do të thotë të ecësh kokulur në udhën e përvujtërisë, për të lartuar, kështu, dashurinë e Zotit. Ky mendim, që Papa e quajti ‘rregull i artë’, përshkoi gjithë homelinë, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Në liturgji morën pjesë, ndërmjet të tjerëve, disa Rregulltare të Dashurisë së Krishterë, kolegët e Programit brazilian të Radios sonë si dhe Arturo Mar, prej shumë vitesh, fotograf i Papëve.

Një rrugë që lartohet, sa më shumë ulet. Është rruga e përvuajtërisë së krishterë. Sa më i përvuajtur të jesh, për t’i hapur rrugën dashurisë hyjnore, aq më shumë lartohesh kah Zoti, tha Papa, që u frymëzua për këtë reflektim nga Festa e sotme liturgjike e Lajmërimit të Zojës. Udha, që Maria e Jozefi përshkojnë deri në Betlehem, për të respektuar urdhërin perandorak të regjistrimit është, tha Papa, udhë e përvujtërisë. Është e përvuajtur Maria, që nuk kupton mirë, por e lëshon plotësisht shpirtin në dorë të Zotit. I përvuajtur, edhe Jozefi, që përulet, për të marrë mbi vete përgjegjësinë tejet të madhe të Vashës virgjër, në pritje të foshnjës. Kështu, vërejti Papa Françesku, dashuria e Zotit, për të arritur tek ne, merr rrugën e përvujtërisë. Është kjo udha, që zgjodhi për t’u shprehur njerëzve dashurinë e tij, krejt në kundërshtim me idhujt e fortë, që bërtasin me sa zë që kanë: “Jam unë këtu!”, “Këtu urdhëroj unë!”. Ndërsa, kujtoi Ati i Shenjtë, Zoti ynë, që nuk është zot i rrejshëm, zot prej druri, bërë nga njeriu, dëshiron të ecë kështu, në udhën e përvujtërisë. Në atë udhë, ku shkeli vetë Jezusi, udhë, gjatë së cilës e uli veten deri në kryq. Për të krishterin, vijoi Papa, ky është ‘rregull i artë’, të përparojë, të ecë para, përvuajtërisht. Nuk mund të ecet në asnjë udhë tjetër. Nëse unë nuk jam i përvuajtur, ngulmoi, në se ti nuk je i përvuajtur, nuk je i krishterë!
Gjithsesi, të jesh i përvuajtur nuk do të thotë aspak të ecësh udhës me sy përdhe. Nuk ishte kjo, shpjegoi, përvujtëria e Jezusit, as e Nënës së Tij, as e Jozefit. Të marrësh rrugën e përvuajtërisë, pohoi Papa, do të thotë të ecësh pikërisht në atë udhë, ku ecën vetë Zoti, në atë, që zgjodhi vetë Jezusi. Këtë zgjodhi e jo tjetër. Edhe fitorja e Ngjalljes, në këtë udhë përshkohet: fitorja e të krishterit merr udhën e përvuajtjes, për t’u lartuar. T’i lypim Zotit, tha në përfundim Papa, hirin e përvuajtërisë, udhë nëpër të cilën kalon, pa asnjë dyshim, dashuria e krishterë, sepse pa përvuajtërinë, dashuria bllokohet, nuk mund të ecë përpara.







All the contents on this site are copyrighted ©.