2013-04-08 15:54:13

Nigeri: Kisha përkrah amnistinë për “Boko Haram”


Në Nigeri nis diskutimi për faljen e anëtarëve të grupit fanatik islamik “Boko Haram”, përgjegjës për vrasjen e qindra njerëzve në Veri të vendit. Propozimin e bëri sulltani i Sokotos, një nga prijësit më të rëndësishëm islamikë nigerianë. Pas këtij propozimi, presidenti Godluk Xhonatan ngriti një komision specialistësh për të studiuar termat e amnistisë. Në diskutim merr pjesë edhe Kisha Katolike, përmes kryeipeshkvit të Abuzhës, kardinalit Onaiekan, i cili në mesazhin e tij të Pashkëve, titulluar enkas “Mëshira e Zotit e ndjesa e njeriut”, bën një analizë të kujdesshme të situatës. “Shteti duhet të dijë ta përdorë me shumë kujdes pushtetin e vet, kur është fjala për të falur kriminelët, shkruhet në mesazhin, rimarrë nga agjencia Fides. Hirësia e tij kujton se për të falur, duhen përmbushur dy kushte; pendimi i sinqertë i fajtorit dhe dëmshpërblimi. Në këtë atmosferë përpjekjesh të përbashkëta, përfundon, kërkimi i amnistisë duket i mundshëm, madje dhe i nevojshëm. Në çdo konflikt vjen një kohë, kur duhet nisur dialogu, për të arritur në zgjidhjen përfundimtare. Me sa duket, për Boko Haramin kjo kohë ka arritur.







All the contents on this site are copyrighted ©.