2013-04-08 15:53:31

Mëshira Hyjnore. Imzot Bart: në këtë ditë rrjedhin hiret e të Ngjallurit.


Kisha katolike kremtoi dje, e Diela e dytë e Pashkëve, Festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar 13 vjet më parë nga Papa Vojtila. Mbi rëndësinë e kësaj feste flet, në mikrofonin tonë, imzot Jozef Bart, rektor i kishës romake të Shpirtit Shenjt në Sasia, që i Lumi Vojtila ia kushtoi kultit të Mëshirës Hyjnore:

Përgjigje: - Festa e Mëshirës Hyjnore lindi pikërisht nga përshpirtëria e Shën Faustina Kovalskës, së cilës vetë Krishti, gjatë vegimeve, i kërkoi që e diela e parë pas Pashkëve të kremtohej si e Mëshirës Hyjnore, sepse Mëshira Hyjnore buron nga Mundimet, Vdekja e Ngjallja e Krishtit. Pikërisht pak ditë më parë, Papa i ri, Françesku, gjatë bekimit të Pashkëve Urbi et Orbi, e shpjegoi në mënyrë të përkryer këtë të vërtetë. Jezusi u ngjall, brohoriti Papa, ka shpresë edhe për ty, nuk je më nën zgjedhën e mëkatit, të së keqes! Fitoi dashuria, fitoi mëshira! Mëshira e Zotit fiton gjithmonë, është më e fortë se e keqja e edhe se vetë vdekja; mund ta shndërrojë jetën tonë, mund t’i kthejë në lulishte, shkretëtirat e zemrës sonë.

Pyetje: - Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e elterit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës. ...

Përgjigje: - Ishte i Lumi Gjon Pali II që, më 30 prill 2000, gjatë kanonizimit të Shën Faustinës, e para shenjtore e Jubileut të Madh, e themeloi për të gjithë Kishën të Dielën e Mëshirës Hyjnore, ditë në të cilën rrjedhin vërtet hiret e Krishtit të Ngjallur, nga atributi i tij më i madh, ai i Mëshirës. Çdo njeri ka nevojë për Mëshirën Hyjnore, sepse ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?

Pyetje: - Kush ishte Shën Faustina Kovalska?

Përgjigje: - Motër Faustina Kovalska jetoi 33 vjet. Vdiq më 5 tetor 1938. Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë, është dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e Mëshirës Hyjnore. Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Mendoj sidomos për nderimin e figurës së mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj për orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, për lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës, që t’ ia drejtonte Mëshirës së tij Hyjnore. Mendoj, pastaj, për festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". Mendoj edhe për përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes "apostujve të Mëshirës Hyjnore".

E dje, pikërisht në përkim me të Dielën e Mëshirë Hyjnore, Papa Françesku filloi detyrën e tij si Ipeshkëv i Romës. Prandaj mund të themi se kjo e Diel u kremtua në një atmosferë të posaçme.
Kur Françesku ulej në Katedrën e Shën Pjetrit, mijëra besimtarët, që u mblodhën rreth Papës së ri në Sheshin e të Lumit Gjon Pali II, i lartuan një lutje korale Mëshirës Hyjnore për papninë e tij. E u nisën të ngushëlluar, duke kujtuar porosinë e fundit të homelisë, për të qenë të mëshirëshëm sepse:“Kështu do ta ndjejmë ëmbëlsinë e Hyjit, përqafimin e Tij e, edhe ne do të jemi më të mëshirshëm, më të durueshëm, më të aftë për të falur e për të dashur”.E Diela e djeshme u kujtoi të gjithëve edhe se Provania Hyjnore deshi që Papa Vojtila t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke pikërisht natën e kësaj feste. Misteri i dashurisë përdëllyese ishte gjithnjë në qendër të papnisë së Atij që shkroi Enciklikën Dives in misericordia, duke i shpjeguar botës se kulti i Mëshirës Hyjnore nuk është devocion i dorës së dytë, por përmasë e fesë dhe e lutjes të të krishterit.









All the contents on this site are copyrighted ©.