Koreja e Veriut, gati për lëshimin e raketave. Japonia: “Do t’i godasim”; Kina i kundërvihet
Piongiangut
Mbetet i lartë tensioni në gadishullin korean, ndërsa vendet e përfshira në krizën
diplomatike ndërmjet Seulit e Piongiangut vijojnë të shkëmbejnë kërcënime e bashkësia
ndërkombëtare, të vëzhgojë. Seuli njofton se Piongiangu po përgatit provën e katërt
atomike, ndërsa dy raketa verikoreane kanë marrë në shënjestër bazën amerikane të
ishullit Guam. Uashingtoni e ndjek me maturi situatën, ndërsa Kina i kundërvihet atij,
që tashmë është ish-aleati i saj hekurt.
Në këtë situatë, vendet perëndimore
vendosin të mos i tërheqin përfaqësitë e tyre diplomatike, edhe përballë kërcënimit
verior për lëshimin e raketave brenda datës 10 prill e thirrjes për largimin e menjëhershëm
të ambasadave, sepse Piongiangu nuk është në gjendje të garantojë sigurinë e personelit
diplomatik në rast konflikti. Sipas ministrit të jashtëm britanik, Uiljam Hag,
Koreja e Veriut nuk përgatitet për konflikt, gjë që e vërteton mungesa e rivendosjes
së forcave të reja në terren. Kërkon, prandaj, të ndiqet qetësisht ajo, të cilën
e quan “retorikë paranoike”. Edhe për këtë shkak, Londra dhe amabasadat e tjera perëndimore,
vendosën të mos i largojnë selitë nga Piongiangu. Një kontribut i ndjeshëm për
uljen e tensionit vjen nga SHBA, që e shtynë afatin e provës së një rakete ndërkontinentale
në Kaliforni, për të mos e ashpërsuar më tej situatën, e edhe nga Kina, e cila bëri
thirrje që asnjë vend të mos e flakë në kaos një zonë, më të madhen në botë, për qëllimet
e veta egoiste. Më pas Kina kërkon që bashkësia ndërkombëtare të flasë njëzëri për
të mbrojtur sigurinë globale. Ndërkaq botës nuk i mbetet tjetër, veçse të presë. Duke
shpresuar që thirrjet e liderit të ri verikorean Kim Jong-Un të mbeten vetëm provokime.
I vetmi reagim është ai i Japonisë ku, sipas shtypit vendas, qeveria përgatitet ta
godasë çdo raketë verikoreane, që mund t’i drejtohet territorit niponik.