2013-04-08 15:53:17

Kardinali Amato shpalli të Lum atë Kristoforin e Shën Katerinës, dëshmitar i dashurisë së krishterë në Spanjën e 1600-ës.


Kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi dje paradite, në Katedralen e Kordovës, në Spanjë, ritin e lumnimit të atë Kristoforit të Shën Katerinës, themelues i Kongregatës spitalore të Jezusit të Nazarenit. Është i lumi i parë i papnisë së Papës Françesku.
Atë Kristofori lindi në Mérida, në juglindje të Spanjës, më 25 korrik 1638; e kreu shtegtimin në udhët e kësaj bote, më 24 korrik 1690. Ndërmjet këtyre dy datave, qe gjithnjë në kërkim të Zotit, duke nisur nga mosha dhjetëvjeçare, kur trokiti në kuvendin e françeskanëve, për të vijuar me shërbimin në Spitalin e Zojës së Dhimbshme, drejtuar nga Kongregata Fatebenefratelli, me shugurimin meshtarak në moshën 24 vjeçare e me kapelaninë, në luftën 30 vjeçare (1618-1648). Pas tmerreve të luftës, gjatë së cilës u rrezikua të vdesë nën bombat, iu kushtua jetës vetmitare në shkretëtirë. U rikthye mes njerëzve, duke e kërkuar Fytyrën e Krishtit, në fytyrat e të varfërve, të fshatarëve, të grave të poshtëruara, të fëmijëve të braktisur, të të sëmurëve. Për ta lypi lëmoshë ditë-natë nëpër rrugët e Kordovës. E kjo përvojë e çoi në themelimin e një Kongregate me frymë françeskane: Kongregatës spitalore të Jezusit të Nazarenit si dhe spitalit me të njëjtin emër, të Kordovës. Deshi t’i përngjante sa më shumë Jezusit, që mori mbi vete mundimet e të tjerëve. Në spital i mjekonte të sëmurët falas, duke pritur me krahë hapur edhe të sëmurët nga kolera, pa pyetur fare se mund të prekej edhe ai vetë nga kjo sëmundje ngjitëse. E vdiq pikërisht nga kolera, më 24 korrik 1690, 52 vjeç, duke shtrënguar fort në kraharor, Krishtin e Kryqëzuar. Ishte fjalëpakë, por njerëzit thoshin për të: “Mësojmë shumë më tepër duke shikuar atë Kristoforin, që lyp lëmoshë rrugëve, se duke dëgjuar një mori predikimesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.