Heparkia e Horës së Arbëreshëve ka një Administrator të ri Apostolik
Ati i Shenjtë pranoi sot tërheqjen e imzot Sotir Ferrarës nga drejtimi baritor i Heparkisë
së Horës së Arbëreshëve në Sicili, për arsye moshe, sipas normave të Kodit Kanonik,
dhe emëroi kryeipeshkvin metropolit të Palermos, kardinalin Paolo Romeo, si Administrator
Apostolik « sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis » në atë Eparki, në pritje të ipeshkvit
të ri. Ipeshkëv i ritit bizantin, imzot Sotir Ferrara lindi më 5 dhjetor 1937,
po në Horën e Arbëreshëve. Pas studimeve, u shugurua meshtar më 19 nëntor 1961. Qe
Papa Gjon Pali II, që më 15 tetor 1988 e caktoi në krye të Heparkisë së Horës së Arbëreshëve,
e cila varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. U shugurua ipeshkëv më 15 janar 1989
në duart e imzot Miroslav Stefan Marusyn në katedralen e Shën Mitrit të Madhit Dëshmor.
Ndër bashkëkremtuesit e asaj meshe, imzot Erkole Lupinaçi, edhe ai arbëresh, asokohe
hepark i Ungrës. Imzot Sotir Ferrara ka qenë anëtar i Komisionit për Ekumenizmin dhe
Dialogun Ndërfetar, në Konferencën Ipeshkvnore Italiane.