2013-04-07 16:51:02

Shenjtërorja e Shenjtërve


Në majë të Shkallës së Shenjtë, një dritare e mbrojtur nga një qelq shumë i trashë e nga një kafaz, lejon të shihet brendia e Sancta Sanctorum. Në Tempullin e lashtë të Salomonit, ky emër tregonte vendin më të shenjtë, dhomën, ku ruhej thesari, Arka e Besëlidhjes me Rrasat e Ligjit, shtaga e Aronit dhe një vazo me manë. Sipas traditës biblike, vetëm kryeprifti, e vetëm një herë në vit, mund të hynte tek “Shenjti i Shenjtorëve”.
Në Pallatin e Lateranit, bëhet fjalë për Kapelën private të papëve e cila, edhe sot e kësaj dite, shikohet si një nga vendet më të shenjta të botës. Fraza latine, që bie menjëherë në sy prej afreskut qendror, flet qartë: “Non est in toto sanctior orbe locus”(Nuk ka në botë vend më të shenjtë). Për një kohë të gjatë në këtë Kapelë mund të hynin vetëm papët e shumë pak të zgjedhur të tjerë. Sot mund të hyjnë edhe grupe të kufizuara për vizitë të drejtpërdrejtë. Kapela, kushtuar Shën Lorencit, u ndërtua nën papninë e Nikollës II, në vitin 1278. E pikturuar nga Kozmatët, ruan një numër të madh relikesh, ndërmjet të cilave, Fytyra e Shenjtë, figure e mrekullueshme, me zanafillë acheropite (që nuk është bërë nga dorë njeriu). Paraqet Jezusin. Sipas traditës, u pikturua nga Shën Luka, me ndihmën e një engjëlli. Në mesjetë figurja mbartej me procesion, për të larguar kolerën e sëmundje të tjera epidemike. Shumë shpejt, për të shmangur rrezikun e dëmtimit, u mbulua me një pllakëz ari, pajisur me disa sportele, për të krijuar kështu mundësinë e soditjes së Fytyrës së Shenjtë, të duarve, këmbëve e kraharorit. Sportelet hapeshin në kohën e Pashkëve, për të adhuruar pesë plagët e Mundimeve të Krishtit. Figura pësoi disa ndryshime në shekujt mëpasëm. Fytyra, që shikojmë sot, nuk është ajo origjinale. Megjithatë, numërohet si një nga reliket më të mrekullueshme, sepse e krijuar jo me dorë njeriu, por me ndërhyrje të drejtpërdrejt hyjnore. Shembuj të tjerë relikesh të kësaj natyre, janë: Sindona e Torinos, Fëtyra e Shenjtë e Manopelos e ajo e Veronikës, që ruhet në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.