2013-04-07 16:51:51

Obelisku në Lateran


Kur arrin në Lateran, ose para se të largohesh, nuk mund të mos ndalesh disa çaste për të soditur Obeliskun, më i gjati, që lartohet në Romë e ndoshta-ndoshta, edhe në Botë. Është vepër e skllevërve egjiptianë, nxjerrë nga zemra e shkëmbit. Tutmosi, faraon i Egjiptit, në kohën e të cilit u realizua, ia pati kushtuar hyjnisë diell dhe e pati lartuar në qytetin famëmadh të Tebës. Dijetarët, që tashmë kanë hyrë në misteret e hieroglifeve, të cilat e mbulojnë nga baza, deri në majë, tregojnë histori tejet interesante për këtë kolos prej guri. Kështu Obelisku, duke u bërë ballë shekujve, vijon t’i flasë njeriut modern me gjuhën e kohëve të mugëta.
Shtylla vigane, e gjatë 99 këmbë (rreth 30 metra), erdhi në Romë duke përshkuar një udhë jo të lehtë. Ishte Kostandini ai, që mendoi ta sillte në Qytetin e Amshuar. E mbarti, prandaj, nga Teba, në Aleksandri nëpër lumin Nil. Veprën e nisur e vijoi i biri Kostanci, që e solli në Romë.
Kur Pallati i Lateranit u rrënua nga zjarri, edhe Obelisku u shemb përdhe, i thyer tri copash. E ngriti përsëri në këmbë arkitekti Fontana. Ai realizoi edhe Kryqin në majën e kësaj vepre të pashoqe, që u bë, kështu, simbol i një Dielli të ri, atij të krishterimit: Jezu Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.