2013-04-06 16:56:14

Koreja e Jugut: thirrje e ipeshkvijve për paqe në rajon


“Në këto ditë vërtet të vështira, populli korean nuk është aq i frikësuar, sa i pushtuar nga ankthi, për këtë situatë kaq të rrezikshme. Lufta sot, me armët vdekjeprurëse që ekzistojnë, do të ishte katastrofë për të gjithë. I drejtohemi Papës Françesku: e falënderojmë për lutjen e shpresojmë se do të vijojë t’i kushtojë vëmendje gadishullit korean, duke u kërkuar të gjithë prelatëve të kombeve: në Kore, Rusi, SHBA, Kinë, të punojnë seriozisht për paqen në Kore”.
Populli jug-korean, deklaron përmes agjencisë Fides, imzot Peter Kang U-il, ipeshkëv i Çejusë dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Koresë së Jugut, duke folur për fazën e tensionit të lartë politik e ushtarak, që jetohet në Lindjen e largët, është mësuar, në një farë mënyre, me provokimet e Veriut. Po këtë herë provokimi është tepër kërcënues e populli ka frikë nga rreziku i shpërthimit të një lufte të re, të padëshirueshme për të gjithë. E kjo, sepse të gjithë e dinë se me armët e shkatërrimit në masë, kjo do të ishte katastrofë e tillë, që do të mund të përfundonte me zhdukjen e popullin korean, të Jugut e të Veriut. Nuk dua të besoj se mund të arrihet deri në këtë pikë - nënvizon me forcë prelati - duke uruar që liderët e politikës të lëvizin, për t’i siguruar popullit korean një ardhmëri me besim e shpresë. Po cilat janë rrënjët e këtij shkallëzimi të krizës? Sipas ipeshkvit, rrënjët duhen kërkuar në situatën e rëndë e të padurueshme ekonomike të Koresë së veriut ku jetojnë miliona njerëz të uritur e të shtypur deri në revoltë. Në këto rrethana, presidenti Kim e liderët ushtarakë kanë nevojë të tërheqin vëmendjen e të uriturve drejt një rreziku më të madh, të një armiku më të egër, me avazin e rrethimit imperialist, tejet i njohur në vendet e diktaturave të kuqe. Ipeshkvijtë koreanë, pas Asamblesë plenare, mbajtur në mars, kujtojnë se më 2013 përkujtohet 60-vjetori i armëpushimit ndërmjet dy Koreve e, prej këndej, është rast i përshtatshëm për të bërë një hap para, drejt traktatit të paqes, vëren ipeshkvi. Për të dhënë kontributin e saj, Kisha koreane ka nisur, nga prilli, deri në dhjetorin e vitit në vijim, një fushatë lutjesh për pajtim, që do t’u shtohet nismave të tjera, marrë nga të gjitha dioqezat koreane. Nga kjo udhë e thepisur, ku po ecën, Kisha koreane lyp bekimin e Papës Françesku, të cilin e falënderon me gjithë zemër për lutjet e fjalët, që ka thënë për Korenë – përfundon imzot Kang - duke ritheksuar se koreanët kërkojnë bekimin e Papës, të cilit i luten edhe një herë t’u flasë krerëve të kombeve, që të veprojnë me forcë, së bashku, për paqen në Kore.







All the contents on this site are copyrighted ©.