2013-04-04 09:45:50

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e Palit VI, pjesa e fundit


Të dashur dëgjues, ka kaluar mëse një muaj nga ndërprerja e emisionit tonë të ditës së enjte. Ngjarjet e vrullshme, në të cilat u përfshi Kisha Katolike - fillimisht tërheqja nga papnia e Benediktit XVI dhe pastaj zgjedhja e Papës së ri Françesku - na bënë ta linim mënjanë programin e zakonshëm, për të ndjekur më mirë ngjarjet, që ia zinin me shpejtësi vendin njëra-tjetrës. Sot, po i kthehemi sërish rubrikës sonë, e cila ka arritur në emisionin e 178-të. Vazhdojmë të shtjellojmë “Besojmën” e krishterë, sipas komentit që i pati bërë Papa Pali VI. Ati i Shenjtë e pati shqiptuar këtë “Besojmë” nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. RealAudioMP3
“NE BESOJMË – shkruan Papa Pali VI, në pjesën e fundit – në jetën e pasosur. NE BESOJMË se shpirtrat e të gjithë atyre, që vdesin në hirin e Krishtit - si ata që duhen purifikuar në Purgator, ashtu edhe ata që, sapo e lënë trupin tokësor, mirëpriten nga Jezusi në Parajsë, siç pati bërë me Hajdutin e Mirë - përbëjnë Popullin e Zotit përtej vdekjes, e cila do të mundet përfundimisht në ditën e Ringjalljes, kur këta shpirtra të bashkohen me trupat e tyre.
NE BESOJMË se shpirtrat e shumtë, që mblidhen rreth Jezusit e Marisë në Parajsë - formë e Kishës së Qiellit, ku ata, në lumninë e amshuar, e shohin Zotin ashtu siç është (shih 1 Io. 3,2; Dz.-Sch. 1000) e ku bashkohen, sipas niveleve të ndryshme, me engjëjt në qeverisjen hyjnore të ushtruar nga Krishti i lavdishëm - ndërhyjnë për ne dhe na ndihmojnë në dobësinë tonë, me nxitjen e tyre vëllazërore (shih “Lumen Gentium”, 49).
NE BESOJMË në bashkimin ndërmjet të gjithë besimtarëve të Krishtit, të atyre, që janë shtegtarë në këtë botë, të të vdekurve, që kryejnë purifikimin e tyre dhe, të të lumëve në Qiell, të cilët, të gjithë së bashku, formojnë një Kishë të vetme; NE BESOJMË se në këtë bashkim, dashuria e mëshirshme e Hyjit dhe e shenjtorëve të Tij bën të dëgjohen vazhdimisht lutjet tona, sipas fjalës së Jezusit: Kërkoni e do të merrni (shih Luc. 10,9-10; Io. 16,24). E me fe e shpresë, ne presim ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur.
Qoftë bekuar Zoti, shenjt, shenjt, shenjt. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.