2013-04-04 15:12:23

Papa: qytetarët janë të thirrur t’i shërbejnë së mirës së përbashkët


Botohet fjalimi i Papës Bergolio, që përmbledh mendimin e tij shoqëror.
“Secili nga ne duhet të rifitojë gjithnjë më konkretisht, identitetin e tij personal si qytetar, i orientuar në shërbim të së mirës së përbashkët. E nëse qytetari, i thirrur për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, merret për këtë qellim, me politikë, sipas magjisterit, kjo është formë e lartë e bamirësisë”. Janë disa fragmente të fjalimit të kardinalit Horhe Mario Bergolio mbajtur me rastin e dyqindvjetorit të kombit argjentinas, botuar dje nga “L’Osservatore Romano”. Teksti botohet në gjuhën italiane, me titull: “Ne si qytetarë, ne si popull. Drejt një dyqindvejtori me drejtësi e solidaritet, 2011-2016”, me një paraqitje nga ipeshkvi Mario Tozo. Fjalimi sheh dritën në Shtëpinë Botuese të Vatikanit.
Etimologjikisht, pohonte kardinali Bergolio, fjala qytetar vjen nga latinishtja ‘citatorium’. Qytetari është i thirruri për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, i thirruri për të marrë pjesë në shoqëri, për të mirën e saj të përbashkët. Qytetari nuk është subjekt i marrë veçmas, siç paraqitej nga liberalët klasikë, as grup i paqartë njerëzish, që me term filozofik njihet si ‘bashkim i grumbullimit”. Është fjala për njerëz të thirrur për të krijuar një bashkim, të prirur kah e mira e përbashkët, në një farë mënyre e sistemuar, që quhet ‘uniteti i rendit’. Qytetari hyn në një rend herë me harmoni, e herë, me dizarmoni, për shkak të krizave e të konflikteve, por gjithsesi, rend, i krijuar për të mirën e përbashkët.
E akoma: “Për të formuar bashkësinë, secili ka një munus, një detyrë, një impenjim, një mundësi për t’iu kushtuar të tjerëve. Këto kategori, që vijnë nga trashëgimia historiko-kulturore, kanë rënë në harresë, të errësuara përballë forcës shtytëse të individualizmit konsumistik, që di vetëm të kërkojë, të pyesë, të kritikojë, të moralizojë e, i përqendruar vetëm mbi vetveten, nuk bashkohet, nuk rrezikon, nuk vihet në lojë për të tjerët”.
Nuk mjafton t’i përkasësh një shoqërie, për të qenë qytetar, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale - pohonte kardinali Bergolio - ndonëse ky është një hap i rëndësishëm në rrugën për t’i përkitur një shoqërie. Personi shoqëror e fiton identitetin e tij të plotë si qytetar, kur i përket një populli. Ky është kyçi, sepse nuk ka identitet, pa përkatësi. Sfida e identitetit të njeriut si qytetar, është në përpjestim të drejtë me mënyrën si e jeton përkatësinë ndaj popullit të vet, nga i cili lind e në gji të të cilit jeton. Qytetari nuk është grumbulli, masa pa formë. Populli është qytetaria e impenjuar, reflektive, e vetëdijshme dhe e bashkuar, në shërbim të një objektivi ose të një plani të përbashkët.
Në këtë perspektivë, reflektimi mbi qytetarin, reflektimi ekzistencial dhe etik, lexojmë në fjalim, arrin kulmin në vokacionin politik, në thirrjen për të ndërtuar, së bashku me të tjerët, një popull-komb, përvojën e jetës së përbashkët rreth vlerave e parimeve, historisë, dokeve, gjuhës, fesë, ëndrrave të përbashkëta. Sfida për të qenë qytetar, përveçse e dhënë antropologjike, kuadrohet në horizontin e politikës. Flitet, reflektonte Papa i ardhshëm, për thirrjen dhe dinamizmin e mirësisë, që shtyn në drejtim të miqësisë shoqërore.
E nuk është fjala për një ide abstrakte mirësie, e cila formon një koncept të turbullt të etikës, një ‘eticizëm’, por për një ide, që zhvillohet në dinamizmin e së mirës, në vetë natyrën e njeriut, në sjelljet e tij. Janë dy gjëra të ndryshme. Ajo, që e bën njeriun qytetar, është radhitja në dinamizmin e mirësisë, parë në këndvështrimin e miqësisë shoqërore. Nuk është reflektimi mbi mirësinë, që krijon rrugë etike, të cilat, në fund të fundit, mund të çojnë në sjellje e prirje, që nuk e konkretizojnë gjithë aftësinë tonë për të mirën. Një gjë është mirësia, gjë tjetër, etika abstrakte. Mund të ekzistojë edhe një etikë pa mirësi. Inteligjenca pa talent e eticizmi pa mirësi janë tipike për ekzistencializmin mediokër.









All the contents on this site are copyrighted ©.