2013-04-04 15:11:22

Papa Françesku: nga mahnitja e takimit me Jezusin, lind paqja e vërtetë


Mahnitja nga takimi me Krishtin ishte në qendër të homelisë së shkurtër të Papës Françesku gjatë Meshës kryesuar, sot paradite, në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm në kremtim, punonjësit e Tipografisë së Vatikanit. Në përfundim të Meshës, Papa, siç e ka zakon, u gjunjëzua në një nga bankat në fund të Kapelës së vogël, për t’u lutur.

Leximet e së Enjtes së Tetëditëshit të Pashkëve flasin për mahnitje: mahnitjen e turmës për shërimin e sakatit nga Shën Pjetri, në emër të Krishtit e mahnitjen e dishepujve përballë dukjes së Krishtit të Ngjallur.

Mahnitja, shpjegoi Papa, është hir i madh, hiri që na jep Zoti në takimin me Jezu Krishtin. Diçka, që na bën të çmendemi nga gëzimi. Jo entuziazëm i thjeshtë, si ai tifozave kur fiton skuadra e tyre. Është ndjesi shumë më e thellë. Takohemi me Jezusin e gjallë e mendojmë se kjo nuk është e mundur. Po Zoti na ndihmon ta kuptojmë se është e mundur, është e vërtetë. Mrekullisht e bukur.
Ndoshta, vijoi Papa, është më e zakonshme përvoja e kundërt, ajo që ligështia njerëzore, sëmundjet mendore, ose djalli, na bëjnë të besojmë se fantazmat e fantazitë janë realitet: kjo nuk vjen nga Zoti. Nga Zoti buron një gëzim aq i madh, sa të duket i pabesueshëm. E ne mendojmë: “Jo, kjo nuk është e vërtetë”. Kjo vjen nga Zoti. Kjo mahnitje është fillesa e gjendjes së zakonshme të të krishterit.
Natyrisht, vërejti Papa, nuk mund të jetojmë gjithnjë në mrekullim. Jo, vërtet nuk është e mundur. Por është fillesa. Pastaj ky mrekullim lë gjurmë në shpirt e ngushëllim në zemër. Ngushëllimin e njeriut, që takoi Jezu Krishtin.
Pas mrekullimit, pra, vjen ngushëllimi shpirtëror e, në fund, ‘këmba e fundit e shkallës’, paqja. I krishteri gjithnjë, nënvizoi Papa Françesku, edhe në provat më të dhimbshme, nuk e humbet paqen në praninë e Jezusit, e me pak guxim, mund të lutet: “O Zot, ma jep këtë hir, që është gjurmë e takimit me ty: ngushëllimin shpirtëror e paqen!". Një paqe, që nuk mund të humbasë, sepse nuk është e jona, është e Zotit: paqja e vërtetë nuk shitet, as nuk blihet. Është dhanti e Zotit. Prandaj, përfundoi Papa, ta kërkojmë hirin e ngushëllimit shpirtëror e paqen e shpirtit, që nis me këtë mrekullim gëzimi në takimin me Jezu Krishtin. E ashtu qoftë.









All the contents on this site are copyrighted ©.