2013-04-04 11:54:04

Afërsia e Papës me Argjentinën e dëmtuar nga përmbytjet. Dhjetra, viktimat


Shqetësim e afërsi nga ana e Papës Françesku për Argjentinën, e cila këto ditë është dëmtuar rëndë nga përmbytjet. Viktimat numërohen me dhjetra, ndërsa të shpërngulurit, me mijëra. Është pikërisht zona e kryeqytetit Buenos Aires ajo, ku shirat e rrëmbyeshëm s’kanë të pushuar. Në një mesazh për tokën e tij amtare, drejtuar kryeipeshkvit, imzot Poli, e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, Ati i Shenjtë shpreh ngushëllimet e tij për të vdekurit dhe u jep Bekimin Apostolik gjithë të tjerëve, sidomos atyre, që po merren me shpëtimin e njerëzve. Papa Françesku fton gjithashtu, institucionet civile dhe kishtare, si edhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të çojnë ndihmat e nevojshme në ato zona, me shpirt bamirësie e solidariteti të krishterë. Nga Buenos Airesi, të dëgjojmë gazetaren Françeska Ambroxheti, e cila është bërë e njohur për publikun, pikërisht për miqësinë me Horhe Mario Bergolion e për librin-intervistë shkruar për të së bashku me Serxho Rubin:
Bilanc i rëndë viktimash për kohën e keqe, në provincën e Buenos Airesit: gati 60 të vdekur, një shifër e përkohshme, që mund të jetë më e lartë; dhjetra mijëra - të shpërngulurit, për shkak të dëmeve të pallogaritshme. Veçanërisht e rëndë gjendja në disa lagje të Buenos Airesit dhe në La Plata, qendra e rajonit, qytet ku ka lindur dhe është rritur edhe presidentja Kristina Kirshner, e cila shkoi vetë për të parë situatën në këto zona dhe shpalli tri ditë zie kombëtare për viktimat e kësaj tragjedie. Autoritetet janë të shqetësuara për ndryshimet e klimës dhe për stuhitë me shi të rrëmbyeshëm, që po përsëriten me një frekuencë gjithnjë e më alarmuese. Mesazhi i Papës mbërriti gjatë natës dhe u transmetua menjëherë nga të gjitha televizionet e radiot.








All the contents on this site are copyrighted ©.