Publikohet kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa në prill e maj
U bë i njohur kalendari i kremtimeve të kryesuara nga Papa Françesku për muajt prill
e maj. Të dielën e ardhshme, më 7 prill, do të kremtojë meshën, në orën 17.30,
në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, të cilën do ta marrë në dorëzim si Ipeshkëv
i Romës. Më 14 prill, të Dielën e tretë të Pashkëve, do të kryesojë meshën
në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, edhe aty, në orën 17.30. Më 21 prill,
në të Dielën e katërt të Pashkëve, do të kryesojë meshën për shugurimin meshtarak,
në orën 9.30, në Bazilikën e Vatikanit. Më 28 prill, në të Dielën e pestë
të Pashkëve, do të kremtojë një meshë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.00, gjatë
së cilës do t’u japë disa personave Sakramentin e Krezmimit. Të shtunën, më
4 maj, në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, Papa Françesku do të
udhëheqë lutjen e Rruzares Shenjte. Më 5 maj, e Diela e gjashtë e Pashkëve,
do të kremtojë një meshë për Vëllazëritë e krishtera, në Sheshin e Shën Pjetrit, në
orën 10.00. Më 12 maj, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Sheshin e
Shën Pjetrit, gjatë së cilës do të shpallen shenjtorë të Lumët Antonio Primaldi me
shokë, Laura e Shën Katerinës nga Siena dhe Maria Guadalupe Garsia Zavala. Të shtunën,
më 18 maj, po nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Papa do të kryesojë Lutjen
e Vigjiljes së Rrëshajëve, thënë së bashku me Lëvizjet e ndryshme kishtare. Së
fundi, më 19 maj, gjithnjë në praninë e Lëvizjeve kishtare në Sheshin e Shën
Pjetrit, Papa Bergolio do të kryesojë Meshën e së Dielës së Rrëshajëve, në orën 10.00.