2013-04-03 14:21:13

Mesha e Papës: ankimi i bën keq zemrës, t’i besojmë Jezusit, që është pranë nesh edhe në çastet më të errëta


Episodi i dishepujve të Emausit, që përshkruhet në Ungjillin e sotëm të së Mërkurës pas Pashkëve, ishte në qendër të homelisë së Papës Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, punonjësit e Domus Romana Sacerdotalis.
Në Ungjillin e sotëm, dy dishepujt e Emausit largohen nga Jeruzalemi, pas vdekjes së Mësuesit. “Kishin frikë – vërejti Papa – të gjithë dishepujt kishin frikë. Por përgjatë udhës flisnin për ngjarjet e sapo jetuara dhe ankoheshin”. Madje nuk pushonin, theksoi Ati i Shenjtë, e sa më shumë ankoheshin, aq më shumë mbylleshin në vetvete: nuk kishin përpara horizontin, por një mur. Gjithë shpresa e tyre ishte fashitur, tha Papa Françesku, duke përdorur pastaj një figurë letrare: “E kavërdisnin… e kavërdisnin jetën e tyre në lëngun e ankesave e kështu, ecnin duke u ankuar e duke u qarë, duke rënkuar e duke vajtuar sa s’ka”.
Edhe ne, tërhoqi vëmendjen Papa Bergolio, kur hasim vështirësi, kur na duhet të mbajmë Kryqin, ka rrezik të mbyllemi vetëm brenda rrethit të ankimeve. Edhe në këtë rast, Zoti është pranë nesh, vetëm se nuk e njohim, nuk e kuptojmë. Por Ai ecën bashkë me ne. Edhe Jezusi, vazhdoi Ati i Shenjtë, na flet e ne ndjejmë diçka të bukur brenda nesh, por kemi frikë: na jep më siguri “ankimi”, fakti që mendojmë se kemi dështuar e se nuk ka më shpresë.
Është bukur të shohësh si veproi Jezusi me dy dishepujt e Emausit: “më parë i dëgjon – tha Papa – pastaj u shpjegon ngadalë e ngadalë… E në fund, bëhet i dukshëm për ta. Siç bëri edhe me Marinë e Magdalës”. Kështu bën Jezusi edhe me ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, sidomos në çastet më të vështira, më të errëta. Ai është gjithmonë me ne, ecëm bashkë me ne. E në fund, bëhet i pranishëm.
Papa Françesku, i cili zakonisht zgjedh një fjalë-kyçe për të shtjelluar mendimin e tij, u përqendrua tek “ankimi”. Jo vetëm ankimet kundër të tjerëve janë të padobishme, theksoi, por edhe ato kundër vetvetes, pasi na venitin shpresën. “Të mos hyjmë në këtë lojë, të mos jetojmë me ankime – porositi Ati i Shenjtë – por nëse ka ndonjë gjë që s’shkon, të gjejmë strehë tek Zoti, t’ia besojmë problemet Atij”.
“Të mos hamë ankime – përsëriti Papa figurativisht – sepse ato na e shuajnë shpresën, na mbyllin horizontin e na rrethojnë si me mur. E nga ai rreth nuk mund të dilet. Por Zoti është i durueshëm dhe e di si të na nxjerrë nga situata”. Ashtu siç u ndodhi dishepujve të Emausit, që e njohën ndërsa thyente bukën. “Të kemi besim në Zotin – ftoi Papa Françesku – Ai na shoqëron gjithmonë, edhe në orët më të vështira. Të jemi të sigurtë se Zoti nuk na braktis… E të mos kërkojmë shpëtim në ankime, se na bëjnë keq. I bëjnë keq zemrës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.