2013-04-03 16:31:52

Jeruzalem: patriku Tual e fton Papën Françesku në Tokën e Shenjtë.


“Ungjillëzimi i ri, për të qenë i frytshëm, duhet të niset nga Jeruzalemi, nga bashkësia e parë e krishterë. Atëherë e përsëris ftesën drejtuar shtegtarëve të mbarë botës, duke filluar nga shtegtari më i dëshiruar e më i pritur, Papa Françesku, për të ardhur këtu”.
Është ftesa e patrikut latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, gjatë Meshës solemne, kryesuar pranë Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem, me rastin e kremtimeve të Pashkëve.
Zoti, shtoi, na fton ta çojmë dritën e fesë në zemër të trojeve të Lindjes së Mesme. E më pas u ndalua posaçërisht tek mundimet, që vijon të pësojë Kisha, duke kujtuar viktimat e luftës civile në Siri, të shpërngulurit sirianë e të krishterët e Tokës së Shenjtë, që vijojnë të tundohen për të ikur nga këto troje, prej nga nisi të përhapet së pari feja e krishterë. Është, prandaj, detyrë e bashkësisë ndërkombëtare, shpjegoi imzot Tual, të marrë masa konkrete për të gjetur një rrugëzgjidhje të ekuilibruar e të drejtë për çështjen palestineze, në zanafillë të të gjitha tensioneve në Lindjen e Mesme. Pak ditë më parë, barinjtë e Kishave të Jeruzalemit, ndërmjet të cilëve edhe imzot Tual, botuan një mesazh, drejtuar të gjithë besimtarëve të botës, duke i ftuar të marrin shkopin e shtegtarit e të nisen drejt Tokës së Shenjtë. Ishte kjo, zemra e kumtit të Pashkëve, që u nis nga Jeruzalemi, për t’u lidhur me Romën e me mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.