2013-04-02 13:23:40

Papa Wojtila e Shqipëria pas rënies së diktaturës komuniste


Tetë vjet më parë, ndërronte jetë i Lumi Gjon Pali II. Papa Wojtila që i dha Shqipërisë hierarkinë kishtare pas rënies së diktaturës komuniste.
Mbushen sot plot tetë vjet nga vdekja e të Lumit Papës Gjon Palit II, më 2 prill 2005. Këtë ditë të paharrueshme përfundoi një nga papnitë më të jashtëzakonshme në historinë e Kishës. I Lumit Karol Wojtila, do të mbahet mend si Papa i luftës kundër komunizmit deri në rënien e perdes së hekurt, që e ndante Evropën më dysh. E tija është shprehja “Mos kini frikë!”, moto e papnisë, që e shoqëroi në meditimet mbi argumente nga më të ndryshmet, në përpjekjen për të dhënë kontributin e Kishës Katolike në përmirësimin e botës. Shqiptarët nuk e kanë harruar vizitën e tij në Shkodër e në Tiranë, më 25 prill 1993, gjatë së cilës Karol Wojtila u dha katolikëve hierarkinë kishtare dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë i nxiti të shohin me guxim të ardhmen.
Sivjet, përvjetori i vdekjes së Gjon Palit II përkon me 20 vjetorin e vizitës historike në Shqipëri, e posa i kemi kremtuar Pashkët, prandaj po e kujtojmë duke u kthyer pas në prillin e vitit 1979, në Pashkët e para të kremtuara nga Papa Vojtila.
Kush është Krishti? Është 5 prilli i vitit 1979, kur Gjon Pali II u drejton këtë pyetje universitarëve romakë, të cilët marrin pjesë në Meshën për përgatitjen e Pashkëve. Papa i ardhur nga larg, është prej gjashtë muajsh timonieri i Barkës së Shën Pjetrit e, që prej një muaji, ka publikuar “Redemptor Hominis”. Enciklika e tij e parë, ku përvijohet programi i papnisë. Një program që mund të përmblidhet me një fjalë të vetme, në një Vetje: Krishti. Karol Vojtila u kujton të rinjve të Romës se Jezusi, Biri i Zotit, pranoi të vdesë si njerëzit, duke na mësuar si ta kuptojmë jetën:
“Na tregoi se jeta është kalim, jo vetëm i kufirit të vdekjes, por kalim në një jetë të re. Kështu, Kryqi për ne është bërë katedra më e lartë e së vërtetës së Zotit e të njeriut. Të gjithë duhet të jemi nxënës – “të vonuar ose jo” të kësaj katedre. Vetëm atëherë do ta kuptojmë se Kryqi është edhe djepi i njeriut të ri”.
Mbi atë Kryq e ngul vështrimin Papa polak, që vjen nga një tokë martire, më 13 prill në “Udhën e Kryqit” në Koloseum. Duke parë këtë Kryq, kryqin e fillimeve të Kishës, tha ai, duhet të ndjejmë e të shprehim solidaritetin e thellë me vëllezërit tanë në fe, të cilët janë objekt persekutimi e diskriminimi në epokën tonë:
“Duke parë Kryqin në Koloseum, t’i kërkojmë Krishtit që të mos u mungojë atyre – ashtu si personave, që dikur janë martirizuar në këtë vend – fuqia e Shpirtit Shenjt, për të cilën kanë nevojë”.
Sigurisht, pranon Gjon Pali II në Natën e Pashkëve të 1979-ës, fjala “vdekje” shqiptohet me një lëmsh në fyt. Ajo është gjithnjë diçka tronditëse. Por i krishteri e di se Krishti, përmes Kryqit, fitoi mbi vdekjen. E që gjatë natës mund të shohim dritën e agimit:
“Ja nata e Pritjes së Madhe. Presim me fe, presim me krejt qenien tonë njerëzore Atë, që në agim e bëri copë-copë tiraninë e vdekjes dhe zbuloi Fuqinë Hyjnore të Jetës: ai është Shpresa jonë”.
E pikërisht këtë Shpresë, Shpresën e vërtetë, Gjon Pali II ia shpall botës më 15 prill 1979 në Mesazhin Urbi et Orbi të Pashkëve:
“Sa shumë na flet kjo Ditë, na flet me krejt të vërtetën e zanafillës. Guri i këndit i krejt ndërtesës është vetë Jezu Krishti. Ky gur, i hedhur nga ndërtuesit, që Zoti e ka rrezatuar me dritën e ringjalljes, vendoset në themelin e fesë sonë, të shpresës e të dashurisë sonë”.
Në Ditën e të Ngjallurit, në Ditën e shpresës universale, Karol Vojtila i fton të gjithë të rizbulojnë thirrjen, që secili e merr me Pagëzimin. Një mision, nënvizon Papa, i gjallëruar nga gëzimi i Ringjalljes. E përfundon me thirrjen për shpresë, që jehon akoma sot, si atëherë. Dita e Pashkëve është fillimi i një kohe të re:
“Njeriu nuk mund ta humbë kurrë shpresën në fitoren e së mirës. Kjo ditë u bëftë sot për ne fillimi i shpresës së re”.
Siç përmendem, e paharrueshme, vizita e Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993. I paraqiti popullit shqiptar të sapodalë nga komunizmi, ipeshkvijtë e rinj, u përqafua me Nënë Terezën, njohu vuajtjet e Kishës katolike e martirizimin e bijve të saj e të të gjithë qytetarëve tjerë të pafajshëm, nxiti krijimin e një shoqërie të drejtë e demokratike. Po e kujtojmë me porosinë e tij për popullin shqiptar, thënë në Tiranë, në sheshin Skënderbe, pikërisht para vendit, ku më parë ngrihej shtatorja e diktatorit Enver Hoxha:
“Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë të mbjella farat e shpresës. Le të të shoqërojë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në rojë të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar.
Le t’i ndrisë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja për të huajin dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto, që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare.
Le ta ushqejë guximin tënd feja e besimtarëve të tu në një Zot të vetëm, të cilët së bashku me çdo njeri vullnetmirë do t’i përkushtohen shërbimit ndaj drejtësisë e paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.