2013-04-02 16:52:30

Papa Françesku: ashtu si Magdalena, kërkojmë hirin e lotëve për të parë Krishtin e Ngjallur


Sot në mëngjes, Papa Françesku kremtoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e disa anëtarëve të Xhandarmërisë së Vatikanit. Në homelinë e tij të shkurtër, komentoi Ungjillin e së Martës pas Pashkëve, i cili flet për takimin e Krishtit me Marinë Madalenë.
Skena është ajo, që tregon Ungjilli sipas Gjonit: Maria Magdalena derdh lot pranë varrit, sepse korpi i Mësuesit nuk është më. Ajo është gruaja mëkatare, vuri në dukje Papa, që i parfumoi këmbët e Jezusit dhe i fshiu me flokë, grua e shfrytëzuar dhe e përbuzur nga ata, që e dinin veten për të drejtë. Por për këtë grua, Jezusi thotë se “ka dashur shumë, prandaj i falen të gjitha mëkatet e saj të shumta”. Megjithatë, para varrit bosh, kjo grua e ndjen veten të humbur, nuk ka më shpresë. E për këtë, qan me lot për faqe e ndjen tisin e territ në shpirt. Megjithatë, tha Ati i Shenjtë, Maria Magdalenë nuk thotë: “Dështova, nuk është kjo rruga!”, thjesht, qan.
“Nganjëherë – shpjegoi Papa Françesku – syzet për të parë Jezusin janë lotët”. Kur e sheh, Maria Madalenë u kumton të gjithëve se “Pa Zotin”. E kishte njohur gjatë jetës dhe tani dëshmon për Të. Ky është shembulli, që duhet ndjekur në jetë, theksoi Ati i Shenjtë. “Të gjithë ne, gjatë jetës, e kemi ndjerë gëzimin, trishtimin, dhimbjen, por a kemi derdhur lot, në çastet më të vështira? A e njohim mirësinë e atyre lotëve, që i përgatisin sytë të shohin Hyjin?” Para Madalenës, që qan, nënvizoi Papa Bergolio, “mund t’i lutemi edhe ne Zotit për hirin e lotëve. Është hir i bukur… Të derdhim lot për gjithçka: për të mirën, për mëkatet, për hiret, edhe për gëzimet”. Lotët, vazhdoi Ati i Shenjtë, na përgatisin të shohim Jezusin. E Zoti, uroi Papa, na dhashtë hirin, që të themi me jetë: “Kam parë Zotin”, jo sepse m’u duk, por sepse “e pashë brenda zemrës”. Kjo është dëshmia e jetës, përfundoi Papa Françesku. Të mund të themi: “Jetoj kështu, sepse kam parë Zotin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.