Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Gjon Pali II për atë që bëri për ta. Me
rastin e 8 vjetorit të vdekjes së Papës Vojtila, duam të kujtojmë me nderim të veçantë
veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve
kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Karol Wojtila pat
thënë në shumë raste e rrethana. Së pari nga Otranto kur më 1980 Papa Gjon
Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve e të qytetarëve në Shqipërinë komuniste.
Ati i Shenjtë Gjon Pali II më 1980 nga Otranto e Italisë kujtoi persekutimin e egër
të komunizmit në Shqipëri. Pra më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë,
Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar
mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të
martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë
e Meshës Shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj,
Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund
të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë
nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij,
meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.“Përveç
tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët
në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”. Pastaj
gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në sheshin
Skënderbe të Tiranës, Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas
diktaturën komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të
solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës.
Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet
e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria
për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë
popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!. Gjatë
vizitës së tij në Shkodër më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes
së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i
drejtoi një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë
Wojtilla ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut,
Nënë Terezës. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një
person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës.
Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe
në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur,
kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën
emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është
nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë
ndjekës së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju
falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për
këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!
Papa Gjon Pali II në Tiranë
i drejton përshëndetjen kombit shqiptar në përfundim të vizitës së tij të 25 prill
1993.“Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me
një program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja
dhe të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe
ngrohtësinë e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes
dhe thellësisht i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në
miqësinë që më keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër
të madhe. Në çiltërsinë tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që
po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një
diktature e të një ateizmi mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër
e motra shqiptarë fort të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin
shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim.
Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat”!
Shenjtëria e Tij Gjon Palit
II e pat për zemrën fatin e kosovarëve. Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla
i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme
që tregonin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë,
opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë
ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën
e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. Ja edhe fjalët e Papës Wojtila për
paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës të dielën e Pashkëve
të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur në trojet kosovare zhvillohej lufta
shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima e sakrifica për popullin shqiptar të
atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht
për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike,
plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë
që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet të ikë larg. E uroj të mobilizohet
solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja.
E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave
të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë
shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje urgjente Autoriteteve të Republikës
Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar
mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës.
Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës
mbetet detyrë e përhershme”.