2013-04-02 17:08:02

Kryeparlamentarja Topalli nderon katër dëshmorët e demokracisë


Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, sot në qytetin e Shkodrës, e shoqëruar me drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetët e qarkut, të shoqatës antikomunist, etj, nderoi aktin heroik të katër dëshmorëve të demokracisë, Aben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, të cilët me 2 prill 1991, humben jetën gjatë demonstratës së zhvilluar në sheshin përpara ish- Komitetit të Partisë se Punes.
Në shenjë respekti për veprën e tyre, në prani edhe të familjarëve të katër dëshmorëve, si dhe të shumë qytetarëve shkodranë, pranë memorialit kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë u bënë homazhe dhe u vendosen kurora me lule.
"Në Shkodër, të gjithë bashkë, siç e shikoni, unë jam e rrethuar nga familjarët e katër dëshmorëve të 2 prillit. Ne kujtojmë atë ditë të veçantë, kur Shkodra u ngrit dhe me një besim dhe shpresë të pabesueshme, duke menduar dhe realizuar hapjen e një epoke të re, një epoke të lire dhe të një epoke ku secili mund të bënte atë që do të dëshironte", tha zonja Topalli në prononcim për mediat.
"Me nderimin më të madh për katër djem të rinj, për katër shkodranë të dashur e të nderuar që sakrifikuan jetën e tyre ne jemi sot këtu, jemi një vend anëtar i NATO-s, ku të rinjtë lëvizin të lirë pa viza. Vendi ynë është një ndër vendet me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, ne kemi kapërcyer krizën, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera që na rrethojnë dhe do të ecim, përpara me besim të plotë. Unë jam shumë optimiste që edhe me 23 qershor, shkodranët dhe jo vetëm shkodranët, shqiptarët, do të dinë të zgjedhin atë që është më e mira për vendin e tyre. Sot Shqipëria është më e mirë, ne e dimë që ka shumë probleme të tjera për të zgjidhur, kemi bërë shumë punë, por shumë të tjera na presin përpara ", tha Topalli.
E pyetur nga media për një mundësi të largimit te LSI-se nga koalicioni, zonja Topalli u shprehë: "Kjo nuk është një pyetje për mua, por unë mendoj se çdo forcë politike është e lirë për të bërë zgjedhjet e veta. Unë jam shumë optimiste për të ardhmen si kryetare e Parlamentit dhe garantoj se Kushtetuta do të zbatohet pikë për pikë. Kushtetutën, për fatin tonë, Edi Rama na e ka bërë të fortë dhe ne do të vazhdojmë të qeverisim për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit.". (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.