2013-04-02 14:58:24

Kardinali Bergolio kujton të Lumin Gjon Palin II: ai nuk pati frikë, sepse kishte Zotin!


Më 2 prillin e tetë vjetëve më parë, me 2 prill 2005, kthehej në Shtëpinë e Atit Qiellor, i Lumi Gjon Pali II. Papa Vojtila e njihte mirë Papën aktual, Horhe Mario Bergolio, të cilin e pati emëruar ipeshkëv në vitin 1992 dhe e pati krijuar kardinal në vitin 2001. Në dy homeli, kryeipeshkvi i atëhershëm i Buenos Airesit, e vlerëson lart papninë e Gjon Palit II.
Nuk pati frikë, “sepse jetoi duke kundruar Zotin e Ringjallur”: kështu thoshte kardinali Bergolio më 1 maj 2011, në katedralen e kryeqytetit argjentinas. Atë ditë, në Romë, Papa Vojtila shpallej i Lum nga Kisha Katolike, e cila festonte kudo, edhe në Argjentinë. Gjon Pali II – theksonte në atë rast Papa i ardhshëm Françesku – nuk pati frikë, prandaj “shembi diktaturat”. “Guximi, vendosmëria, që na jep Ringjallja e Krishtit – pohoi atëherë – qetësia shpirtërore, që vjen nga falja përmes mëshirës e dashurisë së Hyjit, na e zhdukin frikën”. Kardinali Bergolio e përfundonte homelinë duke u kërkuar besimtarëve të ndjenin në zemra fjalët e Jezusit, bërë të vetat nga i Lumi Gjon Pali II: “Mos kini frikë”.
Gjashtë vjet më parë, më 4 prill 2005, kryeipeshkvi i Buenos Airesit kremtonte një meshë në kujtim të Papës Vojtila, vetëm dy ditë pas vdekjes së tij. Gjon Pali II, thoshte në atë rast, ishte dëshmitar koherent i Hyjit, në bashkim me popullin e vet, ashtu siç është i bashkuar njeriu i Zotit. Ishte koherenca e atij, që çdo mëngjes, kalonte orë e orë në adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament, prandaj mbruhej me forcën e Atit të Gjithpushtetshëm. Koherenca, nënvizonte Papa aktual Françesku, “nuk blihet, nuk studiohet”. Koherenca “kultivohet në zemër përmes adhurimit”. Në një kohë, kur kemi nevojë për dëshmitarë, më shumë se për mësues, përfundonte Horhe Mario Bergolio, Gjon Pali II jetoi deri në fund, duke qenë pikërisht “Dëshmitar besnik” i Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.