Tetëditëshja e Pashkëve: një udhëtim drejt Rrëshajëve
Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditëshja
e Pashkëve”, sepse krijojnë idenë e një dite të vetme. Po cila është domethënia e
Tetëditshes së Pashkëve? Përgjigje: - Pashkët janë kulmi i Liturgjisë së
krishterë e i jetës së krishterë, sepse pikërisht për Pashkë Krishti vdiq e u ngjall
për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt. Ja pse ky mister kryesor i mbush plot
zemrat, fenë e vetë liturgjinë. E ja pse në histori u ndje nevoja për ta zgjeruar,
në një farë mënyre, begatinë e emocioneve të kësaj dite që është dita e ditëve e që
kujtohet çdo të diel në mister, përmes kremtimit të një Tetëditsheje, që quhet Tetëditëshja
e Pashkëve. Janë tetë ditë që konsiderohen si një ditë e vetme, dita e të Ngjallurit,
drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë më thellë, pikërisht duke e kundruar e
duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi me të Ngjallurin, që e ndryshon rrënjësisht
jetën tonë. Pra mund të themi se kjo është javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim
zemrat për të vërshuar ndër to, bukuria e Krishtit të ngjallur. Pyetje:
- Pse dita e parë pas Pashkëve quhet‘e Hëna e Engjëllit’? Përgjigje:
- Kjo e hënë quhet tradicionalisht e Hëna e Engjëllit, për të nënvizuar një element
të ngjarjes së madhe të Pashkëve e pikërisht çastin kur Maria Magdalena shkon në kopsht,
dëgjon dikë që e thërret e kujton se është kopshtari. Në të vërtetë në këtë figurë
gjejmë diçka shumë të bukur, idenë e kopshtit të parë në botë, kopshtit të Parajsës
Tokësore, që rikrijohet e përtëritet nga Ai që u ngjall. Engjëjt kanë një rol të rëndësishëm
në ngjarjen e madhe të Pashkëve. Ata u kumtojnë grave që shkojnë te varri, se Krishti
nuk është më aty. Janë, pra, dëshmitarë që përhapin gëzimin e lajmit të bukur e përvojën
e zemrës së re që Krishti ka ardhur të na dhurojë me vdekjen e ngjalljen e Tij. Pyetje:
- Ç’do të thotë të jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme? Përgjigje:
- Jeta e krishterë është jetë që buron nga Pashkët, nga Krishti i Gjallë e kjo
do të thotë që bashkon në mënyrë të pandashme vdekjen e ringjalljen, dhimbjen e gëzimin,
errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet të bëjë gjithnjë i krishteri, duke
kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht
do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë që të mos mund të shkëputet nga përvoja
e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi të na shpëtojë nga mëkati, Krishti erdhi
t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë
vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë
e Pashkëve të mbramë e përfundimtare të Jeruzalemit qiellor. Në një farë mënyre stili
i Pashkëve të jetës është të jetosh çdo ditë me zemrën e festës.
Pyetje:
- Siç dihet, menjëherë pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë.
Si duhet jetuar këtë kohë kishtare e shpirtërore? Përgjigje: - Koha
e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës.
Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën
që po lindte, nga Jerusalemi e në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet
të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri
me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e
sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate
të mrekullueshme që na ofron Krishti Gjallë, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë
e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë
sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit,
fuqinë e Dritës së Ngjalljes së Tij.