E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit të Gjallë përuron një jetë
plotësisht të re
Kremtimi i Pashkëve, pra kremtimi i Krishtit të Gjallë liturgjikisht zgjatet gjithë
javën, kësaj jave, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë
edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur
kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit të Ngjallurit të Krishtut.
Po si kremtohet sot e Hëna e Engjëllit? Përgjigje: - Sot e Hëna e Engjëllit
është bërë më tepër festë profane, ka marrë formën e një shetitjeje jashta qytetit
e cila, për ata që i kanë kremtuar si duhet Pashkët, është gjë e bukur, është vijim
i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë Pashkësh,
kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim, sepse do
të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet ç’ përkujton. Ndërsa për të krishterët
edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga ana liturgjike,
vijon kumtimi i Ngjalljes, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili u duket grave, e
prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Java që vjen pas Pashkëve quhet in
Albis, sepse të posapagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha – e in albis do të
thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasme. Pyetje: - Që sot
ne kemi para kohën e Pashkëve, që shkon deri në festën e Rrëshajëve. Si duhet të përgatitemi
për këtë solemnitet të madh, për ta pritur denjësisht Shpirtin Shenjt? Përgjigje:
- Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë
e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa
e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është
kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin
duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti
Krijues!, Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë.
Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë.
Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë
si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime. Pyetje:
- Po ç’është, ose më mirë të themi, kush është Shpirti Shenjt? Përgjigje: -
Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë
me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Perendisë,
një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë
e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, që është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq
drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e Shpirtit të Zotit. Bibla flet për
Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme,
ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet
pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar
ndërmjet Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja
ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria.
E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën
për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull,
që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër
nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit e e pajis
njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera
të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta
kështu jeta do të ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterë.