2013-03-31 14:52:21

Papa Françesku: paqe për mbarë botën; të shndërrohemi nga dashuria e Krishtit.


“Ta lëshojmë veten në dorë të Zotit, që të na shndërrojë me mëshirën e tij”. Në Pashkët e para si ipeshkëv i Romës, Papa Françesku i nxiti të gjithë t’ia hapin zemrat dashurisë së Krishtit të Ngjallur. Ati i Shenjtë kremtoi Meshën e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit, të mbushur plot me besimtarë. Më se 250 mijë, besimtarët e shtegtarët, që e ndoqën jo vetëm nga Sheshi, por edhe nga Rruga e Pajtimit, edhe ajo përplot me njerëz në festë.
Pas kremtimit, Papa Françesku doli në Lozhën Qendrore të Bazilikës së Vatikanit për Mesazhin e Pashkëve “Urbi et Orbi” – “Romës e Botës”. “Paqe për mbarë botën!”, u lut Ati i Shenjtë, duke uruar që Zoti t’i lulëzojë shkretëtirat, që thajnë zemrat tona.

“Krishti u ngjall”. Në Sheshin e Shën Pjetrit jehoi kumtimi i gëzuar, që ndryshoi historinë. Papa Françesku kremtoi Meshën e parë të Pashkëve. Këngët, kumbimi i këmbanave e zbukurimi mahnitës i tremes së Bazilikës, flisnin vetë për gëzimin e kësaj dite. E deri dielli i çau retë, që dyndeshin mbi Katedralen e Popujve nën qiell të hapur e lëshoi rrezet mbi Sheshin, ku lulëzonin njerëz e lule. Prekëse, heshtja e thellë e besimtarëve, në lutje, pas Ungjillit. Rijetohej lutja e heshtur, që ipeshkvi i Romës i pati kërkuar popullit të Zotit mbrëmjen e zgjedhjes së tij në katedrën e Shën Pjetrit. Kanë kaluar më pak se tri javë, nga 13 marsi. Papa Françesku, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, u duk përsëri në Lozhën Qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit për Bekimin ‘Urbi et Orbi’ dhe mesazhin e Pashkëve. Ati i Shenjtë u foli zemrave të njerëzve. E është pikërisht zemra, caku i vërtetë i lajmit të Ngjalljes së Krishtit:
“... sepse aty dëshiron Zoti ta mbjellë këtë Lajm të Mirë: Jezusi u ngjall; ka shpresë edhe për ty, nuk je më nën zgjedhën e mëkatit, të së keqes! Fitoi dashuria, fitoi mëshira! Mëshira e Zotit fiton gjithmonë!”.
Papa uroi që lajmi i Ngjalljes së Krishtit të hyjë në çdo shtëpi, në çdo familje, posaçërisht atje, ku ka më shumë vuajtje, në spitale, në burgje… Por, ç’do të thotë sot kumti Jezusi u ngjall? Do të thotë se dashuria e Zotit është më e fortë se e keqja e edhe se vetë vdekja; do të thotë se dashuria e Zotit mund ta shndërrojë jetën tonë, mund t’i kthejë në lulishte, shkretëtirat e zemrës sonë:
“Sa shkretëtira duhet të përshkojë njeriu, edhe sot e kësaj dite. Posaçërisht, shkretëtirën që ka në shpirt, kur mungon dashuria për Zotin e për të afërmin e kujdesi i vetëdijshëm për dhuratat, që Krijuesi na i dha e vijon të na i japë. Po mëshira e Zotit mund ta bëjë të lulëzojë edhe tokën më shterpë, mund t’u japë jetë edhe eshtrave të thata”.
Ja, pra ç’do të thotë Pashkë, nënvizoi Papa: Pashkët janë dalje, kalim i njeriut nga skllavëria e mëkatit, e së keqes, në lirinë e dashurisë, të së mirës. Sepse Zoti është jetë, vetëm jetë, e lavdia e tij është njeriu i gjallë. Atëhere, ja edhe ftesa drejtuar të gjithëve:
“Ta lëmë veten në dorë të mëshirës hyjnore, që të na bëjë njerëz të rinj; të lëshohemi në krahët e dashurisë së Jezusit, që pushteti i dashurisë së Tij ta shndërrojë krejt jetën tonë; e të bëhemi mjete të kësaj mëshire, kanale, përmes të cilave Zoti mund ta vadisë tokën, të ruajë krijimin e t’i bëjë të lulëzojnë drejtësinë e paqen”.
Papa Françesku iu lut Krishtit të ngjallur ta shndërrojë vdekjen në jetë, urrejtjen në dashuri, hakmarrjen në falje, luftën në paqe. Paqe për mbarë botën:
“Paqe për Lindjen e Mesme, posaçërisht ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, të cilët mundohen të gjejnë rrugën e harmonisë, që të rifillojnë me guxim e gatishmëri bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit të zgjatur tashmë prej shumë kohe”.
Paqe për Irakun, që të pushojë çdo dhunë, e, posaçërisht, për Sirinë e dashur, për popullsinë e saj të plagosur nga konflikti e për të shpërngulurit e shumtë, që presin ndihmë e ngushëllim:
“Sa gjak u derdh! E sa vuajtje duhen duruar akoma, para se të gjindet rruga, që çon në përfundimin e krizës?”.
Paqe për Afrikën që vijon të gjakoset nga konfliktet. Papa Françesku kujtoi Malin; e Nigerinë, ku për fat të keq nuk po marrin fund atentatet, që kërcënojnë rëndë jetën e shumë të pafajshëmve e ku jo pak njerëz, edhe fëmijë, mbahen peng nga grupet terroriste. E akoma, paqe për ish-Republikën Demokratike të Kongos e për Republikën Qendroafrikane, ku, tha me dhimbje të thellë, shumë njerëz detyrohen të lënë vatrat e tyre e të jetojnë të pushtuar nga frika.
Papa kujtoi, më pas, Azinë, konfliktin në Gadishllin korean e u lut që të kapërcehen mosmarrëveshjet e të fitojë fryma e pajtimit:
“Paqe në mbarë botën, ende e përçarë nga babëzia e njerëzve, gjithnjë në kërkim të fitimit të lehtë, e plagosur nga egoizmi, kërcënim për jetën njerëzore e familjen, egoizëm që vijon tregtinë e njerëzve, skllavërinë më të përhapur të shekullit të 21-të. Paqe në mbarë botën, që brehet nga dhuna e lidhur me trafikun e drogës e nga shfrytëzimi i padrejtë i burimeve natyrore! Paqe mbi Tokën tonë!”.
Papa përsëriti edhe një herë urimin ‘Gëzuar Pashkët’, duke kërkuar t’u çohet gëzimi i Krishtit të ngjallur të gjithëve, posaçërisht më nevojtarëve:
“Gëzuar Pashkët; ju përsëris të gjithëve me dashuri: Krishti i ngjallur ju priftë ju e mbarë njerëzimit në shtigjet e drejtësisë, të dashurisë e të paqes”.
Para Bekimit ‘Urbi et Orbi’, Papa Françesku përshkoi, mbi xhip, disa herë Sheshin e Shën Pjetrit, për të përshëndetur sa më shumë besimtarë, për të shtrënguar sa më shumë duar. Shumë fëmijë patën fatin të marrin, si dhuratë feste e si bekim, puthjen e Papës Françesku. Edhe ky është gëzim, që e sjell Krishti i Ngjallur!








All the contents on this site are copyrighted ©.