2013-03-31 13:11:35

Mesazhi Urbi et Orbi: Romës e Botës (tekst i plotë)


Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës, gëzuar Pashkët!

Sa gëzim i madh për mua, që mund t’ju jap këtë lajm: Krishti u ngjall! Do të dëshiroja të hynte në çdo shtëpi, në çdo familje, posaçërisht atje, ku ka më shumë vuajtje, në spitale, në burgje…
Sidomos, do të doja të hynte në të gjitha zemrat, sepse aty dëshiron Zoti ta mbjellë këtë Lajm të Mirë: Jezusi u ngjall; ka shpresë edhe për ty, nuk je më nën zgjedhën e mëkatit, të së keqes! Fitoi dashuria, fitoi mëshira! Mëshira e Zotit fiton gjithmonë!

Edhe ne, si gratë dishepulle të Jezusit, që shkuan te varri dhe e gjetën bosh, mund të pyesim ç’kuptim ka kjo ngjarje (cfr Lk 24,4). Ç’do të thotë Jezusi u ngjall? Do të thotë se dashuria e Zotit është më e fortë se e keqja e edhe se vetë vdekja; do të thotë se dashuria e Zotit mund ta shndërrojë jetën tonë, mund t’i kthejë në lulishte, shkretëtirat e zemrës sonë.

Po ajo dashuri, për të cilën Biri i Hyjit u bë njeri e eci deri në fund të fundit në rrugën e përvujtërisë e të dhurimit të vetvetes, deri në nëntokë, deri në greminën e ndarjes nga Hyji, po ajo dashuri përdëllyese e veshi me dritë korpin e vdekur të Jezusit dhe e shndërroi, e bëri të kalojë në jetën e pasosur. Jezusi nuk u rikthye në jetën e mëparshme, në jetën tokësore, por hyri në jetën e lumnueshme të Hyjit, e hyri me natyrën tonë njerëzore, na hapi ardhmërinë e shpresës.

Ja pra, ç’do të thotë Pashkë: Pashkët janë dalje, kalim i njeriut nga skllavëria e mëkatit, e së keqes, në lirinë e dashurisë, të së mirës. Sepse Zoti është jetë, vetëm jetë, e lavdia e tij është njeriu i gjallë (cfr Ireneo, Adversus haereses, 4,20,5-7).

Të dashur vëllezër e motra, Krishti vdiq e u ngjall një herë e përgjithmonë e për të gjithë, por forca e Ngjalljes, ky kalim nga skllavëria e së keqes, në lirinë e së mirës, duhet realizuar në çdo kohë, në hapësirat konkrete të jetës sonë, në jetën tonë të përditshme. Sa shkretëtira duhet të përshkojë njeriu, edhe sot e kësaj dite. Posaçërisht, shkretëtirën që ka në shpirt, kur mungon dashuria për Zotin e për të afërmin e kujdesi i vetëdijshëm për dhuratat, që Krijuesi na i dha e vijon të na i japë. Po mëshira e Zotit mund ta bëjë të lulëzojë edhe tokën më shterpë, mund t’u japë jetë edhe eshtrave të thata (cfr Ez 37,1-14).

Atëhere, ja edhe ftesa drejtuar të gjithëve: ta pranojmë hirin e Ngjalljes së Krishtit! Ta lëmë veten në dorë të mëshirës hyjnore, që të na bëjë njerëz të rinj; të lëshohemi në krahët e dashurisë së Jezusit, që pushteti i dashurisë së Tij ta shndërrojë krejt jetën tonë; e të bëhemi mjete të kësaj mëshire, kanale, përmes të cilave Zoti mund ta vadisë tokën, të ruajë krijimin e t’i bëjë të lulëzojnë drejtësinë e paqen.

E kështu t’i lutemi Krishtit të ngjallur, që e shndërron vdekjen në jetë, ta shndërrojë urrejtjen në dashuri, hakmarrjen në falje, luftën në paqe. Po, Krishti është paqja jonë e, përmes tij, lutemi për paqe në mbarë botën.

Paqe për Lindjen e Mesme, posaçërisht ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, të cilët mundohen të gjejnë rrugën e harmonisë, që të rifillojnë me guxim e gatishmëri bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit të zgjatur tashmë prej shumë kohe. Paqe në Irak, që të pushojë çdo dhunë, e, posaçërisht, për Sirinë e dashur, për popullsinë e saj të plagosur nga konflikti e për të shpërngulurit e shumtë, që presin ndihmë e ngushëllim. Sa gjak u derdh! E sa vuajtje duhen duruar akoma, para se të gjindet rruga, që çon në përfundimin e krizës?

Paqe në Afrikë, ende teatër konfliktesh të përgjakshme. Në Mali, që të ketë bashkim e stabilitet; e në Nigeri, ku për fat të keq nuk po marrin fund atentatet, që kërcënojnë rëndë jetën e shumë të pafajshëmve e ku jo pak njerëz, edhe fëmijë, mbahen peng nga grupet terroriste. Paqe në ish-Republikën Demokratike të Kongos e në Republikën Qendroafrikane, ku shumë njerëz detyrohen të lënë vatrat e tyre e të jetojnë të pushtuar nga frika.

Paqe në Azi, posaçërisht në Gadishullin korean, që të kapërcehen mosmarrëveshjet e të fitojë fryma e pajtimit.

Paqe në mbarë botën, ende e përçarë nga babëzia e njerëzve, gjithnjë në kërkim të fitimit të lehtë, e plagosur nga egoizmi, kërcënim për jetën njerëzore e familjen, egoizëm që vijon tregtinë e njerëzve, skllavërinë më të përhapur të shekullit të 21-të.
Paqe në mbarë botën, që brehet nga dhuna e lidhur me trafikun e drogës e nga shfrytëzimi i padrejtë i burimeve natyrore! Paqe mbi Tokën tonë! Krishti i ngjallur i ngushëlloftë të gjithë ata, që janë viktima të fatkeqësive natyrore e na bëftë kujdestarë plot përgjegjësi të gjithësisë.

Të dashur vëllezër e motra, ju të gjithëve, që më dëgjoni nga Roma e nga të katër anët e botës, ju drejtoj ftesën e Psalmit: “Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë/ sepse e amshuar është dashuria e Tij/ Le të thotë Izraeli:/ E amshuar është dashuria e Tij”(Ps. 117,1-2).

Të dashur vëllezër e motra, ardhur nga të katër anët e botës në këtë shesh, zemër e krishterimit, e ju të gjithë, që jeni lidhur përmes mjeteve të komunikimit: e përsëris urimin tim: Gëzuar Pashkët! Çojeni në familjet tuaja e në vendet tuaja mesazhin e gëzimit, të shpresës, të paqes, që çdo vit, në këtë ditë, përsëritet me forcë: Zoti i ngjallur, fitimtar mbi mëkatin e mbi vdekjen, i ndihmoftë të gjithë, sidomos më të ligështit e më nevojtarët.
Ju falënderoj për praninë tuaj e për dëshminë e fesë suaj.
Një mendim e një falënderim i posaçëm për dhuratën e luleve të bukura, ardhur nga Vendet e Ulëta. Ju përsëris të gjithëve me dashuri: Krishti i ngjallur i priftë mbarë njerëzimit në shtigjet e drejtësisë, të dashurisë e të paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.