2013-03-30 15:27:56

Simboli i Dritës së Pashkëve në liturgjinë e Natës së Ngjalljes


Duke u Ngjallur, Jezusi i tërheq të gjithë në dritën e Tij dhe fiton mbi çdo formë të errësirës, kështu pohon liturgjia e kësaj Nate të Shenjtë të Pashkëve. Liturgjia e Fjalës Hyjnore, përshkon mrekullitë e krijimit, sipas Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re të Biblës, duke na krijuar kontrastin e fuqishëm, të përjetshëm, ndërmjet dritës e errësirës, e duke shpjeguar edhe ç’do të thotë ‘dritë’ e ç’do të thotë ‘errësirë’. Prej këndej, shpjegohet edhe kuptimi i fjalëve “dritë” e “ndriçim”.
Kështu, në këtë Natë tejet të Shenjtë të pa gjumë të Pashkëve, Natë e krijimit të ri, Kisha e paraqet misterin e dritës me një simbol shumë të veçantë e krejt të përvuajtur: me një Qiri Pashke. Është Drita, që jeton në sajë të flijimit. Qiriu ndriçon, duke shkrirë vetveten. Jep dritë, duke dhuruar vetveten. Deri në fund të fundit! Bëhet, kështu, simbol mahnitës i misterit të Pashkës së Krishtit, i cili, duke dhuruar vetveten, na jep dritën e madhe e të përjetshme Hyjnore.
Qiriu i Pashkës na kujton edhe se drita e tij është zjarr. Zjarri është forcë që i jep trajtë botës; fuqi që shndërron. E, të mos harrojmë se, pa zjarr, nuk ka ngrohje. Edhe këtu bëhet i dukshëm misteri i Krishtit. Jezu Krishti, Dritë, Zjarr, Flakë që djeg të keqen, duke e shndërruar, kështu, botën, e të gjithë neve. “Kush është pranë meje, është pranë zjarrit”, tingëllon fuqishëm në Natën e pagjumë të Pashkëve, kjo fjalë e Jezusit, që vjen mes nesh përmes veprës së Origjenit. E ky zjarr është njëherësh edhe ngrohtësi; nuk është dritë e akullt, por dritë në të cilën shkrihen në një ngrohtësia e mirësia e Zotit.
Himni i madh i ‘Exultet’, që diakoni e këndon në krye të Liturgjisë së Pashkës, na kujton një aspekt tjetër. Na sjell në mendje se Qiriu, në radhë të parë, është fryt i punës së bletëve. Kështu përfshin simbolikisht mbarë krijimin. Në Qiriun e Pashkës, krijimi bëhet mbartës i dritës.
Por sipas mendimit të Etërve të Kishës, bëhet edhe simbol i vetë Kishës. Bashkëpunimi në bashkësinë e gjallë të besimtarëve në Kishë, është gati-gati si bashkëpunim i bletëve rreth zgjoit. Ndërton bashkësinë e dritës. E tek Qiriu, që ndriçon Natën e pagjumë të Pashkës ne mund të shikojmë edhe vetveten, pjesëmarrjen tonë në bashkësinë e Kishës, që dëshiron ta ndriçojë mbarë botën me dritën e Krishtit.
Ta lusim, prandaj Zotin, në këtë orë të pagjumë, të na mbushë plot me gëzimin e Dritës së Tij! E ta lusim që edhe ne të bëhemi mbartës të dritës së Krishtit të Ngjallur; e që përmes Kishës, shkëlqimi i fytyrës së Krishtit, të hyjë në jetën e botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.