Ngjallja e Krishtit: është për ty kjo festë Eja vëlla, është për
ty kjo festë, ky agim shprese e gëzimi.
Tepër gjatë ke ecur nëpër natë. Sytë
nuk e durojnë më këtë errësirë të dendur, këtë terr të frikshëm që mbulon çdo
gjë. Eja, kemi bërë gati një zjarr, eja, kemi ndezur një dritë. Tani e tutje
edhe ti e di se në Krishtin Jezus të gjithë mund të fitojmë mbi ankthin e natës e
të gjejmë dritën për të shkuar përpara.
Eja, vëlla, për ty është kjo festë, ky
agim ku kujtimi bëhet realitet.
Tepër gjatë ke ecur në heshtje, si dikush
që ka humbur kujtesën, e nuk di nga vjen e ku shkon. Je takuar me rreziqe e
pengesa në vetminë tënde pa mbrojtje. Pa një fjalë ngushëllimi, pa një fjalë
besimi, pa një fjallë vëllazërore. Eja, e kemi hapur Librin, eja, duam të
dëgjojmë një Fjalë jete. Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus mund
të lidhim të gjithë aleancë në amshim me Zotin e me njerëzit.
Eja, o vëlla,
kjo festë është për ty, ky agim që na bën të lindim në një jetë të re.
Tepër
gjatë ke ecur në shkretëtirë, duke e lënë pluhurin të ngjitet në lëkurë e në
rroba, në zemër e në sy e ta thajë e ta bëjë eshkë grykën. Eja, këtu është uji
i gjallë që gurgullon gjithnjë për ty, uji i pagëzimit. Tani e tutje edhe ti
e di se në Krishtin Jezus mund të ringjallemi për një jetë të re, si bij të
Zotit.
Eja, vëlla, është për ty kjo festë, kjo tryezë e shtruar, kjo darkë
ofruar për të gjithë.
Tepër gjatë ke ecur pa bukë e pa ujë. Të kanë lënë
forcat, energjitë janë shuar. Tani e tutje edhe ti e di se Krishti Jezus është
Buka e Vera e jonë, Korp i thyer, Gjak i derdhur për jetën e botës.