2013-03-30 16:39:50

Meditim për Pashkët: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?”


Nga Ungjilli sipas Lukës: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur?” Një varr bosh. Kjo është shenja. Pashkët janë plot me engjëj e me lot, me pikëpyetje në shpirt e me vizione që ngushëllojnë. Por shenja e parë është varri bosh.
Në historinë e njeriut mungon një trup, që të dalë llogaria e të vrarëve. Është mangut një korp në llogaritë e vdekjes, e cila del me humbje: fitimtarja e përhershme mundet. Ringjallja e Krishtit e larton planetin tonë plot me varre drejt një bote të re, ku xhelati nuk e torturon viktimën e vet për amshim; ku perandoritë e themeluara mbi dhunën shemben; ku nga plagët e jetës lind dritë e bamirësi, që çelin nga pranvera e Zotit, dashurues i jetës.
Në agimin e ditës së parë pas së shtunës, në ato dritëza mëngjesore që mezi shihen, pikërisht atëherë, para se të duket i Ringjalluri, lind feja. Akoma është terr, por gratë shkojnë tek varri. Shkojnë të kujdesen për trupin e Jezusit. Me erërat e mira që kanë me vete, ashtu si dinë të bëjnë vetëm gratë.
E tregimi ungjillor flet krejt thjesht: “Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit”. Duhen pastaj, dy engjëj për ta vënë sërish në lëvizje rrotën e përshkrimit, duke kumtuar se e pamundura ishte bërë e mundur: “Ai s’është këtu! U ngjall!” Por fjalët e engjëjve nuk mjaftojnë, nuk shërbejnë; tjetër gjë është shenja, që do t’i bëjë të besojnë: “Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë…: ‘Duhet - thoshte ai - që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’” E grave, vetëm atëherë, u ranë ndërmend fjalët e Jezusit.
Gratë besojnë, sepse u kujtohet. Besojnë përmes fjalës së Jezusit, jo përmes fjalës së engjëjve. Nuk janë engjëjt, që i bëjnë të besojnë, por ajo fjalë e ruajtur në shpirt e që përflaket në zemër për hir të forcës që merr, kur bëhet e pranishme në kujtesë. E i kthen gratë në apostulle të apostujve. I mbajnë mend ato fjalë, sepse i duan: tek njeriu jeton vetëm ç’ka për zemër. Mendja ushqehet vetëm me gjërat që gëzojnë (sh. Augustini).
Ashtu si për gratë në agimin e Pashkëve, edhe për ne, kujtimi i dashur i fjalës së Tij është fillimi i çdo takimi me Krishtin.
Pjetri e Gjoni vrapojnë drejt varrit. Vetëm për Gjonin thuhet se pa e besoi. E çfarë pa? Fasha e qefin bosh, një trup që mungon. Beson se Jezusi është gjallë, që para se ta shihte. Pse? Sepse Gjoni është “dishepulli që Jezusi e donte”. Është objekt dashurie, e lë veten ta duan e kjo dashuri pasive është përvoja, që i zbulon sekretin jetësor të Krishtit.
E kthehet kah Zoti si një luledjelli e çmendur nga drita. Ai, dishepulli kaq i dashur, beson i pari në ringjalljen; ai e quan Hyjin me emrin më të mrekullueshëm: “Zoti është dashuri”. Ta lesh veten në dorën e Hyjit, që Zoti të të dojë, është diçka plot me zbulesë hyjnore.
Atëherë, më duaj, o Zot. Sikur të isha Gjoni.
Edhe nëse s’jam aspak për t’u dashur, edhe nëse unë vetë të dua pak, edhe nëse të harroj, më duaj Ti, o Zot. Kur jam i lodhur, kur ma mbushin plot shpirtin dyshimet, kur mendoj se të dua Ty, pa dashur të tjerët – më duaj Ti, o Zot.
E atëherë do ta di me siguri se je gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.