2013-03-30 15:28:12

Ekspozimi televiziv i Sindonës: Papa Françesku: Fytyra e Pëlhurës së linjtë na zhyt në heshtjen e dashurisë së Zotit.


Në Fytyrën e shpërfytyruar të Sindonës, shikojmë vuajtjen e më të ligshtëve e zhytemi në heshtjen e dashurisë. Këtë pohon Papa në një videomesazh, me rastin e Ekspozimit të jashtëzakonshëm të Sindonës së Torinos, transmetuar përmes Mondovizionit prej Rai Uno, në kuadrin e Vitit të fesë, shpallur nga Benedikti XVI. Në videomesazh, Papa falënderon Zotin për mjetet e komunikimit, që na mundësojnë sot ta kundrojmë e ta nderojmë Fytyrën e stamposur mbi Pëlhurën e linjtë: mbi Sindonën.
Edhe pse bëhet në këtë formë, shkruan më tej Papa, kjo nuk do të thotë se është thjeshtë vrojtim. Është nderim, shikim lutës. Do të thosha, diçka më shumë: leje për ta parë! Kjo fytyrë me sy të mbyllur, është fytyra e një të vdekuri, e megjithatë, na shikon misteriozisht e, në heshtje, na flet. Si është e mundur? Si mundet populli i besimtarëve, të ndalohet para ikonës së një njeriu të rrahur me kamxhik e të kryqëzuar? Sepse Njeriu i Sindonës na fton të kundrojmë Jezusin e Nazaretit. Kjo figurë, e stampuar mbi qefin, i flet zemrës sonë e na shtyn të ngjitemi mbi Malin e Kalvarit, t’ia ngulim sytë drurit të Kryqit, të zhytemi në heshtjen e dashurisë.
Ta lëmë, pra, ta ngulë mbi ne këtë shikim, që nuk kërkon sytë tanë, po zemrën tonë. Të dëgjojmë çfarë dëshiron të na thotë, në heshtje, duke kapërcyer vetë kufijtë e vdekjes. Përmes Sindonës së shenjtë vjen ndër ne Fjala e vetme dhe e fundme e Hyjit: Dashuria e bërë njeri, e mishëruar në historinë tonë; Dashuria përdëllyese e Hyjit, që mori mbi vete gjithë të keqen e botës, për të na shpëtuar nga sundimi i saj. Kjo fytyrë e shpërfytyruar u ngjet shumë fytyrave të burrave e të grave të plagosura nga një jetë që nuk e respekton dinjitetin e tyre, nga luftërat e dhuna, që godasin njerëzit më të ligshtë. E pra, kjo fytyrë e Sindonës komunikon një frymë gjallëruese paqeje; ky trup i torturuar, shpreh një madhështi sovrane. Duket sikur prej tij çlirohet një energji jetëdhënëse, sikur na thotë: kij besim, mos e humb shpresën; forca e dashurisë së Zotit, forca e të Ngjallurit, fiton mbi gjithçka.
Prandaj, duke e kundruar Njeriun e Sindonës, pohoi Papa, bëj timen, në këtë çast, lutjen e shqiptuar nga Shën Françesku para Kryqit:
“O fort i larti e i lavdishmi Zot,
m’i ndrit Ti terrinat e zemrës,
më jep fe të drejtë,
shpresë të sigurtë,
dashuri të përkryer
gjykim e dije, o Zot, që të jetoj
sipas urdhërit tënd shenjt e të njëmendtë”. Amen.
Besimtarë nga mbarë bota u lidhën sot me Torinon, pikërisht për të komunikuar me shikimin e figurës që, nga Pëlhura e Linjtë, u kujton Kalvarin e së Premtes së Madhe, e, sidomos, Ngjalljen e së Dielës së Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.