2013-03-29 22:31:19

Udha e Kryqit 2013, në Koloseum


Janë të rinjtë e Libanit ata, që menduan sivjet për meditimet e Udhës së Kryqit për të Premten e Madhe, në Koloseum, kryesuar nga Papa Françesku. Atyre, nën drejtimin e Patrikut të maronitëve të Antiokisë, kardinalit Behara Butros Rai, Benedikti XVI u pati kërkuar të shprehnin, përmes stacioneve të Mundimeve të Krishtit, ankthet e shpresat e popujve të Lindjes së Mesme. E kështu, në amfiteatrin Flavio, krishterimi njihet sonte me padrejtësitë, përçarjet ndërmjet të krishterëve, me fondamentalizmin e dhunën, që peshojnë rëndë mbi shpirtin e mbi korpin e popujve të Lindjes së Mesme, por edhe me vuajtjet e sëmundjet, që brejnë mbarë njerëzimin.
Stacionet shoqërohen me ilustrime, marrë nga një Udhë Kryqi e shekullit XIX, që ruhet në Betlehem, realizuar nga një zejtar françeskan palestinez.

“Shpresë e patundur, fe e gjallë”: këto janë mjetet, që Udha e Kryqit i dorëzon të krishterit për të ecur në një jetë të re. Kjo, përgjigjja, dhënë paragjykimeve e urrejtjes, që i bëjnë zemrat gur e çojnë në ndeshje fetare, por edhe padrejtësisë pa skaj e dhunës pa mëshirë. Besimi në Zotin e ngre rishtas në këmbë njeriun e rrëzuar, forca e Shpirtit Shenjt e mban gjallë, e bën një me vullnetin e Atit e i mëson t’i dojë të gjithë. Është kjo, përgjigjja e tokës së kedrave. I jepet atyre, që e dinë ç’është vuajtja, diskriminimi, mohimi i të drejtave më fillestare.

Sonte, në mbrëmjen e së Premtes së Madhe, në Koloseum, breznitë e reja të Libanit i kërkojnë botës të punojë për ndërtimin e shoqërive të reja, plot shpresë. Sjellin në këtë log mundimesh, vuajtjet e popujve të Lindjes së Mesme e vuajtjet e të gjitha zemrave njerëzore që, për shkaqe nga më të ndryshmet, pikojnë gjak në të katër anët e botës. Sjellin dhe vuajtjet e shpresat e secilit nesh.
Kryqi në Koloseum, me këmbët në gjakun e mijëra martirëve, të lashtë e të rinj, e edhe të martirëve të trojeve shqiptare, flakëron ndër sy, si të ishte flakë e gjallë. Përqethja e barit flet fjalë zgjimi.
E, megjithatë, edhe në krye të kësaj Udhe Kryqi 2013, vijon të jetë e njëjta pyetje e vështirë: “Njëri vrapoi pas Krishtit e, duke rënë në gjunjë para Tij e pyeti: ‘Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”(Mk. 10.17). E Jezusi iu përgjigj kësaj pyetjeje, që e përvëlon shpirtin tonë deri në thellësitë më të fshehta, me Udhën e Kryqit.

Të kundrojmë, o Zot, në këtë udhë, që Ti e nise i pari; e në fund, e hodhe kryqin tënd, si urë. Lidhe dy brigje: vdekje e jetë, që njerëzit të mund të kalojnë prej bregut të vdekjes, në atë të jetës. (Shën Efrem Sirikau, Homeli).Thirrja për të ecur pas Teje u drejtohet të gjithëve, posaçërisht të rinjve e atyre që vuajnë për shkak të përçarjeve, luftërave, padrejtësive e që luftojnë për të qenë, ndërmjet vëllezërve, shenja shprese e veprimtarë të paqes.
Gjunjëzohemi, prandaj, para Teje, me dashuri; të paraqesim vuajtjet tona, i sjellim sytë tanë e zemrat tona kah Kryqi yt i Shenjtë e, të përforcuar prej premtimit tënd, të lutemi: “Bekuar qoftë Shëlbuesi ynë, që na dha jetë me vdekjen e tij. O Shpërblyes, plotësoje në ne, misterin e shëlbimit tënd, nëpër mundimet, vdekjen e ngjalljen tënde!” (Nga Liturgjia Maronite)

“Çdo lutje është çelës
që zhdryn derën e së kaluarës,
por më shumë
hap një horizont të shndritur
nga rrezet e para të diellit.
Lutjet lidhin vitet, ditët, orët e jetët
me viset ku sos koha e matur!

Stacioni I: Jezusi dënohet me vdekje (Nga Ungjilli sipas Markut 15,12-13.15)
Përballë Pilatit, përfaqësues i pushtetit, Jezusi duhet të kishte dalë i pafajshëm. Pilati e kishte këtë të pushtet: ta njihte pafajsinë e Jezusit e ta lironte. Po qeveritarit romak i pëlqeu t’i shërbente logjikës së interesave të veta. U përkul para presioneve politike e shoqërore. Dënoi të pafajshmin, për qejfin e turmës, pa iu bërë vonë se po i binte ndesh drejtësisë. E dorëzoi Jezusin në duart e kryqëzuesve, duke e ditur mirëfilli se ishte i panjollë. Nuk ngurroi, madje, edhe të lante duart, për ta lëshuar nëmën mbi kokën e kryqëzuesve.

Në kohët tona ka shumë ‘Pilatë”, që mbajnë në duar frenat e pushtetit, të cilin e vënë në shërbim të më të fortëve. Të shumtë janë ata që, të dobët e të ulët, përballë këtyre rrymave të pushtetit, e vënë pozitën e tyre në shërbim të padrejtësisë, duke shkelur pa frikë e pa turp, mbi dinjitetin e njeriut e mbi të drejtën e tij për të jetuar. Për fat të keq, na kujton Papa Bergolio, ka ende shumë “Herodë”, që thurin plane vdekjeje, që e rrënojnë dhe e shëmtojnë fytyrën e njeriut e të Gjithësisë.
E ka edhe Juda, që tradhtojnë e tradhtia i ndjek pas si send i gjallë me trup e mish e shkon e rroket me pjesën e dobët të shpirtit të tyre. Tradhtarët, danga në petkun e natyrës, botë të mbyllura në vetvete, që luhaten mes jetës e vdekjes, pezull mbi rrymën e vrullshme të kohës:
O Zot Jezus!
Mos premto
të hyjmë në numrin e tradhtarëve.
Mos lejo që tiranët
të kënaqen me të keqen tonë,
me padrejtësinë, despotizmin.
Mos lejo, o Zot,
që padrejtësia t’i çojë të pafajshmit
në dëshpërim e vdekje.
Forcojua shpresën
e ndriçojua mendjen
njerëzve të pushtetshëm të kësaj bote,
që të sundojnë me drejtësi.
Amen.


Arrijmë në Stacionin II: Krishti ngarkohet me kryq (Nga Ungjilli sipas Markut 15,20)
Në këtë Stacion të Udhës së Kryqit të të rinjve libanezë, nuk mungon as fondamentalizmi i tërbuar, i cili pretendon se po mbron vlerat fetare, duke derdhur gjak, pasuar nga ftesa për të shikuar Krishtin, që bëhet një me të ligshtit. E ftesa drejtuar popujve të poshtëruar e të vuajtur, posaçërisht atyre të Lindjes së martirizuar, që ta mbartin pikërisht me Zotin, kryqin si krep mbi shpinë, duke marrë jetë nga jeta e të Kryqëzuarit.

Ai, përmes të cilit u krijua gjithçka, është në duart e ushtarëve, që kujtojnë se mund të tallen me Të, sipas qejfit. Se mund edhe ta zëvendësojnë. Njeriu i të gjitha kohëve besoi se mund ta zëvendësojë Zotin, se mund të vendosë, pa Të, ç’është e mirë e ç’është e keqe, pa pyetur fare për Krijuesin. I sigurtë se mund ta përjashtojë nga jeta e vet, në emër të arsyes, të pushtetit, të parasë. E edhe sot bota përkulet para laicizmit të verbër, që ia zë frymën vlerave të fesë e të moralit, në emër të mbrojtjes së njeriut. që mbetet vetëm, në muzgun e lodhur, të shkretë. E zëri i tij është pa jehonë, nësa ndjen si i rrëzohen në shpirt kullat e ngritura në ajër.
E Zoti vijon të pësojë poshtërime, të vuajë, të mundohet në njerëzit e ligësht e, sidomos, në Lindjen e martirizuar, që i lutet ta ndihmojë, për të gjetur shpresën e humbur, të vërtetën e nëpërkëmbur, dashurinë e harruar.

Jezusi vijon Udhën e Kryqit. E ne, pas Tij. E shikojmë si arrin në Stacionin III e bie nën peshën e kryqit për të parën herë (Nga Libri i Izaisë Profet 53,5).
Ai, që mban në dorë yjet e qiellit e botën tonë, shembet përdhe nën barrën e padurueshme të kryqit. Shikojeni Krishtin! Po ngjitet përsëri në udhën e Kalvarit. Vështirë ta kuptojmë; edhe më vështirë ta përshkruajmë. Themelet e tokës tranden nën peshën e Krijuesit, që bie nën kryq. E ne, kryqëzues e të kryqëzuar, shikojmë në Të, rrëzimet tona, në të përditshmen, në shkencë, në teknologji, e i lutemi përsëri që fryma e Shpirtit Shenjt ta përshkojë gjithë jetën e tokës sonë, duke na prirë kah e vërteta e plotë. E shtrijmë dorën në udhëkryqet e botës, për lëmoshën e paqes, të drejtësisë, të butësisë e presim kthjelltësi. Po zëri ynë shpesh humbet skutinash.


E jemi në një nga Stacionet më prekëse: i katërti (Nga Ungjilli sipas Lukës 2,34-35.51b). Shikojmë Jezusin me Nënën
I larë në gjak, i ligështuar nga udha, duke mbartur mbi supe Kryqin e njerëzimit, Jezusi takohet me Nënën e tij, e në fytyrën e saj, shikon të gjitha fytyrat tona! Jezusi vuan duke e parë Nënën që vuan. Në sytë e saj, ajka e lotëve; në zemër, ajka e gjakut. Maria vuan, duke parë birin nën kryq. E pikërisht nga kjo vuajtje lind njerëzimi i ri.
Salam!
Shalom!
Paqja qoftë me ty!
Lutu për ne, o Nënë e Zotit, lutju Birit tënd të na i falë mëkatet. Na i mbro familjet, që të bëhen oaza të dashurisë, ashtu si familja jote, Familja shenjte e Nazaretit!


Ndërsa Krishti ecën kah Kalvari, kryqëzuesit ndalojnë një farë Simoni prej Cirene, një katundar, që kthehej nga arat, e ngarkojnë me kryq dhe e detyrojnë të ecë pas Jezusit. Jemi në Stacionin V (Nga Ungjilli sipas Lukës 23,26).
Udha e Kryqit vijon. Përkrah Krishtit ecën Simoni me kryq ngarkuar mbi shpinë. Na ngjet, Simoni, e na mëson t’i pranojmë kryqet, që na ngarkohen, dashur pa dashur, në udhët e jetës.

Mbas teje, Krisht, ecim edhe ne.
Mbi supe, kryqet tona:
vuajtjet, sëmundjet, tundimet.
I pranojmë, o Zot, sepse Ti je me ne.
Sëmundja mund të na mbërthejë në shtrat,
por jo të na pengojë të ëndërrojmë;
mund të na i verbojë sytë,
po jo ndërgjegjen;
të na i shurdhojë veshët,
por s’mund të na pengojë
të dëgjojmë zërin Tënd;
mund të na e lidhë gjuhën,
por jo dëshirën për të vërtetën;
mund të na e rëndojë shpirtin,
por s’ mund të na e rrëmbejë lirinë.
O Zot,
Duam të jemi dishepujt e tu
ta mbartim kryqin tënd ditë për ditë,
me gëzim e shpresë,
se je pranë nesh,
e mbart me ne
e, për ne, ngadhënjen mbi vdekjen.
Të falënderojmë, o Zot, sa herë na çon,
shok udhe, ndonjë Simon prej Cirene.


Në Stacionin VI tradicional, takojmë përsëri Veronikën me pëlhurën e bardhë, ku mbetet e stampuar, Fytyra e përgjakur hyjnore (Nga Libri i Psalmeve 27,8-9).
Një gjest i vogël, por që shpreh gjithë dashurinë, gjithë besimin e saj në Ty. Prandaj mbetet gjurma e pashlyeshme në traditën tonë të krishterë. O Zot, fytyrën tënde kërkojmë, e Veronika na kujton se Ti je i pranishëm në çdo njeri, që vuan. Të lutemi, prandaj, për të gjithë ata, që kërkojnë fytyrën tënde, e e gjejnë në të pastrehët, në të mjerët, në fëmijët, në të dhunuarit, në të shfrytëzuarit.


Stacioni VII. Jezusi rrëzohet për herë të dytë (Nga Libri i Psalmeve 22,8.12).
Më shumë se druri i kryqit, mbi të peshon barra e mëkateve të botës. Bie, sepse pesha e së keqes bëhet e padurueshme, barrës së padrejtësisë e të dhunës s’i shihet fundi.
Po Kryqi i rëndë, që duket se në palcën e drurit ruan fshehtësinë e vdekjes, do të kthehet shpejt në fllad jete. E pjesa e dobët e shpirtit tonë, e rrokur me të, do të mbushet me dritë e ajër. Njeriu nuk do të ecë më në udhët e botës me qiri fikur.
Zoti ngrihet edhe një herë në këmbë. E ngre besimi i pafundmë që ka në Atin e tij. E Shpirti Shenjt e bën një me vullnetin e Atit, vullnet i dashurisë, për të cilën s’ka asgjë të pamundur.
Në Koloseum, në mbrëmjen e së Premtes së Madhe, breznitë e reja të Libanit po i kërkojnë botës më shumë respekt për lirinë fetare, që fetë e ndryshme të mund të vihen së bashku për udhë, për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, për të dhënë ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjithë njerëzve e në ndërtimin e shoqërive të reja, plot shpresë:

O Zot Jezus, në rrëzimin tënd të dytë,
shikojmë rrëzimet tona,
shpesh, në dukje, pa shpresë.
Ndër ta, rrëzimet, që burojnë nga paragjykimet fetare
e nga urrejtja e i bëjnë zemrat gur
e çojnë në ndeshje fetare.
Ndriçoi, o Zot, mendjet tona,
që të shikojmë një rreze të së vërtetës
mes terrinave të përçarjeve fetare!
Çoje një rreze drite,
të ndriçojë njerëzimin
e të ecim së bashku,
plot me respekt e me liri fetare
drejt së vërtetës,
që është veç në Tënzonë.
Kështu fetë e ndryshme do të vihen për udhë
e krah për krah
do t’i shërbejnë së mirës së përbashkët,
zhvillimit të çdo njeriu,
ndërtimit të shoqërisë,
ashtu si e dëshirojmë të gjithë.

(Nga Nxitja apostolike Ecclesia in Medio Oriente, 27-28).

Eja o Shpirt i Shenjtë,
ngushëlloi të krishterët,
posaçërisht të Lindjes së Mesme,
që, të bashkuar me Krishtin
të jenë në atë tokë
të copëtuar nga padrejtësia
e nga konfliktet,
dëshmitarë të dashurisë sate universale.
Amen.


Në Stacionin VIII të Udhës së Kalvarit, Jezusi takohet me gratë e Jeruzalemit, që qajnë mbi të (Nga Ungjilli sipas Lukës, 23,27-28).
Në fytyrat e tyre, shikojmë gratë e ditëve tona, të plagosura në dinjitetin e tyre e të shpërfytyruara nga diskriminimet. Bota jonë është plot me nëna të munduara, të dhunuara, të nëpërkëmbura, të shtypura nën barrën e kryqit të vuajtjes e të padrejtësisë. Ecin mbas Zotit e udha e Kalvarit një zjarr pa flakë u lë në kraharor, dhe tytsinë e shtëpive të varfëra në shpirt.

Stacioni IX. Jezusi rrëzohet për herë të tretë nën kryq. (Nga Letra e dytë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve 5,14-15).
Rrëzohet, nën barrën e mëkateve tona e, për të tretën herë, mundohet të ngrihet përsëri në këmbë, për të vijuar udhën kah Golgota, pa iu nënshtruar për asnjë çast tundimit. Zoti është mësuar ta mbartë kryqin e vuajtjes e të mëkatit njerëzor, që në çastin e mishërimit, duke na dëshmuar se fitorja mund të arrihet, se rruga për t’u bërë bij të Hyjit, u hap.

Zot Jezus!
Kisha, e lindur nga kraharori yt i shporuar,
shtypet nën barrën e kryqit të përçarjeve,
që i largojnë të krishterët njëri prej tjetrit
e prej bashkimit, që Ti e deshe për ta.
Dredhojnë rrugë,
nuk ta plotësojnë dëshirën
“Që të jenë një gjë e vetme” (Gjn 17,21)
si Ti me Atin.
Peshon tepër rëndë, ky kryq
përmbi dëshminë e tyre.
Jepjua, o Zot, Ti hirin e urtisë
e të përvujtërisë;
që të ngrihen e ecjen të vijojnë
në rrugët e bashkimit
e të dashurisë.
Larg prej tundimesh
interesash, sektarizmash...
Na e jep hirin të heqim dorë
nga mendësia e përçarjeve:
që të mos humbasë kurrë,
fuqia e Kryqit të Krishtit”
(1 Kor 1,17)


Jemi në Stacionin X (Nga Libri i Psalmeve 22,19).
Po të zhveshim, Jezus. Po të zhveshim Ty, që në plotninë e kohëve, u veshe me natyrën tonë njerëzore e nise të ecësh mes nesh e kindat e petkave Tua nisën të shërojnë sëmundjet tona. Ta vodhëm këmishën e Ti na dhe edhe mantelin. Menduam se mund të bëjmë edhe pa ty, e e pamë veten lakuriq. Po ti na veshe përsëri me dinjitetin e bijve e të bijave, me hirin tënd shenjtërues.

Na e fal, o Zot, hirin, ta mundim frikën
përballë kurtheve të jetës,
që na lënë mes udhës lakuriq,
vishna me njeriun e ri të Pagëzimit tonë,
që ta kumtojmë Lajmin tënd,
mbarë botës t’i shpallim
se vetëm Ti je Zoti i vërtetë
që i prin historisë.

Në stacionin XI, Jezusi gozhdohet mbi kryq (Nga Ungjilli sipas Gjonit 19,16a.19). Mesia, aq i pritur, varet mbi drurin e kryqit, ndërmjet dy hajdutëve. Duart, që bekuan njerëzimin, janë të shporuara. Të shporuara, këmbët, që shkelën mbi tokën tonë për të na kumtuar Lajmin e Mirë. Gjysmë të shuar, sytë, që shëruan të sëmurët e na i falën mëkatet. Trupi i hyjnueshëm, një grumbull gjymtyrësh të përgjakura, varur ndërmjet qiellit e tokës.
O Zot, dy sytë e tu të shtangur na mbesin në sy. Zërat e turmës shuhen e ndjehet vetëm krisja e gozhdave, që ngulen në mish të gjallë. Nga larg afrohet gjama e motit.

Zoti kryqëzohet për mëkatet tona.
çdo goditje çekiçi
jehon si rrahje e zemrës së flijuar!
Sa të bukura, mbi Malin e Kalvarit
këmbët e Atij që kumton
Lajmin e Mirë të shëlbimit.
Dashuria jote, Jezus,
nga maja e kryqit
e mbush përplot universin.
Duart e tua të shporuara,
janë streha jonë.
Kur ankthi na pushton
e na kërcënon humnera e mëkatit,
në plagët e tua gjejmë shërim
e shëlbim.

E nësa ne kërkojmë, lypim, qajmë mëkatet tona e kujtojmë ligështitë tona, Zoti mbi kryq lëshon britmën e fundit: britmën e braktisjes në çastin e vdekjes, britmën e besimit, në çastin e vuajtjes, britmën e lindjes së një jete të re. I varur në drurin e jetës, Jezusi ia dorëzon shpirtin Atit të vet, duke gurruar, nga kraharori i shporuar, jetë të re. Nësa besimi ynë vijon të lëkundet, të lutemi, o Zot: na jep forcë, që të besojmë me gjithë shpirt se me Ty do ta mundim vdekjen. Me Ty secili prej nesh mund të brohorasë:

“Dje isha i kryqëzuar me Krishtin,
Sot, i lumnuar me Të.
Dje, i vdekur me Zotin
sot, i gjallë bashkë me Të.
Dje, në varr me Krishtin
sot i ringjallur me Të”.

Stacioni XII: Jezusi vdes mbi Kryq (Nga Ungjilli i sipas Lukës 23,46).
Nga maja e Kryqit, një britmë! Britma e braktisjes në grahmën e fundit. Britma e besimit në vuajtje. Britma e lindjes së një jete të re!
E edhe lutja që të gjithë ata, të cilët praktikojnë abortin, ta kuptojnë se dashuria nuk mund të jetë tjetër, veçse burim jete. Një mendim edhe për mbrojtësit e eutanazisë e inkurajuesit e teknikave e proceseve, që vënë në rrezik jetën njerëzore. E sidomos, lutja drejtuar Zotit ngarkuar me kryq, që t’ua hapë zemrat e t’i nxisë të punojnë për ndërtimin e qytetërimit të jetës e të dashurisë.

Stacioni XIII: “Jezusin e zbresin nga Kryqi e ia dorëzojnë Nënës (Nga Ungjilli sipas Gjonit 19,26).
O Zot Jezus, ata që të duan janë pranë teje plot me fe. Në orën e grahmës e të mortit, kur bota beson se faji fiton e se zëri i së vërtetës e i dashurisë, i drejtësisë e i paqes shuhet, ata besojnë në Ty, o Zot i kryqëzuar.
O Zojë, ndër duar tuaja po e lëshojmë tokën tonë. E trishtë ta shikosh këtë tokë të bekuar duke vuajtur në bijtë e vet, që dërrmohen pa mëshirë, lëngojnë e vdesin.
(Nxitja Apost. Ecclesia in Medio Oriente, 8).
Të duket se e keqja s’ka për t’u zhdukur kurrë, se terrori, vëllavrasja, urrejtja, do të jenë bashkudhëtare të përhershme të njeriut në udhët e botës. Se Kryqi do të randojë, sa barra e kohës, që shpatullat shkallmon e kryet ta ulë deri ndër lugje të verbëra.
Tek Këmbët e Kryqit, mbi të cilin Biri yt shtriu duart e papërlyera, për shëlbimin tonë, o Virgjër, gjunjëzohemi sot e lypim: “Na jep paqen!”.
Të lutemi:

Për viktimat e luftës e të dhunës,
që i kthejnë në rrënoja këto ditë
viset e lulëzuara të Lindjes
e troje të tjera në botën e madhe;
për endacakët pa vatër
pa strehë, shtigjesh të huaja.
Ktheji, o Zojë, në strehët,
në trojet tyre.
Premto që gjaku i viktimave të pafaj,
të jetë farë e Lindjes së re,
më vëllazërore, më paqësore, më të drejtë
e që kjo Lindje
djep qytetërimesh,
vlerash shpirtërore,
thesaresh njerëzore
të vezullojë përsëri si dikur.
Yll i Lindjes,
tregona ardhjen e agut!

Stacioni XIV: Jezusin e kallin në varr (Nga Ungjilli sipas Gjonit 19,39-40).
Nikodemi e mori trupin e Jezusit, e mbështolli dhe e varrosi në një varr, në mes të një kopshti, që të kujtonte atë të Krijimit. Jezusi e la veten në duart e tij, ashtu si i la kryqëzuesit ta kryqëzojnë, pa fjalë, duke u lëshuar plotësisht në dorë të njerëzve, përsosurisht i bashkuar me ta, deri në orën e gjumit të madh nën rrasën e varrit (Shën Gregori i Narekut).

Nuk është lehtë t’i pranosh dhimbjen e vdekjen: duhet shpresë e patundur, fe e gjallë! Duhet besimi se guri i vendosur mbi grykën e varrit do të flaket e një jetë e re do të lindë. Përmes Pagëzimit u varrosëm bashkë me Krishtin në vdekje, derisa, ashtu si Ai u ngjall prej së vdekurish përmes lavdisë së Atit, kështu edhe ne të mund të ecim në një jetë të re (Rom 6,4).
Fituam lirinë e bijve të Zotit, për të mos u kthyer kurrë më në skllavëri: jeta na u dha me begati, që të mos kënaqemi më me një jetë të pabukur, të padejë, të pakuptim.

O Zot Jezus,
premto të jemi bij të dritës
të cilët nuk tremben nga errësira.
Të lutemi sot,
për të gjithë ata, që kërkojnë kuptimin e jetës,
e për ata, që i kanë humbur shpresat,
që të besojnë në fitoren tënde
mbi mëkatin e mbi vdekjen
Amen!

Fryma e lehtë, që buron prej Kryqit, e zbutë zgjimin e zhurmës në botë, e nalton njeriun në qiell, i prin në vërri pa dimër. I Kryqëzuari i ngjallur, hyn në banesat tona si fllad i lehtë, hyn në zemrat, rënduar dëshirash, si hyn blerimi në sy, si gjak i ngrohtë në zemër.
Mos ik, o Krisht. Syri me blerim nuk ngihet, as zemra me gjak e ngrohje. Mos ik! E mos na lërë vetëm, në terr, ku s’mund të mbijë kurrë jetë.
Kur Ti je me ne, murlani i dimrit bëhet fllad, bora e bryma, vesë e re të bardha në kulmin e qiellit.
Vjen Pashka Jote.
Dita e Pashkëve!
Ora e Ngjalljes!
Pyet erën
e yllin
e zogun
e orën,
gjithçka që rrëshqet,
gjithçka që nget,
gjithçka që gjëmon,
gjithçka që flet
gjithçka që lëngon...
Pyeti, çfarë dite është sot?
E era,
e vala
e ylli
e zogu,
e ora
do t’gjegjen: “E Diela e Ngjalljes!”.

E për Ngjalljen, pas Mundimeve, po flet edhe Papa Françesku, në përfundim të Udhës së Kryqit 2013 – në pritje të së Dielës! Duke u dhënë, në përfundim, të gjithë besimtarëve katolikë të botës, në prag të Solemnitetit, Bekimin e tij apostolik.










All the contents on this site are copyrighted ©.