Mundimet e Krishtit. Atë Kantalamesa: “Kisha ta kumtojë Krishtin, duke u kthyer në
thjeshtësinë e zanafillës”.
Sonte, në kremtimin e së Premtes së Madhe, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan,
predikimin e mbajti atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, duke u
përqendruar tek falja e mëkateve, përmes besimit në gjakun e Krishtit. Të gjithë
mëkatuan dhe e humbën lumninë e Hyjit, por u shfajsuan falas, përmes hirit të Zotit,
shpërblimit në Krishtin Jezus, që Hyji e paracaktoi si flije shpërblimi; përmes besimit
në gjakun e Tij. Arritëm në kulmin e vitit të fesë. Është feja që shpëton, feja
që e mund botën (1 Gjn 5,5) - theksoi predikatari e vijoi: “Nga njëra anë është
dora e shtrirë e Zotit, që i ofron njeriut hirin e tij, e nga ana tjetër, dora e njeriut
që zgjatet, për ta prekur, përmes fesë. Besëlidhja e re dhe e amshuar vuloset në
çastin kur dora e Zotit shtrëngon dorën e njeriut!”. Kemi mundësi këto ditë, kujtoi
predikatari i Shtëpisë Papnore, të marrim vendimin më të rëndësishëm të jetës, atë,
që hap dy kapakësh portat e amshimit: të besojmë! Të besojmë se Jezusi vdiq për mëkatet
tona e u ngjall për shfajsimin tonë (Rom 4,25). Në një homeli pashkësh të shekullit
IV, ipeshkvi shqiptonte këto fjalë, çuditërisht moderne e ekzistenciale: “Jeta e çdo
njeriu nis nga çasti kur Jezusi u flijua për të” (Homeli Pashkësh e vitit 387,
në SCh 36, f.59 s). E jashtëzakonshme! Kjo e Premte e Madhe, kremtuar në Vitin
e fesë e në prani të Pasardhësit të ri të Shën Pjetrit, mund të jetë, në se duam,
vijoi predikatari i Shtëpisë Papnore, fillesë e një jete të re. Ipeshkvi Hilari i
Puatjesë, i kthyer në fenë e krishterë, në moshë të pjekur, duke rimenduar jetën e
tij të kaluar, thoshte: “Para se ta njihja Krishtin, unë nuk ekzistoja”. Na kërkohet
vetëm një gjë: të mos fshihemi, si Adami, pas mëkatit tonë, të pranojmë se kemi nevojë
për shfajsim, e jo për vetëshfajsim. Për t’u bërë, kështu, krijesa të reja, me zemrën
plot gëzim. Ashtu si njeriu që, duke u ngjitur shpatit të theptë të malit, si kapërcen
rrezikun, ndalet një ças për të marrë frymë e për të admiruar pamjen që i hapet para
syve, kështu Shën Pali Apostull, në fillim të Kapitullit V të Letrës drejtuar Romakëve,
pasi shpall shfajsimin përmes fesë, ndalet te fjalët: “Të shfajsuar, pra me anën e
fesë, jemi në paqe me Hyjin, nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Realizohen sot,
kujtoi predikatari, nga satelitët artificialë, fotografi me rreze infra të kuqe të
zonave të tëra të tokës e të mbarë Planetit. Sa e ndryshme duket panorama e parë nga
lart, në dritën e këtyre rrezeve, në krahasim me atë që shikojmë në dritë natyrore.
Kujtoj një nga fotot e para satelitare, të përhapura në botë: riprodhonte gjithë gadishullin
e Sinait. Tejet të ndryshme ishin ngjyrat; më të dukshme majat e ultësirat. Është
simbol. Edhe jeta njerëzore, e parë në dritën e rrezeve infra të kuqe të fesë, nga
maja e Kalvarit, duket krejt ndryshe, nga ajo që shikohet me sy. Gjithçka, vijoi
atë Kantalamesa duke cituar të Urtin e Besëlidhjes së Vjetër, Koheletin, i ndodh njëlloj
të drejtit e të mbrapshtit. Kam vërejtur, nënvizon, se nën këtë diell, në vend të
së drejtës, ka paudhësi; në vend të drejtësisë, padrejtësi (Kish 3,16;9,2). E ashtu
është: në të gjitha kohët është parë poshtërsia ngadhënjyese e pafajësia e poshtëruar.
Por, që të mos besohet se në botë ka ndonjë gjë të qëndrueshme e të sigurtë, ja, vëren
Bosuè, që nganjëherë shikohet e kundërta: pafajsia mbi fron e poshtërsia në litar.
Po Koheleti, në ç’përfundim arrin, pyeti Predikatari. Koheleti mendon se Hyji do t’i
gjykojë të drejtin e bakeqin, sepse çdo gjë ka kohën e vet (Kish 3,17). Ajo
që Koheleti nuk mund ta dinte e që ne e dimë, është se koha erdhi. “Tani, thotë Jezusi,
duke shkuar drejt mundimeve të tij, erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i
kësaj bote do të flaket jashtë! E unë, kur të lartohem nga toka, do t’i tërheq kah
vetja të gjithë njerëzit” (Gjn 12,31-32). Në Krishtin e vdekur e të ngjallur
bota arriti cakun e vet përfundimtar. Progresi i përparon sot me ritëm marramendës
e njerëzimi shikon si hapen para tij horizonte të pamenduara, fryt i zbulimeve të
tij. E pra, mund të themi se erdhi fundi i kohëve, sepse në Krishtin, lartuar në të
djathtën e Atit, njerëzimi arriti cakun e vet të fundit. Filluan, tashmë, qielli i
ri e toka e re. Pavarësiht nga të gjitha mjerimet, padrejtësitë, shëmtimet, që
ekzistojnë mbi tokë, në të u përurua përfundimisht rendi i botës. Kjo, që shikojmë
me sytë tanë, mund të na shtyjë të mendojmë të kundërtën, por e keqja dhe vdekja u
mundën me të vërtetë përgjithmonë. Burimet e tyre u thanë; e vërteta është se Jezu
Krishti është Zoti i botës. E keqja u mund nga shpërblimi i kryer prej Krishtit. Bota
e re tashmë filloi. Një gjë veçanërisht, duket e ndryshme, parë me sytë e fesë:
vdekja! Krishti hyri në vdekje, siç hyhet në një burg të errët, por doli nga ana tjetër.
Nuk u kthye mbrapsht, në vendin prej nga kishte ardhur, si Lazri, që u rikthye në
jetë, për të vdekur përsëri. Hapi rrugën drejt jetës, që askush nuk do të mund ta
mbyllë më e ku të gjithë mund ta ndjekin. Vdekja nuk është më një mur pas të cilit
përplaset e thyhet çdo shpresë njerëzore. Me Krishtin, bëhet urë drejt amshimit. “Ura
e psherëtimave” ndoshta, sepse askujt nuk i pëlqen të vdesë, por urë, e jo humnerë,
që i përpin të gjithë. “Dashuria është e fortë si vdekja”, thotë Kënga e Këngëve (
8,6). Në Krishtin qe më e fortë se vdekja.
Në “Historinë kishtare të popullit
anglez”, Beda i nderuar tregon sesi hyri feja e krishterë në veri të Anglisë. Kur
misionarët, ardhur nga Roma, arritën në Northumberland, mbreti i vendit thirri këshillin
e dinjitarëve, për të vendosur në se duheshin lejuar ose jo të përhapnin mesazhin
e ri. Disa ishin në favor, të tjerë, kundra. Ishte dimër e jashtë binte dëborë e frynte
murlani, por salla ishte e ndriçuar, e ngrohtë. Një një farë pike, një zog hyri nga
një vrimë e murit, fluturoi, i trembur, nëpër sallë e pastaj u zhduk nga një vrimë
e faqes tjetër të murit. Atëherë u ngrit një nga të pranishmit e tha: “Zotëri,
jeta jonë në këtë botë i ngjet këtij zogu. Vijmë nuk e dimë prej nga, për pakëz kohë
gëzojmë dritën e gëzimin e kësaj bote e pastaj zhdukemi përsëri në errësirë, pa e
ditur se ku shkojmë. Nëse këto njerëz janë në gjendje të na tregojnë ndonjë gjë nga
misteri i jetës sonë, duhet t’i dëgjojmë”. Feja e krishterë, vijoi predikatari, mund
të rikthehet në Kontinentin tonë e në botën e shekullarizuar për të njëjtën arsye,
që e shtyu të hyjë: si përgjigjja e vetme e sigurtë, që mund t’i jepet pyetjeve të
mëdha mbi jetën e mbi vdekjen. Kryqi i Krishtit, shpjegoi predikatari, i ndan jo
besimtarët nga besimtarët, sepse për njërën palë, është marrëzi, për tjetrën, forca
e Hyjit e dija e Hyjit: por, në kuptimin më të thellë të fjalës, i bashkon gjithë
njerëzit, besimtarë e jo besimtarë. Prej këndej, urgjenca e ungjillëzimit, shtoi predikatari,
e në vijim u ndal tek një tregim prekës i Franc Kafkës, gati profetik, titulluar “Mesazhi
perandorak”, për të kujtuar, se ashtu si perandori i tregimit, Krishti i besoi një
mesazh Kishës së tij: “Shkoni në mbarë botën e predikojani lajmin e mirë të gjitha
krijesave (Mk 16.15). Mesazh që shumë njerëz, si personazhi i Kafkës, vijojnë
ta ëndërrojnë, të mbështetur në dritare, pa mundur ta arrijnë. Po Krishti, na kujton
Shën Gjoni Apostull në “Librin e Zbulesës”, “Vjen me re, dhe do ta shohë çdo sy, atë
që e shporuan; dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë mbi Të” (Zb. 1,7). Kjo
profeci, shpjegoi predikatari, nuk kumton ardhjen e fundit të Krishtit, kur nuk do
të ketë më kohë për t’u penduar, por gjykimin. Vaji i fiseve nuk do të jetë vaj dëshpërimi,
por ngushëllimi, që vjen nga Zoti, në sa njerëzimi mbarë do ta shikojë Atë, që e patën
shporuar.
Në vijim predikatari u ndal tek shpjegimi i ungjillëzimit i cili,
shpjegoi, ka zanafillë mistike: është dhuratë, që vjen nga Kryqi i Krishtit, nga kraharori
i shporuar, nga gjaku e uji, që gurrojnë prej Tij. Dashuria e Krishtit, ashtu si ajo
e Trinisë Shenjtje, dëshiron të përhapet kudo, të arrijë të gjitha krijesat, posaçërisht
ata, që kanë më shumë nevojë për mëshirën e tij. Ungjillëzimi i krishterë nuk është
pushtim, nuk është propagandë; është dhuratë, që Zoti i bën botës në Birin e tij
Jezus. Është t’i japësh Kokës gëzimin të ndjejë si rrjedh jeta nga zemra tij, deri
tek gjymtyra më e largët. Në Zbulesën e Shën Gjonit, shpjegoi më tej predikatari
i Shtëpisë Papnore, Jezusi na kujton se është te porta e troket (Zb 3,20): Nganjëherë,
siç vërjeti Papa ynë Françesku, nuk troket për të hyrë, por troket se do të dalë.
Të dalë në drejtim të rrethinave ekzistenciale të mëkatit, të dhimbjes, të padrejtësisë,
të padijes e të indiferencës fetare, të çdo forme të mjerimit. Ndodh si me ndërtesat
e lashta, të cilat me kohë humbasin pamjen e parë. Për t’ua kthyer, duhen shembur
shumë shtesa të kota. E ky ishte edhe misioni, që mori një ditë njeriu, i cili lutej
para Kryqit të Shën Damianit: “Shko, Françesk, rindërtoje Kishën time”. “Kush është
në lartësinë e kësaj detyre?” – pyeste i tmerruar Apostulli, përballë detyrës mbinjerëzore
për të qenë në botë “Parfumi i Krishtit”; e ja se përgjigja e tij vlen edhe për sot:
“Jo se jemi vetë prej vetvetes të zotët të mendojmë gjë, por zotësia jonë e ka burimin
në Hyjin. Ai na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së Re, jo të shkronjës,
por të Shpirtit; sepse shkronja vret e Shpirti jep jetë” ( 2 Kor 2, 16; 3,5-6).
Në përfundim të homelisë, atë Kantalamesa uroi që Shpirti Shenjt, në këtë çast,
kur për Kishën hapet një kohë e re, plot shpresë, ta rikthejë në zemër të njerëzve,
të cilët janë në dritare, në pritje të kumtit e të kumtuesve, vullnetin që t’i arrijë
me çdo kusht, edhe me çmimin e jetës.