2013-03-29 13:39:21

E Premtja e Pashkëve na pohon se Vdekja e Krishtit mbi Kryq i jep kuptim vuajtjes njerëzore


Sot, të Premten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kundron Mundimet dhe Vdekjen e Jezu Krishtit mbi Kryq. Pra të Premten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Ditën e dytë të Treditëshit të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të mundimeve e të vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit mbi Kryq, kundron rrugën e dhimbshme të kalvarit të Krishtit deri në epilogun dramatik të vdekjes së tij mbi Kryq, e Adhuron Kryqin e Lumnueshëm e të Shenjtë të Shëlbuesit, dhe i ofron besimtarëve ushqimin për Shëlbimin e tyre, Eukaristinë, Kungimin e Shenjtë.
Kështu, të Premten e Madhe të Pashkëve, Kisha me besimtarë të krishterë vihet para Jezu Krishtit të Kryqëzuar për të kundruar dashurinë e pakufishme shpëtimprurëse të Zotit për çdo njeri.
E Premtja e Madhe e Shenjtë e Pashkëve përkujton ngjarjet dramatike që shkojnë nga dënimi me vdekje e deri te kryqëzimi i Krishtit. E Premtja e Madhe është ditë pendese, agjërimi e lutjeje, ditë e pjesëmarrjes sonë në Mundimet e Krishtit Zot. Të kundrosh fytyrën e masakruar të Jezu Krishtit: të Premten e Madhe të Pashkëve Kisha i fton të krishterët t’i sjellin sytë nga Ai, që mori mbi vete gjithë mëkatet e ankthet tona njerëzore, e Atij t’i lutemi posaçërisht për njerëzit që ende sot vuajnë në botë. Fytyra e Krishtit të Kryqëzuar sot pasqyrohet në fytyrën e çdo njeriu të përbuzur, të mënjanuar, të poshtëruar, të fyer, të sëmurë, të vuajtur, të vetmuar, të braktisur e të flakur padrejtësisht nga radhët e shoqërisë njerëzore. Udha që bëri para mase dymijë vjet më parë Jezu Krishti, duke u ngjitur në Kalvar deri mbi Kryq, është pasqyrë e udhës së njerëzimit në shekuj dhe pasqyrë e gjallë e dhimbjes në botën e sotme.
Bashkësia e krishterë pra sot e Adhuron Kryqin e Krishtit e i afrohet Eukaristisë Shenjte: dy burimeve e të mirave që na kanë liruar nga armiqësia, nga errësira, që na kanë pajtuar me Zotin e ofruar shpëtimin e amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.