Atë Lombardi, për ceremonitë e Pashkëve. Dje, Papa Françesku mori në telefon Benediktin
XVI. Një shqiptar, ndër të pagëzuarit e Natës së Pashkëve
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi mbajti sot paradite,
një konferencë shtypi për kremtimet e Pashkëve, duke filluar nga Udha e Kryqit në
Koloseum, në Vigjiljen e Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit e në Meshën e së dielës
së Pashkëve në shesh. Një shqiptar 30 vjeçar do të jetë ndër ata, që do të marrin
Pagëzimin e Krezmimin, Natën e Pashkëve, nga Papa Françesku. Së pari, atë Lombardi
dha dy informacione mbi veprimtarinë e djeshme të Papës: pas kremtimit të Meshës së
Bagmit, paradite, Ati i Shenjtë mori në telefon Benediktin XVI, për një “bisedë të
gjatë e të përzemërt, pas kremtimit të madh të përbashkët të të gjithë meshtarve”.
Siç referoi sekretari, mons. Alfred Ksuereb, telefonata qe e bukur dhe e ndjerë. Më
pas, Papa drekoi me shtatë meshtarë të impenjuar në fushën e bamirësisë. Njeri është
drejtues i Karitasit, një tjetër merret me baritorinë e romëve, një tjetër akoma është
meshtar i gjymtë, që lëviz me karrocë, i katërti merret me formimin profesional të
të rinjve, tjetri është atë shpirtëror për shumë meshtarë….e kështu me radhë. Dreka
u bë në apartamentin e zëvendësit të Sekretarisë së Shtetit, imzot Beçiu, në Vatikan.
“Një drekë – tha atë Lombardi – ku biseda qe shumë e gjallë, pasi meshtarët kishin
mjaft histori interesante për të treguar nga veprimtaria e tyre. Prandaj, Papa mbeti
shumë i kënaqur nga ky takim, rast për shkëmbimin e mendimeve me një grup meshtarësh
romanë”. Pastaj, atë Lombardi dha disa informacione për ceremonitë e Pashkëve.
Nga kremtimi i sotëm, i orës 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, zëdhënësi i Selisë
së Shenjtë vuri në dukje fillimin, kur Papa përkulet në lutje para elterit. Tjetër
çast karakteristik i së Premtes së Madhe është Adhurimi i Kryqit: edhe këtu, Papa
zbret nga froni për të shkuar para Kryqit, heq kësulën dhe mbetet vetëm me veshjen
e bardhë e me stolën. Sonte, gjatë Udhës së Kryqit në Koloseum, Papa do ta ndjekë
kremtimin nga vendi i caktuar për të, pa e mbajtur kryqin, i cili do të mbahet nga
persona të ndryshëm, gjatë 14 stacioneve. Lutja e Vigjiljes së Pashkëve, që fillon
nesër në orën 20.30, është një nga kremtimet më të ndërlikuara të Liturgjisë së krishterë,
tha atë Lombardi. Fillon me Liturgjinë e Dritës, në tremen e Bazilikës e pastaj, vazhdon
me procesionin, me qiriun e ndezur të Pashkëve, përgjatë navatës së Bazilikës, e cila
është fillimisht në errësirë, pastaj qirinjtë ndizen gradualisht, ndërsa avancon qiriu
i Pashkëve, drita. Kur qiriu mbërrin në elter, ndizen të gjitha dritat e këndohet
“Exultet”. Këtë vit, sqaroi zëdhënësi i Vatikanit, leximet e Besëlidhjes së Vjetër
janë thjeshtuar, prandaj kremtimi do të zgjasë më pak se tre orët e viteve të mëparshme.
Çast i rëndësishëm i këtij kremtimi, kujtoi atë Lombardi, është Liturgjia e Sakramenteve
e ritet e Pagëzimit, të Krezmimit e të Kungimit. Në Natën e Pashkëve, si zakonisht,
Papa do t’u japë pagëzimin disa katekumenëve, të cilët, duke qenë të rritur, në të
njëjtën kohë, do të marrin edhe sakramentin e Krezmimit. Pikërisht ndër ta, është
një shqiptar 30 vjeçar e më pas, një italian 23 vjeçar, një rus 30 vjeçar e një amerikan
me origjinë vietnameze, 17 vjeçar. Atë Lombardi foli më pas për Meshën e paradites
së Pashkëve, e cila do të nisë në orën 10.15 e do të zgjasë rreth një orë e gjysëm,
për t’i dhënë kohë Papës të ngjitet në Llozhën qendrore për bekimin “Urbi et Orbi”,
në orën 12.00. Në fillim të meshës, riti i lashtë i “Resurrexit”, pra i kumtimit
të Ngjalljes së Zotit, me vendosjen e një ikone pranë elterit. Mesha e ditës nuk bashkëkremtohet,
ndërsa në Natën e Pashkëve, Papa Françesku bashkremton me kardinajtë. Gjithashtu,
Mesha e Pashkëve nuk ka homeli, pasi menjëherë pas saj vjen mesazhi “Urbi et Orbi”.
Këtë vit, sqaroi atë Lombardi, Ungjilli lexohet vetëm në latinisht e jo edhe në greqisht,
pasi Pashkët e Kishave Lindore, që përdorin greqishten, bien në maj. Sipas zëdhënësit
të Vatikanit, ka mundësi të ndryshojë mënyra e përshëndetjes në gjuhë të ndryshme.
Kujtojmë se deri tani, Papët kanë thënë “Për shumë vjet Pashkët” në 60 gjuhë të botës.