Aktualiteti i Udhës së Kryqit në një botë të tronditur nga padrejtësia
Aktualiteti i Udhës së Kryqit në një botë të tronditur nga dhimbja, varfëria e
padrejtësia.Dy fjalë për të na shoqëruar, derisa ndjekim Udhën e Kryqit:
duke ndjekur Udhën e Kryqit na krijohen menjëherë dy bindje: bindja mbi fuqinë shkatërrimtare
të mëkatit dhe bindja mbi fuqinë shëruese të dashurisë së Hyjit. Fuqia shkatërrimtare
e mëkatit: Bibla nuk lodhet së përsërituri se e keqja është e keqe sepse bën keq:
mëkati është vetëdënim, sepse krimi përmban brenda vetes edhe ndëshkimin. Ja disa
tekste tepër të qarta të Jeremisë profet: “Ata shkuan pas kotësisë dhe u bënë të
kotë” (Jer. 2, 5); “Po të dënon fajësia jote, po të ndëshkon cubnia jote. Dije
e shih sa gjë e keqe e e hidhur është të kesh lënë Hyjin tënd e të mos dridhesh më
përpara meje” (Jer, 2, 19); “Fajet tuaja e çrregulluan këtë rend, mëkatet tuaja
jua humbën mirëqenien”. (Jer. 5, 25) E Izaia nuk është më pak i ashpër: “Prandaj
kështu foli Shenjti i Izraelit: ‘Për arsye se e përbuzët këtë fjalë e shpresoni në
mbrapshti e në pabesi dhe në to e mbështetni veten, këndej për ju ky mëkat do të jetë
posi plasa, porsi vendi i fryrë në mur të lartë, që rrënohet në çast, kur nuk pritet;
do të copëtohet si një enë dheu, do të thërrmohet pa farë mëshire; asnjë copëz s’do
të mbesë prej saj, as sa të kapësh me të një gacë nga zjarri, o prej pusit të nxjerrësh
një pikë ujë”. (Is. 30, 12-14). E, duke folur në përkim me ndjenjat më të thella
të popullit të Zotit, profeti ngre me forcë zërin: “Të gjithë ne jemi bërë si i
papastri, si petk i ndytë - të gjitha drejtësitë tona: të gjithë u vyshkëm porsi gjethi,
të këqijat tona na flakin si era”. (Is. 64, 5). Por njëkohësisht profetët ngrenë
zërin edhe kundër gurëzimit të zemrës, që ka si pasojë verbërinë. Kështu njeriu nuk
arrin më të shikojë sa i rëndë është mëkati. Të dëgjojmë Jereminë: “Prej më të
voglit deri në më të madhin, të gjithë janë dhënë pas horrjatisë, nga profeti te prifti,
të gjithë po bëjnë dredhi. Mendjelehtas mjekojnë plagën e popullit tim e thonë: ‘
Paqe! Paqe!’. Po paqe nuk ka. Duhej të turpëroheshin për mbrapshtitë e tyre, por s’u
vjen marre aspak; nuk dinë as të skuqen!”(Jer 6, 13-15)
Jezusi, duke hyrë
brenda historisë të mbushur përplot me mëkate, mori mbi vete barrën e dhunës së mëkateve
tona: prandaj duke e parë Jezusin, kuptohet qartë sa shkatërrimtar është mëkati e
sa e sëmurë është familja njerëzore, dmth ne! Ti e unë! Por, ka edhe një bindje
të tretë. Jezusi iu përgjigj mburrjes sonë me përvujtëri; dhunës sonë me butësi, urrejtjes
sonë me dashurinë që di të falë. Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit
hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton. Nuk
mund të ikim nga një fakt: që në fillim të misionit, Jezusi flet për ‘orën e tij’
(Gjn. 2, 4), orë për të cilën ka ardhur (Gjn. 12, 27), orë të cilën e përshëndet me
gëzim, duke brohoritur në fillim të Mundimeve të veta: “ Arriti koha!”. Kisha e
ruan me kujdes të madh kujtimin e këtij fakti e, në Besojmë, pasi pohon se Biri i
Zotit “u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari e u bë njeri” menjëherë kujton “U
kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, vdiq e u varros”. U kryqëzua për ne! Jezusi,
duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet
tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit:
atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse
Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi
e mbushi me dashuri. Përmes fesë e pagëzimit ne jemi njohur me vdekjen e Krishtit,
dmth me misterin e Dashurisë me të cilin Krishti e jetoi vdekjen edhe fitoi mbi të.
E kështu nis shtegtimi i kthimit tonë tek Zoti, kthim që do të përplotësohet në çastin
e vdekjes sonë të jetuar në Krishtin e me Krishtin: dmth në Dashuri. Duke ndjekur
Udhën e Kryqit, të zënë për dore me Marinë, t’i lutemi Krishtit të na dhurojë një
thërrime nga përvujtëria e nga butësia e tij, në mënyrë që dashuria e Krishtit të
Kryqëzuar të hyjë brenda nesh e të na dhurojë një zemër të re sipas masës së zemrës
së Zotit.
Lutja e Hyrjes: O Zot, Jezus, mundimet tua janë
historia e mbarë njerëzimit: ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen, të
butët... kërcënohen, të ndershmit… shtypen e ata që e kanë zemrën e pastër,
vihen keqas në lojë.
Kush do të jetë fitimtari? Kush do ta thotë fjalën
e fundit?
O Zot Jezus, ne besojmë se Ti je fjala e fundit: në Ty të mirët
tashmë kanë fituar, në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë, në Ty të ndershmit
kurorëzohen e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.
O Zot Jezus, sonte
po përshkojmë udhën e kryqit tënd, duke e ditur mirë se është edhe udha jonë. Por
një bindje na ndrit: udha nuk mbaron mbi kryq, udha vijon, shkon në Mbretërinë
e Jetës e në shpërthimin e Gëzimit që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!
Lexuesi: O
Jezus, ndalohem mendueshëm tek këmbët e kryqit tënd: ‘E kam ndërtuar edhe unë
me mëkatet e mia! Mirësia jote, që nuk mbrohet e pranon të kryqëzohet është
mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim e më prekë thellësisht.
O Zot,
ke ardhur në botë për mua, për të më kërkuar, për të më prirë drejt përqafimit
të Atit: përqafimit që më mungon!
Ti je Fytyra e mirësisë e e mëshirës; prandaj
dëshiron të më shpëtosh!
Në shpirtin tim ka tepër egoizëm: eja me dhembshurinë
tënde të pafund! Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi, eja me butësinë e përvujtërinë
tënde!
O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret, Jam djali plangprishës
që duhet të kthehet! O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy, Për të gjetur
lirinë e jetën Paqen me Ty e gëzimin me Ty. *** Pas kësaj hyrjeje, Udha e
Kryqit vijon duke ndjekur rendin e vet tradicional, me 14 ndalesa, duke filluar nga
Ndalesa apo Stacioni i parë, kur Jezusi dënohet me vdekje; stacioni i dytë, kur Krishti
ngarkohet me kryq; stacioni i tretë - kur Zoti rrëzohet për të parën herë; i katërti
– i takimit me Nënën; stacioni i pestë, që na kujton çastin kur Simoni nga Cireneja
e ndihmon Krishtin për të mbartur kryqin; i gjashti – kur Veronika fshin gjakun e
djersën nga fytyra e Jezusit; stacioni i shtatë, me rënien për herë të dytë, i pasuar
nga i treti, kur Jezusi takohet me gratë e Jerusalemit; pastaj rënia e tretë në stacionin
e nëntë , ndarja me short e petkave të Zotit ndërmjet ushtarëve në stacionin e dhjetët.
E më pas, Udha e Kryqit i afrohet kulmeve të veta, me gozhdimin e Krishtit në kryq
në stacionin e dhjetët dhe vdekjen, në të njëmbëdhjetin. Në stacionin e dymbëdhjetë
ftohemi të meditojmë: Njeriu marrëzisht mendoi: Zoti vdiq. Por në se vdes
Zoti, kush do të vijojë të na japë jetë? Në se vdes Zoti, ç’është vetë jeta?... Nga
kryqi lind jeta e re e Saulit, nga kryqi lind pendimi i Shën Agostinit, nga
kryqi lind varfëria e lumtur e Françeskut të Asizit, nga kryqi lind mirësia rrëzëlluese
e Shën Vinçencit të Paolit; nga Kryqi lind heroizmi i Maksimilian Kolbes, nga
Kryqi lind bamirësia e mrekullueshme e Nënë Terezës, nga kryqi lind guximi
i Gjon Palit II, nga kryqi lind revolucioni i dashurisë!
Prandaj Kryqi nuk
është vdekja e Zotit, por është lindja e dashurisë së tij në botë! Bekuar qoftë
Kryqi i Krishtit! Të falënderojmë, Jezus!
Po ndalemi një çast në heshtje,
në meditim, për ta ndjekur më pas Jezu Krishtin e kryqëzuar e të vdekur mbi kryq për
mëkatet tona, në dy stacionet e fundit: të trembëdhjetin, kur trupi i Zotit zbritet
nga kryqi e i dorëzohet Nënës së Dhimbshme e të katërmbëdhjetin, kur trupi hyjnor
vendoset në Varr.
Meditim: Krimi u krye, ne e mbytëm Jezusin!
E
plagët e Krishtit përvëlojnë në zemrën e Marisë, ndërsa një dhembshuri e vetme rrok
Nënë e Bir.
Dhembshuria! Po, dhembshuria, bërtet, prek në shpirt, plagos edhe
njeriun që është mësuar të hapi plagë.
Dhembshuria! Neve na duket se
po na dhimbset Zoti, por në të vërtetë- përsëri- jemi ne që i dhimbsemi Zotit.
Dhembshuri!
Po dhembja s’është e pashpresë e nuk do të jetë kurrë më, s pse Zoti ka
ardhur të vuajë për ne. Kur je me Zotin thua mund të dëshpërohesh?
Lutje: O
Mari, kur përqafon tënd Bir, ti përqafon çdo bir, ndjen dhembjen e të gjitha
zemrave amtare.
O Mari, ti Nënë e Dhimbshme… ti që beson! Beson se retë
nuk e shuajnë diellin, beson se nata përgatitë agimin.
O Mari, ti që
këndove Magnificat, nisja këngës që dhimbjen e mund, ashtu si foshnja dhimbjen
e lindjes.
O Mari, lutu për ne! Lutu që edhe për ne të agojë dita e bardhë
e shpresës.
Stacioni i katërmbëdhjetë
Jezusin e vendosin
në varr
Meditim
Jeta nganjëherë i ngjet një së shtune
shenjte të gjatë, të pikëlluar. Gjithçka të duket e kotë. Të duket se i mbrapshti
ngadhënjen, se e keqja është shumë më e fortë sesa e mira.
Por feja na
bën të shikojmë larg, na bën të dallojmë agun e një dite të re, përtej ditës
së pikëlluar. Feja na siguron se fjala e fundit i takon Zotit: vetëm Zotit!
Feja
është vërtetë një llambë e vogël që ndrin natën e botës: drita e saj e përvujtë
shkrihet me dritat e para të ditës, ditës së Krishtit të Ngjallur.
Historia
nuk mbaron në varr, por shpërthen në varr: kështu ka premtuar Jezusi, kështu
ka ndodhur e do të ndodhë.
Lutje: O Zot Jezus, e Premtja e Madhe
është ditë e errët, ditë e urrejtjes pa arsye, ditë e vrasjes së të Drejtit! Po
e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit: fjala e fundme është drita që rindizet dashuria
që fiton mbi çdo urrejtje.
O Zot Jezus, në sa jetojmë të premten tonë të
madhe, e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha, na jep fenë
guximtare të Marisë për të besuar në vërtetësinë e Pashkëve; na jep vështrimin
e saj të kthjelltë, për të parë vezullimet që kumtojnë ditën e fundit të historisë: “Një
qiell të ri e një tokë të re”, që nisin në Ty, o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur!
Amen!