2013-03-28 14:41:33

Papa Françesku kryeson kremtimin e Meshës së Bagmit. “Duhet të jeni barinj, që mbani erën e deleve tuaja”, u tha meshtarëve


Të jeni barinj, që mbani erë dele, jo administrues, apo ndërmjetësues të thjeshtë: kjo është thirrja e fuqishme, që Papa Françesku u drejtoi sot paradite meshtarëve, gjatë Meshës së Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, së bashku me kardinajtë, ipeshkvijtë e rreth 1600 priftërinjtë e Romës. Gjatë kremtimit, u bekuan Vajrat e shenjta dhe Bagmi. Në Meshën e tij të parë të Bagmit, ipeshkvi i Romës - siç i pëlqen Papës ta quajë veten – i ftoi meshtarët të dalin nga vetveteja e të shkojnë në periferi, aty ku populli vuan e pëson më shumë nga ata, që duan t’ia plaçkisin fenë.
Pikërisht në të Enjten e Madhe, dita kur meshtarët përtërijnë premtimet e bëra në çastin e shugurimit, Ati i Shenjtë nënvizoi se është mirë “ta ndjejnë mbi shpatulla e në zemër, peshën dhe fytyrën e popullit të besimtarëve, të shenjtorëve e të martirëve”, duke i skalitur emrat e tyre në shpirt. Me shembullin e Aronit, mjekrra dhe veshjet e të cilit ishin lyer me vajin e shenjtë të Zotit, Papa pohoi se meshtari i mirë njihet nga mënyra si lyhet me vaj të shenjtë grigja, që i është besuar:
“Shihet qartë kur njerëzit tanë lyhen me vajin e gëzimit: për shembull, kur dalin nga mesha me fytyrën e atij, që ka marrë një lajm të mirë. Njerëzit tanë e duan Ungjillin të predikuar me vojim, u pëlqen kur Ungjilli, që predikojmë, ka kuptim për jetën e tyre të përditshme…”
“Vojimi – tha Papa Françesku gjatë homelisë – nuk shërben për t’u parfumuar e aq më pak, për ta ruajtur vajin në ndonjë shishe, sepse ai do të prishej e do të hidhtohej”. Është vojimi, ai që vlen, e jo funksioni, ceremonia. Prandaj, kur Ungjilli shndrit jetën, gjendjet e vështira, periferitë më të skajshme, njerëzit janë të kënaqur me predikimin e meshtarit:
“Njerëzit na falenderojnë atëherë, sepse e ndjejnë se jemi lutur, duke pasur parasysh realitetin e jetës së përditshme, vuajtjet e gëzimet e tyre, shqetësimet dhe shpresat e tyre”.
E kur e ndjejnë se parfumi i të Vojuarit, i Krishtit, u arrin përmes nesh, vazhdoi Papa Françesku, marrin guximin të na besojnë gjithçka dëshirojnë t’i mbërrijë Zotit:
“‘Lutu për mua, atë, sepse kam këtë problem’, ‘më beko’, ‘lutu për mua’. Këto janë shenjat që vojimi ka mbërritur deri në palën e fundit të mantelit, sepse shndërrohet në lutje të përgjëruar, në lutjen e Popullit të Zotit”.
Kur krijojmë këto marrëdhënie me Zotin e me Popullin e Tij e Hiri Hyjnor kalon përmes nesh – tha Horhe Mario Bergolio – atëherë jemi meshtarë, ndërmjetësues të vërtetë mes Zotit e njerëzve:
“Dua të nënvizoj se duhet ta gjallërojmë gjithnjë Hirin Hyjnor e ta kuptojmë me intuitë, në çdo kërkesë, – nganjëherë të papërshtatshme, nganjëherë pastërtisht materiale, ose madje banale, por vetëm në dukje – dëshirën e njerëzve tanë për t’u vojuar me vaj të parfumuar, sepse e dinë se ne e kemi”.
Papa kujtoi episodin ungjillor të gruas së sëmurë nga humbja e gjakut, e cila prek palën e mantelit të Krishtit e shërohet. Në atë çast, vijoi, Jezusi mishëron gjithë bukurinë e Aronit, por e Tija është bukuri e fshehur, e cila “shkëlqen vetëm për sytë plot fe të gruas, që vuante nga humbja e gjakut”. Dishepujt nuk e kuptojnë këtë, por Jezusi ndjen forcën e vojimit hyjnor, që arrin deri në palët e mantelit të vet:
“Kështu duhet të dalim e ta provojmë vojimin tonë, pushtetin dhe efikasitetin e tij shëlbues: në ‘periferitë’ ku ka vuajtje, ku derdhet gjak, ku të verbërit duan të shohin, ku ka të burgosur të shumë zotërinjve të këqinj”.
Nuk është thjesht shqyrtimi brenda vetes, ai që na shpëton, vuri në dukje Papa Françesku. Nganjëherë meshtarët bëjnë kurse, që synojnë t’i ndihmojnë për këtë, por jeta nuk kalohet nga një kurs në tjetrin, pasi nëse e kërkojmë shërimin e shpirtit vetëm brenda vetes, e minimizojmë fuqinë e Hirit Hyjnor:
“Kush nuk del nga vetvetja, në vend që të jetë ndërmjetësues, vendoset pak nga pak vetëm në mes, bëhet administrator. Të gjithë e dimë dallimin: kush vihet në mes e administratori “e kanë marrë shpërblimin” e, meqë nuk vënë në lojë as lëkurën e as zemrën, nuk marrin asnjë falenderim plot dashuri, që lind nga zemra”.
Kështu lind pakënaqësia e disave, theksoi Ati i Shenjtë, që trishtohen e shndërrohen në koleksionistë antikitetesh, apo risish, në vend që të jenë barinj, të cilët mbajnë erë dele:
“Prandaj ju kërkoj: të jeni barinj me erë delesh, barinj në mesin e grigjës suaj, e peshkatarë njerëzish”.
Është e vërtetë, pranoi Papa, se e ashtuquajtura ‘krizë e meshtarisë’ na kërcënon të gjithëve dhe i shtohet krizës së qytetërimit. Megjithatë, përfundoi Ati i Shenjtë plot besim, nëse dimë t’ia presim hovin kësaj vale, mund të dalim në det të hapur në emër të Zotit e të hedhim rrjetat. Edhe besimtarëve, Papa Françesku u kërkoi t’u qëndrojnë pranë meshtarëve me lutje e përzemërsi.







All the contents on this site are copyrighted ©.