2013-03-28 18:29:33

Papa Françesku: gjesti i larjes së këmbëve është përkëdhelje e Jezusit për çdo njeri


Me Meshën in ‘Coena Domini’ në burgun romak Casal del Marmo, Papa hapi Treditëshin e Pashkëve. Sot pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Papa Françesku kremtoi Meshën ‘in Coena Domini’ – e Darkës së Mbrame të Krishtit Zot, në burgun për të miturit në lagjen romake Casal del Marmo. Një kremtim Eukaristik tejet prekës e plot domethënie, kremtuar në një realitet të veçantë, siç është burgu dhe 50 të rinjtë e mbyllur në këtë strukturë, në mesin e tyre edhe 11 vajza, të cilët jetojnë momente teje të veçanta të jetës së tyre si të burgosur. Pikërisht me këta të fundit të shoqërisë, Papa deshi të kremtonte e të përjetonte ngjarjen themelore të fesë së krishterë – kremtimin e Meshën e themelimit të Eukaristisë e të Meshtarisë, sot të Enjtes së Madhe të Pashkëve. Gjatë ritit të shenjtë, Papa Françesku, duke përsëritur gjestin e Jezusit gjatë darkës së tij me Apostujt, u lau këmbët 12 të miturve të burgosur me kombësi e përfaqësi fetare të ndryshme.
Pas Meshe, në palestër të burgut, Papa u takua me të rinjtë e burgosur dhe me personalin e kësaj strukture. Gjatë këtij takimi të burgosurit i dhuruan Papës Bergoglio një kryq e një gjunjëzore prej druri ndërtuar me duar të tyre. E Papa Bergolgio, si bënë çdo gjysh i mirë me rastin e festës, të gjithëve u fali një vezë çokolate.
Homelinë e Meshës, Papa e nisi me komentin e faqes ungjillore të Shën Gjonit, në të cilën Apostulli, me një gjuhë shumë solemne, tregon sesi Jezusi ua lau këmbët nxënësve të vet. Larja e këmbëve ka qenë e është simbol i dashurisë për të tjerët. Jezusi bën një gjest përvujtërie; Ai Mësuesi, gjunjëzohet për t’u larë këmbët Apostujve, duke u dhënë vetë i pari shembullin për të ecur në këtë rrugë. Kjo lidhet ngushtë me Eukaristinë. Shën Gjoni Ungjilltar nuk tregon si u themelua Eukaristia, por flet për larjen e këmbëve. E bën këtë, sepse dashuria dhe Eukaristia lidhen ngushtë e na pohojnë se Zoti është dashuri.
Ajo çka e shtyu Jezusin t’u lajë këmbët Apostujve është pikërisht Dashuria.
Jezusi u thotë Apostujve: “E shikoni ç’po bëj për ju? Nëse unë, Mësuesi, po laj këmbët tuaja, edhe ju duhet t’ua lani këmbët të tjerëve”. Sot ne, në jetën tonë shoqërore, nuk ia lajmë kujt këmbët, por ama mund ta zëvendësojmë këtë gjest me gjeste të tjera bamirësie e respekti: mund t’i urojmë tjetrit mirëseardhjen, mund ta respektojmë, ta përqafojmë, ta falim, të pranojmë, ta ndihmojmë, na inkurajojmë, ta puthim e tjera...E duke u ndalur tek gjesti i larjes së këmbëve Papa Françesku tha:
Ndër ne, kush është më i madhi duhet të jetë në shërbim të tjerëve. Çdonjëri prej nesh duhet të pyes: a jam vërtetë i gatshëm të shërbej e t’i ndihmoj të tjetër?”, nënvizoi Papa. “Shenja e larjes së këmbëve është përkëdhelje e Jezusit, i cili ka ardhur për të shërbyer e për të na ndihmuar. Prandaj, edhe ne duhet të ndihmojmë njëri tjetrin, sepse duke ndihmuar tjetrin bëjmë mirë. Jezusi ka ardhur pikërisht për këtë, për të shërbyer, për të ndihmuar”, shtoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës in Caena Domini kremtuar në burgun e lagjes romake Casal del Marmo me të burgosurit e mitur e të rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.