Kisha kremton sot ‘Darkën e Mbrame të Krishtit’, që hap Treditëshin e Pashkëve
Mesha in Coena Domini (në Darkën e Krishtit) hap ritet e Treditëshit të Pashkëve.
Me kremtimin e Meshës ‘in Coena Domini’ - kremtim i Darkës së Mbrame të Zotit
tonë Jezu Krisht, kur Mësuesi Hyjnor - Jezusi i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”,
Eukaristinë. Gjatë ritit, meshtari, duke përsëritur gjestin e Jezusit, u lan këmbët
12 personave të bashkësisë së vet kishtare. Në Faqen ungjillore të këtij kremtimi
nga Shën Gjoni, Apostulli, me një gjuhë shumë solemne, tregon sesi Jezusi ua lau
këmbët nxënësve të vet. Është një akt sa profetik, aq edhe simbolik. Me këtë gjest
konkret, Jezusi vë në dukje pikërisht atë që himni i madh kristologjik, Letra drejtuar
Filipianëve, e përshkruan si misterin e Krishtit. Jezusi zhvesh rrobat e lumnisë së
vet Hyjnore, ngjesh ‘leckën’ njerëzore e bëhet skllav. Ua lan këmbët e ndyra dishepujve,
duke i bërë të aftë të hyjnë në gostinë hyjnore në të cilën i fton. Në vend
të pastrimeve të jashtme të kultit, që e lajnë njeriun ritualisht, duke e lënë ashtu
siç ishte, Jezusi na bën të pastërt me fjalën e tij e me dashurinë e tij, me dhurimin
e plotë të vetvetes. E vijon të na lajë me fjalën e tij. Në se e pranojmë këtë fjalë
me meditim, lutje e fe, ajo ngjall në shpirtin tonë forcën pastruese. Ditë për ditë
na duket se na mbulon ndyrësia shumëformëshe, na mbulojnë fjalët boshe, paragjykimet,
dija e kufizuar dhe e tjetërsuar, falsiteti. Gjithë kjo ndyrësi e pushton shpirtin
tonë e na krijon rrezikun të bëhemi të paaftë për të njohur të vërtetën e për të bërë
të mirën. Në se i pranojmë fjalët e Jezusit me zemër të hapur, do ta ndjejmë se
janë larje e vërtetë, pastrim i vërtetë i shpirtit. Ta lemë, pra veten, të lahemi
me këtë ujë të pastër, që na bën të denjë për t’u ulur, së bashku me vëllezërit, në
gostinë e madhe të Hyjit. Kjo ftesë u drejtohet të gjithë krishterëve. Më
tej, liturgjia na ofron simbolikën e gjestit të Krishtit, duke theksuar dy aspekte
të ndryshme: dhuratën e pastërtisë dhe detyrën e besimtarit për ta parë Atë si model,
për ta bërë këtë dhuratë të vetën, sepse gjesti i Zotit është: sacramentum ed exemplum:
sakrament e shembull, duke pasur parasysh se fjala sakrament këtu ka kuptimin e vetë
të Misterit të Krishtit në tërësinë e tij, nga mishërimi e deri në kryq e në ngjallje.
Kjo tërësi bëhet forcë shëruese, shenjtëruese, shndërruese: na bën të fillojmë një
jetë të re. Gjithsesi ne nuk mbetemi pasivë, ndërsa e marrin këtë dhuratë hyjnore:
Zoti e shikon secilin nga ne si partner personal e të gjallë. Dashuria e dhuruar është
dinamika e ‘të dashurit së bashku’, është jetë e re, duke u nisur nga Hyji. Jezusi
u thotë dishepujve të vet e të gjithë neve: “Po ju jap një urdhër të ri: Duajeni njëri-tjetrin!
Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri-tjetrin”(Gjn. 13, 34). Urdhri
i ri nuk është normë e re dhe e vështirë, që deri atëherë nuk ekzistonte: është urdhër
për të dashur së bashku me Atë, që na deshi i pari. Është plot domethënie të komentosh
edhe bisedën e Jezusit me Pjetrin, i cili nuk deshi ta linte Jezusin t’ia lante këmbët,
sepse kjo i binte ndesh konceptit të tij për madhështinë hyjnore. Duhej të kuptonte
përsëri e përsëri se madhështia hyjnore ndryshon nga ideja jonë për madhështinë. Madhështia
hyjnore është përvujtëria e shërbimit, dashuria deri në zhveshjen e plotë të vetvetes. Edhe ne, si Shën Pjetri duhet ta kuptojmë këtë, duke rifilluar gjithnjë nga e
para, sepse vazhdimisht dëshirojmë zotin e suksesit e jo atë të Mundimeve e sepse
nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se Bariu vjen si Qengj që dhurohet e kështu na prin
drejt kullotave të blerta. Në se themi që jemi pa mëkat, gënjejmë veten e nuk arrijmë
kurrë ta njohim të Vërtetën. Në se i pranojmë gabimet tona, Ai që është besnik, do
të na i falë fajet e do të na pastrojë nga çdo mëkat.