2013-03-27 12:23:05

“Lutuni për mua”, u kërkon Papa Françesku punonjësve të Vatikanit, me të cilët bën edhe shaka në meshën e mëngjesit


E kush e mendonte se Papa do të vinte në Bazilikën e Shën Pjetrit, sot në mëngjes herët, ndërsa kardinali Anxhelo Komastri po kremtonte meshën për punonjësit e Vatikanit!? Natyrisht, për të gjithë të pranishmit, kjo qe një e papritur e këndshme, edhe pse, pikërisht atyre iu drejtua Ati i Shenjtë në fund të meshës, për t’i përshëndetur, por edhe për të bërë shaka. “Mirëdita të gjithëve” – u tha. E duke iu referuar fjalëve të kardinalit Komastri, që gjatë përshëndetjes së tij foli për përshpirtërinë e Papës Gjoni XXIII, vijoi:
“Edhe unë di një episod për Papën Gjoni: një herë, një ambasador e pyeti: “Më thoni, Shenjtëri, sa vetë punojnë në Vatikan?”. “Gjysma”, iu përgjigj. Por unë jam i sigurtë se ju jeni ajo gjysma, që punon. Shumë faleminderit! Dua t’ju falenderoj për këtë Meshë lutjeje: të lutemi njëri për tjetrin, si vëllezër. Dua t’ju falenderoj për punën tuaj në Vatikan, nganjëherë e fshehur, që s’bën bujë, por shkon përpara. Shumë faleminderit! Dua edhe të falenderoj kolegët tuaj, që nuk mundën të vijnë për shkak të punës; po punojnë në këtë çast. Shumë faleminderit! Dua t’ju falenderoj për këtë e t’ju kërkoj të luteni për mua: kam nevojë, sepse edhe unë jam mëkatar, si gjithë të tjerët. E dua t’i qëndroj besnik Zotit. Lutuni për mua. Ju uroj, për shumë vjet Pashkët. Zoti ju bekoftë e Zoja ju mbroftë, si një Nënë e mirë. Shumë faleminderit!”
“Faleminderit” e “lutuni për mua”: këto, fjalët e Papës Françesku, ndërsa u fliste pa letër punonjësve të Vatikanit, ndjenjat e të cilëve u shprehën më së miri nga kardinali Anxhelo Komastri, në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë, ku përmendi, siç thamë më sipër, edhe Papën Gjoni XXIII. Pikërisht episodi i treguar i dha shkas më pas Papës Françesku, të bënte shaka me të pranishmit. Por ja fjalët e kardinalit-kryeprift të Bazilikës së Shën Pjetrit:
“Atë i Shenjtë, kjo vizitë e pazakontë e shi për këtë, e pëlqyeshme, na e mbush zemrën me gëzim e ju shpreh mirënjohjen e të gjithëve. Më lejoni të kujtoj diçka: në qershor 1978, shkova shtegtar në Loreto me seminaristët e dioqezës sime e aty, takuam imzot Kapovilën, që atëherë ishte kryeipeshkvi i Loretos. Më kujtohet se na priti e filloi të na tregonte, siç bën shpesh, shumë episode nga jeta e Papës Gjoni XXIII. Na tregoi një ngjarje, që më duket se i përshtatet këtij çasti: na tha se më 29 tetor 1958, një ditë pas zgjedhjes, i ulur në tryezë, Papa Gjoni ishte i trishtuar, gati i hidhëruar. Sekretari i tij, pra vetë imzot Kapovila, e pyeti me kujdes: “Atë i Shenjtë, ka ndonjë problem?” E ai u përgjigj: “E kam ndjerë veten shumë keq”. “Ç’ka ndodhur?” “Dje…” “Ishte dita që u zgjodhët – i tha imzot Kapovila – ndoshta jeni ndjerë i padenjë?” “Jo, jo… është vullneti i Zotit, ai. Por, pas zgjedhjes, pashë të gjithë kardinajtë, që për bindje, me radhë, u gjunjëzuan e më puthën këmbën – siç bëhej atëherë. – Mendo, edhe kardinali Elia Dela Kosta, ai njeri shenjt, që unë e konsideroj shenjtor! E ndjeva veten shumë keq…” E i tha: “Don Loris, këto gjëra duhen ndryshuar. Kisha duhet të bëjë një banjo të mirë thjeshtësie e përvuajtërie. Atëherë, drita e Krishtit shndrit mbi fytyrën e Kishës”. Atë i Shenjtë, këtë po bëni edhe ju. Ju bëjmë urimet më të mira. Që drita e Krishtit….”
(duartrokitje)
Por, fjalët e kardinalit Komastri u ndërprenë nga duartrokitje të stuhishme miratimi për gjestet dhe fjalët e Papës Françesku, që kur thotë “Dua një Kishë të varfër për të varfërit” e kuptojnë të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.