2013-03-27 16:17:57

Imzot Nosilia: Sindona, ikonë e së Shtunës së Madhe, është shenjë shprese. Pritje për një videomesazh të Papës.


“Sindona, ikonë e së Shtunës së Madhe, nuk na flet vetëm për vuajtjen e Krishtit, por edhe për besimin e Tij në dashurinë e gjithëpushtetshme të Atit, që e bën të ngjallet prej të vdekurve”. Kështu shkruan kryeipeshkvi i Torinos, imzot Çezare Nosilia, në Mesazhin e tij për Pashkë, paraqitur sot, në një konferencë shtypi. Me këtë rast, prelati foli kryesisht për Ostensionin apo ekspozimin televiziv të Sindonës, pasditen e së Shtunës së Madhe, në Rai Uno.
“Një ngjarje me ndikim mediatik botëror”, nënvizoi imzot Nosilia, duke shpjeguar se me këtë rast pritet edhe një videomesazh i Papës Françesku. Njëkohësisht kryeipeshkvi i Torinos foli edhe për rrethanat e posaçme në të cilat do të jetohet ky ekspozim: në katedralen e Torinos do të jenë të pranishëm shumë njerëz të sëmurë, të vuajtur, të gjymtë, të trazuar nga ngjarje të ndryshme, të hidhura, të jetës, që kanë mbi korpin e tyre shenjat e mundimeve të Zotit, por i jetojnë me fe të gjallë, duke e lëshuar plotësisht veten në duart e Tij e duke e mblatuar flinë e tyre, si Krishti në kryq, për shpëtimin e të gjithë njerëzve. Në këtë këndvështrim, Sindona e bën të pranishme jo vetëm errësirën e varrit, por edhe dritën e ngjalljes; jo vetëm dëshpërimin e njeriut, që e ndjen veten të vetmuar, të braktisur, me kryqin e dramës së vet të padurueshme mbi supe, por edhe besimin e shpresën në fitoren e Hyjit, që të siguron se kush beson në Të e në pushtetin e Pashkëve të Birit të tij, nuk do të mbetet kurrë i zhgënjyer. Në se Krishti fitoi mbi vdekjen, vijon kryeipeshkvi i Torinos, atëherë edhe njeriu mund të fitojë mbi urrejtjen e të nisë përsëri të dojë. Madje deri në atë masë, sa ta dhurojë gjithë jetën, duke e vënë në shërbim të të tjerëve, e ta shikojë realizimin e tij personal, në rrugën e meshtarisë. Ose duke zgjedhur thirrjen e martesës, duke besuar në lidhjen e saj të pazgjidhshme e duke e mundur çdo tundim për shpërbërjen e familjes.
Kështu mund të luftohet edhe çdo formë e padrejtësisë në botën e punës, duke vënë në plan të parë njeriun, jo përfitimin personal, jo kosumizmin e shfrenuar. Kështu mund të punohet për një botë plot me paqe, mund të mbrohet jeta e çdo njeriu.
Së fundi, imzot Nosilia foli për fillimin e papnisë së Françeskut: “Zgjedhja e tij, theksoi, është si rreze dielli, që grisi tisin e errët të reve të mosbesimit në shumë zemra”.
Në qendër të mësimeve të tij, përfundoi kryeipeshkvi i Torinos, ndjehet fort nevoja për ta shpallur besimin tonë në Krishtin, duke e parë kryqin si burim shëlbimi, dashurie, dhurimi të vetvetes, në ndihmë të më të varfërve, më të vetmuarve, më të sëmurëve e në mbrojtje të gjithësisë. Njeriu, na mëson Papa, duhet të jetë kujdestar i të gjitha dhantive të Zotit. Kujdestar plot dhëmbshuri e mirësi, me bindjen se dashuria fiton mbi çdo përçarje, krijon bashkim e shpirt të përvuajtur mikpritjeje.










All the contents on this site are copyrighted ©.