Jezu Krishti përgatitet për aktin e fundmë të jetës së tij tokësore. Është koha për
të zgjedhur rrugën. Thërret dy dishepuj të besuar e i nis tek shtëpia e një miku,
që të përgatisin gjithçka duhet për kremtimin e Darkës së Mbrame të Pashkëve.
Nuk
i bën zë Judës, ndonëse është ai që e ka për detyrë të mendojë për nevojat materiale
të grupit të vogël. Por tani, jo! Ai e ka zgjedhur tashmë rrugën e vet: “Sa
po më jepni, për t’jua shtënë në dorë?”. E shiti Krishtin për 30 aspra argjendi,
ose ndoshta, thjeshtë sepse e kishte inat, se qe zemëruar me të, se ishte zhgënjyer,
se nuk ia përmbushte interesat. E tani, në çastin vendimtar, lihet mënjanë.
Të
duket sikur njeriu mund ta përjashtojë Zotin nga jeta e vet, pa i ndryshuar fare zakonet,
pa pyetur se ka edhe një të ardhme, nga e cila mund të pritet gjithçka. I duket se
mund të tradhtojë pa kurrfarë pasoje. Por gënjehet, e rëndë. Do të vijë gjithnjë çasti,
kur do të lihet mënjanë, i përjashtuar nga vepra e Shëlbimit, që vijon të zhvillohet
në botë e që pranon vetëm shpirtra fisnikë në planin e palodhshëm të Gjithëpushtetshmit.
Kush tradhton, ndjek fatin e të përjashtuarve. Si Juda. I kishte dhënë tashmë shenjat
e zemërimit që i ziente në shpirt. Pak ditë më parë Jezusi kthehej nga Betania. Pas
ringjalljes së mikut të tij, Lazrit, kishte shkuar në një qytet aty pranë, për të
shpëtuar nga emocionet e jashtëzakonshme e nga kurthet, që i ngriheshin për shkak
të pushtetit për të bërë mrekulli. Tani po shkonte në Jerusalem, për të kryer aktin
e fundit të misionit, sepse një Profet nuk mund të vdesë jashtë Jeruzalemit.
Rrugës është një oazë, Betania. Lazri e motrat e tij, Marta e Maria, e kanë ftuar
në shtëpi, në një festë plot mirënjohje e dashuri. Disa herë e patën strehuar e shujtuar
në prehjet e shkurtra gjatë shtegtimeve të tij pa fund, e herë të tjera, në orë afërsie
shpirtërore, i patën forcuar gjithnjë më shumë lidhjet e miqësisë. Po tani është një
rast krejt i veçantë: ata duan të shprehin të pashprehshmen, sepse e pashprehshme
ishte ajo që ndodhi, ajo që panë, që provuan. E kush tjetër, veç tyre, kishte kaluar
ashtu nga dhimbja e vdekjes, në galdimin e jetës? Kush e kish bërë ndonjëherë shtegtimin
e papërfytyrueshëm nga një varr i vulosur, në dritën e diellit, i thirrur nga një,
që ka fuqi t’i bërtasë të vdekurit: “Dil jashtë!”. Tani ky njeri i dalë nga varri,
është aty, në shtëpinë që kanë nisur ta quajnë ‘shtëpia e të ngjallurit’, pranë familjarëve,
të çmendur nga gëzimi. Gostia është madhështore. Marta, e përqendruar krejtësisht
në drejtimin e kuzhinës, nuk e qorton më motrën, që e ka lënë vetëm, si tjetër herë.
Në këtë ditë të jashtëzakonshme rrethohet nga miqtë, gati për ndihmë. Po ajo, në kulmin
e gëzimit, nuk mund t’ia besojë askujt gatimin e kësaj darke për Krishtin, ku dëshiron
të shkrijë gjithë mjeshtërinë e vet. Maria, si gjithnjë, është larg nga këto shqetësime.
Nuk është gatimi, por dashuria që s’e lë të qetë. Do të dëshironte ta shkulte zemrën
nga kraharori e t’ia dhuronte Mësuesit, që rri në krye të sofrës me mirësinë e zakonshme,
në sa vështrimi i tij përfshin horizontet, ku syri i të tjerëve s’arrin.
Maria
do të dëshironte ta shoqëronte në këtë vetmi të pacak. Merr, prandaj, një enë me profum
të çmuar. Është simboli më i gjetur i fjalëve të mbyllura në zemër, që goja s’mund
t’i thotë: thyen enën e derdh vajin erëmirë mbi këmbët e Krishtit. Dashuria e saj
është plot respekt, por në këtë çast nuk mund të mos japë një shenjë personale të
kësaj dashurie pa fund. Prandaj zhdredh gërshetat e gjata e i përdor flokët, që i
derdhen supesh, në vend të peshqirit. Peshqir i gjallë, i ngarkuar me ndjenjat më
të ngrohta njerëzore. Juda, i pranishëm në këtë skenë, si dishepull i Krishtit
e mik i familjes, e shikon e sytë i vetëtijnë nga lakmia, nga inati, nga smira. Nuk
është në gjendje ta kuptojë këtë çast kaq të jashtëzakonshëm. Mërmërin, tërë mllef,
se i duket shpërdorim. Njerëzit e mbrapshtë nuk mund ta kuptojnë dashurinë e vërtetë,
flijimin e vërtetë. U duket shpërdorim. E, për ta fshehur gjithë këtë mllef, shtihet
se i vjen keq për të varfrit. Shpirtrat e ultë mundohen gjithnjë t’i fshehin pas fjalëve
të fisme, planet e tyre të mbrapshta. Po Krishti i dëgjon këto fjalë të helmatisura
e ndjen sa lëndohet ajo që, e strukur tek këmbët e tij, nuk e ngre fare kokën, sepse
aty ka gjetur strehë.
“Mos e trazoni - thotë me trishtim - në
se dëshironi të bëni mirë, do të gjeni mijëra raste. Profumi i saj paralajmëron një
tjetër vaj erëmirë, që do të derdhin mbi mua pas pak ditësh, në çastin kur do të më
kallin në varr”. Ja, ky ishte mendimi që fshihte pas vështrimit të përhumbur,
mendimit që shpërthen tani në zemrën e Marisë, që i trondit gostarët. Krishti e
kujton skenën e varrosjes së vet, pak ditë para se të zbresë në varr. E tani duhet
të përgatisë Pashkët e Mbrame judaike, të parat Pashkë të krishtera: prandaj nuk mund
ta ngarkojë Judën me një detyrë kaq të jashtëzakonshme. Ngarkon Pjetrin e Gjonin,
njerëz të varfër, por që e duan me gjithë shpirt, që e ndjekin besnikërisht deri në
fund të fundit.
E edhe ne, Jezus dëshirojmë të jemi të varfër, të jemi besnikë
e plot dashuri: po ditët e gjata të pabesisë sonë peshojnë rëndë, janë përplot me
brerje të ndërgjegjes, me raste të humbura. Edhe ne, si dishepulli i pabesë, jetuam
pranë teje, dëgjuam fjalën e së vërtetës, pamë si dikove mbi jetën tonë, hirin tënd
përdëllyes. Por tepër shpesh nuk të kuptuam, të zënë siç ishim me punët tona të
vogla njerëzore, me interesat mjerane, me lakmitë e kënaqësitë tona, që s’janë Tuajat.
Ndoshta edhe ne të tradhtuam!
Po tani të lutemi, mos na lërë mënjanë, na prano
pranë Marisë! Do të mësojmë prej saj si ta shprehim pa droje dashurinë e të ecim pas
teje në këtë orë tragjike, larg tundimeve, larg dëshirave e planeve materiale, larg
mllefeve e mërive, larg mashtrimeve e tradhtive. Ndoshta Maria e miqtë e tjerë nuk
e kuptonin atë çast misionin tënd shëlbues, por ishin me ty, përkrah teje, sepse të
donin.
Pranoje, o Jezus, ti shëlbimi ynë, vullnetin e mirë të
qëllimeve tona; na i fal mijëra ligështitë që na largojnë prej teje: duam të ecim
përkrah teje e të përgatisim me ty, në ditë e mundimeve, gëzimin e pamort të ringjalljes.