2013-03-26 12:12:12

Publikohen dy libra të Papës Françesku, mbi përvuajtërinë e mbi korrupsionin!


U paraqitën sot, dy libra të Papës Françesku, njëri mbi përvuajtërinë e tjetri, një reflektim i Atit të Shenjtë për korrupsionin, i cili minon themelet e shtetit. Natyrisht, librat janë shkruar para se Horhe Mario Bergolio të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit. “Përvuajtëria, udha drejt Zotit”, titullohet vëllimi i parë e “Të shërohemi nga korrupsioni”, titulli tjetër – të dy, botuar nga Emi (Shtëpia Botuese Misionare italiane). Janë vetëm disa nga nismat editoriale, që po lindin rreth Papës Françesku, për të cilin ka dalë madje në shitje, edhe një album me fotografi për fëmijët.
Nesër do të dalë në libraritë italiane edhe libri-intervistë “Jorge Bergolio, Papa Françesku. Papa i ri tregon – Bisedë me Serxho Rubin e Françeska Ambroxheti”, botim i “Salani”-t. Ambroxheti, e cila ka qenë kryeredaktore e agjensisë italiane ANSA në Argjentinë, sqaron se kardinali i atëhershëm u bind me shumë vështirësi, të jepte këtë intervistë, ku tregon për vetveten dhe shpjegon idetë e tij.
Ide, që përsa i përket temës së korrupsionit, shprehen mjaft qartë në librin “Të shërohemi nga korrupsioni”, ku shkruhet: “Do të na bëjë shumë mirë, në dritën e fjalës së Zotit, të mësojmë t’i dallojmë situatat e ndryshme të korrupsionit, që na rrethojnë e na kërcënojnë me joshjen e tyre. Do të na bëjë mirë t’i përsërisim njëri-tjetrit: ‘Mëkatar, por jo i korruptuar!” e ta themi me frikë, që të mos ndodhë ta pranojmë korrupsionin si të ishte vetëm një mëkat më tepër. I korruptuari… e kalon jetën në udhët e shkurtra të oportunizmit, por e paguan këtë me dinjitetin e vet dhe me atë të të tjerëve. I korruptuari e ka fytyrën si ai, që s’ka bërë gjë, ‘fytyrë engjëllore’, siç më thoshte gjyshja. …E më e keqja e të këqiave është se arrin t’i besojë edhe ai vetë kësaj. Sa e vështirë është të hyjë profecia brenda tij! Prandaj, edhe nëse themi ‘mëkatarë, po’, thërrasim me forcë ‘ama, të korruptuar, jo’”.
“Mund të themi – vazhdon më tej Papa Françesku, në pjesë të librit, botuar në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ – se mëkati falet, por jo korrupsioni. Thjesht për faktin se në bazën e çdo sjelljeje prej të korruptuari qëndron lodhja nga hyjnorja: para Zotit, që nuk lodhet së faluri, të korruptuarit i mjafton vetvetja për shëlbim: lodhet së kërkuari falje… Kështu – përfundon Papa jezuit – zakonisht Zoti e shëlbon përmes sprovave, që i mbërrijnë në situata, të cilave s’mund t’u shmanget (si sëmundjet, humbja e pasurisë, e njerëve të dashur etj.). Janë këto, që e thyejnë telajon ku mbështetet korrupsioni dhe e lejojnë njeriun të hyjë në Hirin e Tënzot. Vetëm atëherë, mund të kurohet”.
Në gazetën “L’Osservatore Romano”, presidenti i Senatit italian, Pietro Graso komenton librin mbi korrupsionin të Atit të Shenjtë. Korrupsioni, nënvizon Pietro Graso, i cili nënshkruan edhe një mbyllje për vëllimin e Horhe Mario Bergolios, minon themelet e shteteve demokratike dhe të vetë Kishës Katolike. “Së bashku me indinjimin qytetar dhe risimin e klasës politike – shkruan ish-prokurori antimafia – mbërriti shkundja morale e një Pape, që deshi të quhet Françesk e të tërheqë vëmendjen, që në fillim, ndaj kujdesit për më të ligështit, për viktimat, duke uruar të kemi ‘një Kishë të varfër për të varfërit’, në kundërshtim të plotë me egoizmin e korrupsionit… Në palët e rrobes së korrupsionit fshihet përbuzja për të mirën e përbashkët dhe vendosja e interesit vetjak para atij të përgjithshëm – përfundon presidenti i Senatit italian”.







All the contents on this site are copyrighted ©.