2013-03-26 14:25:09

Papa në Meshën e së Martës së Madhe: ta shijojmë ëmbëlsinë e faljes së Jezusit


T’ia hapim zemrën ëmbëlsisë së faljes së Zotit: kjo qe ftesa e Papës Françesku në homelinë e meshës, që Ati i Shenjtë kremtoi sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Çdo njeri, tha Horhe Mario Bergolio, përjeton “natën e errët të mëkatarit”, por Jezusi u jep të gjithëve “përkëdheljen” e Vet.
Ungjilli i Shën Gjonit thotë se kur Juda del nga Çenakulli për ta çuar deri në fund tradhëtinë kundër Krishtit, ishte “natë”. E nga kjo pikë filloi reflektimi i sotëm i Papës, i cili e hodhi më pas vështrimin në thellësitë e ndërgjegjes njerëzore. Nata, që rrethoi Judën, vërejti Ati i Shenjtë, është edhe errësira, që e pushtoi zemrën e tij. Është më e keqja e të këqiave, pohoi më pas, është “nata e të korruptuarit”, “natë përfundimtare, kur zemra mbyllet” në një mënyrë të tillë, sa të mos dijë e të mos dojë më të dalë nga situata, ku është zhytur.
E ndryshme është “nata e mëkatarit”, që e njohim të gjithë, por e dimë se është “e përkohshme”. Sa herë e kemi provuar këtë natë, vazhdoi Papa Françesku, sa herë ndjejmë errësirë në zemër, derisa shpresa të na shtyjë drejt një takimi të ri me Jezusin. Nuk kemi frikë nga kjo natë, sepse e dimë se duke i rrëfyer mëkatet, pasi i kemi njohur e u kemi vënë emrin, përjetojmë të njëjtat ndjenja të Shën Palit Apostull, kur pohonte se “lavdia e tij ishte Krishti i kryqëzuar në mëkatet e tij (të shën Palit). Pse? Sepse ai, në mëkat, gjeti Krishtin e kryqëzuar, që e falte”.
Prandaj liturgjia e sotme na fton “ta shijojmë ëmbëlsinë e faljes” e, kjo ishte pika e dytë në të cilën u ndal Papa Françesku gjatë homelisë. Në mesin e natës së mëkatit, gjatë së cilës shpirti i secilit vuan e përplaset me ndërgjegjen e me fenë, Jezusi zgjat dorën për “një përkëdhelje”, e cila, theksoi Ati i Shenjtë, na bën të themi: “Jam një mëkatar i mjerë, por Ti je Shëlbuesi im!” Duke kujtuar vështrimin me të cilin Jezusi fali Pjetrin, që e pati mohuar, Papa përfundoi, duke i ftuar të gjithë “ta hapin zemrën e ta shijojnë ëmbëlsinë e faljes”. E si gjithnjë, një meditim i veçantë: “Mendojmë sa bukur është të jemi shenjt, por është bukur edhe të na falin… Duhet të kemi besim në këtë takim me Jezusin” e “në ëmbëlsinë e faljes së Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.